Kreu i komisionit të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafa, tha se politikanët shqiptar duhet të kërkojnë falje për situatën e krijuar ne vend, duke shtuar se opozita ka një shans të mirë për të qenë pjesë konstruktive e procesit. Sipas tij, është klasa politike ajo që lejoi krijimin e kësaj situate në sistemin e drejtësisë.
“Unë besoj që opozita ka një shans të mirë për të qenë pjesë konstruktive e këtij procesi. Së paku, në këto 16 vjet ka qenë 8 vjet në pushtet PD, dhe po aq edhe PS dhe aleatët e tyre. Kështu që më së paku do të duhej që politika e të gjithë krahëve të bënte një “mea culpa” për realitetin që kemi sot. Në fund të fundit është politika ajo që ka lejuar apo ndikuar që sistemi i drejtësisë sonë të karakterizohet me një sërë problematikash të thella që cenojnë dhe kanë cenuar pavarësinë e tij, llogaridhënien, efikasitetin dhe përgjegjshmërinë për të dhënë drejtësi për qytetarët”, tha Xhafa.
Xhafa kritikoi deklaratat e dhëna më parë nga presidenti Nishani, duke thënë se gjuha e përdorur prej tij nuk e impresionohet nga intimidimet. “Ka një pikë që bashkohem me presidentin që është shumë e rëndësishme: vlera, integriteti moral dhe politik i personit që ulet në karrigen e Presidentit. Nuk jam dakord në shumë çështje që ka trajtuar dhe në gjuhën e përdorur për misionin e tij kushtetues, dhe nuk besoj se është punë të merresh me Presidentin e Republikës, as siç nuk mendoj që është punë të japësh intervista për të gjykuar apo intimiduar të tjerët. Nëse secili do kishte bërë punën e tij në gjithë këto vite dhe nëse të gjithë do të bëjnë shumë mirë punën e tyre sot, jam i bindur që nuk do të kishim këtë sistem drejtësie që kemi sot”, vijoi Xhafa.
Në lidhje me marrëdhëniet mes PS-LSI, kreu i refromës në drejtësisë tha se nuk ka krizë mes koalicionit, por palët duhet të jenë më të përgjegjshme për të bashkëqeverisur. “Ka nevojë për më shumë përgjegjshmëri në këtë bashkëqeverisje në sensin e raporteve dhe brenda koalicionit. Nuk më duket serioze që shumë gjëra të trajtohen nëpërmjet deklaratave, intervistave apo Facebook”, tha Xhafa.
21 gusht 2015 (gazeta-Shqip.com)