Rama takon sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së dhe Presidentin austriak
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, Lamberto Zannier, ka deklaruar dje nga Vjena, pas takimit me liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama, se KQZ-ja duhet të jetë e plotësuar dhe të plotësojë të gjithë spektrin. Pas takimit me Ramën, Zanier tha: “Kam përfunduar një takim produktiv me Edi Ramën, kreun e Partisë Socialiste në Shqipëri, ku diskutuam për një sërë çështjesh, përfshi rolin e Shqipërisë në OSBE, zhvillimet në Europën Juglindore dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Gjatë takimit, mora shënim në lidhje me pozicionin e Ramës dhe dëgjova me vëmendje shqetësimet e tij në lidhje me zhvillimet e fundit sa u përket zgjedhjeve parlamentare dhe më specifikisht për rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Zannier. Kreu i OSBE-së, ashtu si ndërkombëtarët e tjerë, bëri thirrje për plotësimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në mënyrë kuptimplotë. “Shpresoj se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të kontribuojnë për të zhvilluar një ndërveprim konstruktiv mes forcave politike në Shqipëri dhe për forcimin e qeverisjes demokratike. Doja të theksoja se pres që të gjithë palët të kontribuojnë për t’i dhënë shkallën e duhur të legjitimitetit dhe besueshmërisë procesit zgjedhor, duke nisur nga sigurimi i një anëtarësie të plotë dhe kuptimplotë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Besoj se Kodi Zgjedhor, i amenduar në vitin 2012, ofron një bazë solide për mbajtjen e zgjedhjeve të mira”, tha Zannier. Kreu i opozitës, Edi Rama, nuk ka preferuar të humbë kohë për sa i përket vijimit të përpjekjeve për të bërë të mundur rikompozimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Menjëherë sapo ka mbyllur marrëveshjet me forcat politike të koalicionit parazgjedhor, ka fluturuar në kryeqendrën e OSBE-së, institucionit që ka përfaqësi në Shqipëri dhe një rol kyç në procesin para dhe pas zgjedhor. Ai zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të këtij institucioni, Lamberto Zannier. Informacionin për këtë takim, Rama e ndau në rrjetet sociale, duke theksuar faktin se në qendër të këtij takimi ishte situata në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. “Drekë pune në Vjenë me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zannier. Zgjedhjet si provë për Shqipërinë dhe kriza e KQZ-së objekt i bisedës së frytshme”, theksoi Rama. Kreu i opozitës është takuar dje në Vjenë edhe me Presidentin e Austrisë, Heinz Fischer. Në këtë takim, Presidenti i Austrisë dhe lideri i opozitës, Edi Rama, kanë ndarë mendime lidhur me situatën politike parazgjedhore në Shqipëri. Në këtë bisedë, vëmendja është përqendruar te klima parazgjedhore në vend dhe çështja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Presidenti i Republikës së Austrisë u shpreh mbi domosdoshmërinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Një tjetër çështje e bisedës mes kryetarit të Partisë Socialiste, Rama, dhe Presidenti i Austrisë, Fischer, ishte edhe arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe dialogu i vendosur mes dy shteteve. Nga të dy bashkëbiseduesit arritja e marrëveshjes u vlerësua fort, si një faktor stabiliteti në Rajonin e Ballkanit.