Edi Rama – Duan konsensus të opozitës duke sharë e shpifur për opozitën! Opozita do debat për të gjitha ndryshimet e propozuara kushtetuese. Pastaj vota!
Majlinda Bregu – Ministrja e Integrimit u shpreh se vendimet në KE nuk kanë lirshmërinë për t’u menduar e rimenduar sipas ndryshimit të humorit dhe tekave të Edi Ramës
Fatmir Xhafaj – Zyrtari i lartë socialist u shpreh se nuk ka pasur asnjë konsensus për votimin në datën 6 gusht në seancë. Pra, sipas tij, vendimi ishte arbitrar
6 gusht – Kuvendi ka parashikuar që të votohet në datën 6 ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë
Bregu: PS të mbajë premtimin, data 6 gusht nuk është tekë e PD
BLEDAR HOTI
Partia Socialiste dhe përfaqësuesit e mazhorancës u përplasën dje në distancë në lidhje me çështjen e votimit të imunitetit, i parashikuar të kryhet në datën 6 gusht. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri thirrje që opozita të votojë më 6 gusht, pasi në të kundërt rrezikohet humbja e statusit të vendit kandidat. “Sot u bëj thirrje deputetëve të opozitës që të mbajnë fjalën, më 6 gusht të votojnë heqjen imunitetit sipas variantit të tyre. 6 gushti është shansi për të çuar para axhendën e integrimit. Braktisja e këtij shansi është ribllokim i procesit të integrimit. Shqiptarët kanë humbur 2 vjet kohë nga papërgjegjshmëria e Edi Ramës. Asnjë shqiptar sot nuk i ka asnjë borxh Edi Ramës të humbasë shansin e merituar, vetëm sepse Edi Rama kërkon të mbrojë lidhjet e dukshme dhe të padukshme me krimin, korrupsionin dhe të paligjshmen”, deklaroi Bregu. Ministrja më tej theksoi: “Unë nuk shoh asnjë arsye se pse data 6 gusht nuk duhet të jetë data kur ne mund të bashkojmë votat tona për heqjen e imunitetit. Shtatori nuk është muaj e kohë e lirë. Vendimet në KE nuk kanë lirshmërinë për t’u menduar e rimenduar sipas ndryshimit të humorit dhe tekave të Edi Ramës. Ne do të votojmë në datën 6 gusht heqjen e imunitetit, si një shprehje e vullnetit të kësaj mazhorance, për të pasur zyrtarët e lartë të këtij vendi, gjyqtarët e këtij vendi pa imunitet dhe të gjithë të barabartë para ligjit. Nëse Edi Rama kërkon ta mbajë përsëri peng këtë vend për një axhendë të ngushtë personale, jam e sigurt se humbja e tij në 2013-n do të jetë edhe më e madhe sesa ajo që ka përjetuar në 2011-n e me radhë”. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i socialistëve nëpërmjet sekretarit të saj, Fatmir Xhafaj. Ai theksoi se nuk ka pasur një konsensus për datën e votimit në konferencën e kryetarëve. “Kryeministri thotë se data 6 gusht është e përcaktuar me ujdi të plotë nga i gjithë spektri parlamentar i vendit më 12 korrik në seancën e Parlamentit. Kryetarja e Kuvendit, nga ana tjetër, thotë se 6 gushti është një datë e caktuar në Konferencën e Kryetarëve dhe në të njëjtën kohë është bërë e ditur seanca plenare e datës 12 korrik. Kjo nuk është e vërtetë, përkundrazi. Vendimi për datën 6 ka qenë një vendim arbitrar, i njëanshëm dhe i paravendosur jashtë çdo logjike të frymës kushtetuese dhe të rregullave parlamentare. Mbas një debati të ashpër të zhvilluar në këtë mbledhje të Konferencës së Kryetarëve, përfaqësuesit tanë janë larguar nga mbledhja dhe pas kësaj kryetarja ka vendosur veton dhe pa praninë e pa miratimin e opozitës ka vendosur datën e paracaktuar prej saj, pra datën 6 gusht”, tha Xhafaj. Më tej ai theksoi se “e jep dorëheqjen Kryeministri nëse ne miratojmë imunitetin dhe nuk marrim statusin e vendit kandidat. Dakord, ne shkojmë në datën 6 e miratojmë, por me një kusht, Kryeministri të dali e të thotë nëse nuk marr statusin, ikën qeveria ime. Jo, e gjitha kjo është alibi. Nuk mund t’i shërbejë Kryeministrit data 6 gusht për dorashkë antikorrupsion. Shqiptarët nuk do të gjykojnë për datën 6, por për sjelljen, për qasjen në raport me ligjin”. Edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, reagoi nëpërmjet “Twitteri”-t, duke u shprehur: “Duan konsensus të opozitës, duke sharë e shpifur për opozitën! Opozita do debat për të gjitha ndryshimet e propozuara kushtetuese. Pastaj vota!”. Për çështjen e imunitetit ka mbajtur qëndrim edhe kreu i LSI-së, i cili ka deklaruar: “Para pak kohësh u miratua reforma zgjedhore. Qëndrimi ynë ishte abstenim, që do të thotë se kemi vlerësuar konsensusin, megjithëse me vonesë. E kemi vlerësuar konsensusin, për shkak se ka qenë një kërkesë e BE-së, një kërkesë tepër e rëndësishme, ashtu sikurse një kërkesë po kaq e rëndësishme, që Shqipëria të meritojë statusin e vendit kandidat këtë vjeshtë, është njëkohësisht edhe zgjidhja e çështjes së imuniteteve për politikanët dhe për zyrtarët e lartë”.