Kryetari i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Fatmir Xhafaj në përgjigje të akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha ka mbrojtur punën e ekspertëve të nivelit të lartë.
“Jam i nderuar që kam punuar me grupin e ekspertëve. Por nuk jam vetëm unë i nderuar, është edhe Komisioni i Venecias, edhe partnerët ndërkombëtarë. Ju harroni që ata ekspertë janë profesorë në këtë vend, që përgatisin brezat e ardhshëm të juristëve. Komisioni i Venecias i përgëzon anëtarët e komisionit ad hoc për punën në reformimin e gjyqësorit. Nuk ka vlerë ç’thotë Berisha, vlerë ka ç’thotë KV”, tha Xhafaj.
Sipas Xhafajt, problemi i opozitës është prokuroria speciale, Byroja e hetimit nga e cila sipas tij shumë njerëz brenda dhe jashtë sallës së kuvendit tremben për shkak të aferave korruptive ku janë përfshirë.
Xhafaj e ka cilësuar një gënjeshtër të madhe pretendimin e opozitës se gjykatësit dhe prokurorët do të emërohen nga ndërkombëtarët. Ata sipas deputetit të PS, roli i tyre nuk do të jetë vendimmarrës apo procedural.
14 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)