Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, ka takuar sot Kryeprokuroren Ina Rama, mandati i së cilës është vënë në qendër të debateve gjatë ditëve të fundit. Pas takimit të zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, ambasadori Wollfarth ka deklaruar se politika shqiptare duhet ta mbajë larg çështjen e fushatës zgjedhore nga ajo e zgjedhjes së kreut të Prokurorisë së Përgjithshme, që sipas tij do të ndodh në vitin 2013.
“Është e vërtetë që ka disa interpretime të ndryshme të mandatit sipas Kushtetutës. Fakt i rëndësishëm është që tashmë mandati i prokurorit të përgjithshëm është i kufizuar dhe jo i pakufizuar. Kështu që do të thosha që herët a vonë, apo më mirë, vonë a herët, do të hapet dritarja e mundësisë për të pasur një pasardhës në postin e prokurorit të përgjithshëm. Do të jetë shumë e rëndësishme që të përdoret kjo kohë, e cila mund të llogaritet më mirë në muaj se sa në javë, pra, të përdoret kjo kohë prej disa muajsh për të kërkuar një personalitet të kualifikuar që të jetë në gjendje të kryejë këtë detyrë sa kërkuese aq edhe, shpresoj edhe në të ardhmen, të pavarur. Viti 2013 ka për të qenë, me siguri, një vit shumë i gjallë për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme, por bazuar në faktin që ndryshimet kushtetuese hynë në fuqi në maj 2008, maji do të ishte një datë e mundshme për ndërrimin e prokurorit të përgjithshëm. Por kjo mbetet për t’u diskutuar”, ka thënë Wollfarth, i cili më tej ka rekomanduar që të gjendet, të identifikohet dhe të përzgjidhet një personalitet i kualifikuar për të kryer si duhet këtë punë shumë kërkuese.
“Në këtë pikë, do të doja të shtoja që vazhdon të më bëjë përshtypje pozitive puna e znj. Ina Rama, si Prokurore e Përgjithshme e Shqipërisë. Ajo po e drejton dhe e ka drejtuar këtë zyrë në kohë sfiduese dhe i ka kushtuar gjithmonë shumë rëndësi faktit të të punuarit në mënyrë të pavarur, në dobi të drejtësisë në Shqipëri”, ka thënë Wollfarth.
I pyetur për procesin e 21 janarit dhe ankesave të Prokurores së Përgjithshme për ndërhyrje dhe kërcënime politike, ambasadori i OSBE-së i është përgjigjur: “Prokuroria e pavarur po punon për ngjarjet e 21 janarit. Në fakt, folëm shkurtimisht edhe për këtë çështje. Do të doja të shprehja një dëshirë, edhe në emër të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri: ekzistojnë mundësitë për ta mbështetur akoma më shumë punën e rëndësishme hetuese të prokurorit të përgjithshëm lidhur me këtë çështje, me të gjithë elementët që mund të ofrojë shteti i Shqipërisë. Deri tani, një pjesë e madhe e hetimeve janë kryer nga stafi i vetë Prokurores së Përgjithshme. Kësaj pune mund t’i shtoheshin përpjekje shtesë nga burime të tjera, përfshirë ministritë. Kjo do të përshpejtonte atë që unë do ta konsideroja një hetim shumë shumë të rëndësishëm”.
12 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)