Shteti siguron 6 mijë metra katrorë për ndërtimin e objektit të kultit në qendër të Tiranës


Sugjerimet vijnë nga Komuniteti Mysliman, përgjegjëse studio “Hassa”


Bashkia e Tiranës, për gjashtë muaj me radhë, ka negociuar me pronarët në zonën e Namazgjasë për ndërtimin e xhamisë së re.


Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, me rastin e Kurban Bajramit, pas vizitës së tij në Komunitetin Mysliman, ka deklaruar se xhamia e re do të mund të ndërtohet shumë shpejt dhe javën e ardhshme është parashikuar të nisë puna për diskutimin mbi projektin fillestar. Kreu i bashkisë ka deklaruar se pas faljes nga shteti shqiptar të 3 mijë metrave katrorë për komunitetin është arritur të sigurohet një tjetër sipërfaqe 3 mijë metra për llogari të Komunitetit Mysliman, pas një marrëveshje me pronarët.


Javën e ardhshme pritet që të mbërrijnë në Tiranë edhe idetë e para për xhaminë e re, e cila po projektohet sipas sugjerimit të Komunitetit Mysliman, nga studio “Hassa”, me kryearkitekt Muharrem Senalp. Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara, në shumë vende të botës, si në Tokio (e cila në 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj), në Berlin dhe Këln, Gjermani.


Xhamia e re


Kryebashkiaku Lulzim Basha ka përcjellë në këtë festë të madhe për besimtarët myslimanë, edhe lajmin e zgjidhjes së çështjes së pronësisë në zonën e Namazgjasë, ku do të ndërtohet sipas dëshirës së Komunitetit Mysliman, Xhamia e Tiranës, e munguar prej dhjetëra vitesh.


“Me kënaqësi dua të ndaj me besimtarët myslimanë, lajmin se përfundimisht është zgjidhur çështja e pronësisë së terrenit ku do të ndërtohet xhamia. Pas faljes nga shteti shqiptar, të një sipërfaqeje toke prej 3 mijë metrash katrorë komunitetit dhe kombinimit me një tjetër sipërfaqe prej 3 mijë metrash, më në fund është arritur pas 6 muaj negociatash edhe një marrëveshje me pronarët privatë të truallit dhe në këtë mënyrë, i është hapur rruga ndërtimit të xhamisë së re”, u shpreh Basha.


“Ne presim që brenda javës së ardhshme, projektuesit të sjellin konceptet e para të projektit për Xhaminë, në mënyrë që të nisim sa më parë nga puna dhe t’i japim qytetit këtë institucion të munguar, këtë qendër të munguar për besimtarët myslimanë”, deklaroi kreu i bashkisë.


Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman kanë deklaruar se lidhur me çështjen e ndërtimit të xhamisë së re, është caktuar një grup i cili bën pjesë në komitetin e ngritur nga bashkia posaçërisht për këtë çështje. Lidhur me subjektet apo përfaqësuesit të cilët do të aplikojnë për projektin e xhamisë, është ende herët për të folur.


Urimet


Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka uruar dje besimtarët myslimanë dhe mbarë shqiptarët, me rastin e festës së Bajramit. Gjatë vizitës që ka zhvilluar në Komunitetin Mysliman shqiptar, Basha ka apeluar për më shumë solidaritet njerëzor.


“Uroj dhe shpresoj që kjo festë të jetë një moment reflektimi për të gjithë ne, në raport me solidaritetin që duhet të tregojmë brenda familjes dhe shoqërisë, por në veçanti uroj të jetë një reflektim për udhëheqësit politikë të vendit, që të shikojnë më shumë nga interesat e vendit dhe më pak nga interesat grupore apo partiake”. Lorina Mixha


 


Deklarata – Basha: Zgjidhet çështja pronësore për ndërtimin e xhamisë, javën tjetër propozohen idetë e para për projektin e xhamisë


Projekti – Komiteti i ngritur për çështjen e xhamisë pret që brenda javës së ardhshme, projektuesit të sjellin konceptet e para të projektit


Studio “Hassa” – Ka kryearkitekt Muharrem Senalp. Kjo studio ka projektuar xhami të ndërtuara në shumë vende të botës, si në Tokio, e cila në 2002 është shpallur një ndër ndërtesat më të mira të saj, në Berlin dhe Këln, Gjermani.


 


Bujar Nishani


Bashkëjetesa fetare, vlera që na fisnikëron si popull


“Festa e sotme është një pjesë integrale e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, ku me tolerancën dhe harmoninë ndërfetare që na karakterizon në shekuj, ne i përcjellim njëri-tjetrit urimet më të ngrohta e të ndjera për mbarësi, mirësi e begati në familje, në jetë”, tha Nishani. Sipas kreut të shtetit, ky është një tregues i përkushtimit për vlerat më të larta njerëzore, çfarë na fisnikëron si popull, promovon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në shoqëri, si dhe konsolidon përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme të ndritur, theksoi presidenti.


 


Sali Berisha


Gëzuar festën. Në 2013-n do të festojmë me fitore


Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka zgjedhur një tjetër mënyrë për të uruar besimtarët myslimanë. Ai u tha shqiptarëve që vitin tjetër, festën e Kurban Bajramit do ta festojnë me një fitore të Partisë Demokratike. “Gëzuar dhe uroj që Kurban Bajramin tjetër ta festojmë më gëzuar, me një fitore të re të merituar”, tha Berisha pas vizitës në Komunitetin Mysliman. Shefi i qeverisë, teksa uroi besimtarët myslimanë për festën, shprehu mirënjohje për krerët e besimeve fetare në vend, të cilët kanë ruajtur trashëgiminë e tolerancës fetare në Shqipëri.


 


Jozefina Topalli


Gëzuar Kurban Bajramin, festën e sakrificës dhe humanizmit


Selinë e Komunitetit Mysliman e vizitoi edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila u uroi besimtarëve myslimanë gëzuar Kurban Bajramin, duke e cilësuar atë si festën e humanizmit. “Duke pasur në thelbin e saj sakrificën dhe humanizmin, një urim i veçantë shkon te të gjithë ata shqiptarë që e deshën shumë këtë vend, që sakrifikuan këtë vend dhe që bën të mundur 100 vite përpara se vendi ynë të shpallej i pavarur dhe i lirë. Dhe në sajë të sakrificës së tyre, ne sot jemi të lirë, shqiptarët në të gjitha trojet”, tha Topalli.


 


Edi Rama


Gëzuar Kurban Bajramin! E nesërmja do jetë më e mirë


Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka shfrytëzuar këtë ditë për një mendim ndaj njerëzve në nevojë, duke u premtuar atyre se e nesërmja do jetë një ditë më e mirë për ta. “Ju uroj festën e Kurban Bajramit të gjithëve dhe veçanërisht njerëzve në nevojë. Të gjithë atyre që janë në fund të muajit dhe nuk ndihen mirë se s’kanë të ardhura të mjaftueshme”, tha Rama. Kreu i PS uroi të gjithë ata, që sipas tij, kanë nevojë për dritë, shpresë dhe për kurajë. “Uroj me gjithë zemër që nesër të jetë më mirë dhe padyshim do të jetë”, premtoi Rama.


 


Lulzim Basha


Kjo ditë, reflektim për udhëheqësit politikë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, uroi të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Pjesë e urimit të tij për këtë ditë që e cilësoi si një ditë reflektimi, ishte dhe dhënia e lajmit se tashmë rruga është e hapur për ndërtimin e xhamisë së re të kryeqytetit. “Kjo është një ditë reflektimi për të gjithë njerëzit. Në veçanti, reflektim për udhëheqësit politikë të vendit që të shohin më shumë për interesat e vendit dhe më pak ato grupore apo partiake”, apeloi Basha.


 


PDIU


Në 100-vjetorin e pavarësisë, qoftë i bekuar populli shqiptar


Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka uruar dje të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit. “Me anë të kësaj feste na shfaqet mëshira dhe dashuria e Zotit për njerëzimin. Në këtë 100-vjetor të pavarësisë, qoftë i bekuar mbarë kombi shqiptar kudo që ndodhet dhe çdo shqiptar pastë në familjen e tij paqe dhe lumturi, simbole këto të ditëve të shenjta. Kjo ditë është dita e paqes dhe e mirëkuptimit për të gjithë besimtarët. Kurban-Bajrami simbolizon ditën e faljes dhe të bashkëpunimit”, thuhet në mesazhin e PDIU-së.