24 maj: Afati për arritjen e një kompromisi është data 24 maj. Ai është caktuar nga ndërkombëtarët, që duan reformë para votimit presidencial


7 anëtarë: PS-ja dhe PD-ja bien dakord që KQZ-ja të ketë 7 anëtarë, por ndahen për mënyrën e përzgjedhjes së kryetarit, nga emrat e institucioneve apo Kuvendi


2015: PD-ja propozon që numërimi elektronik i votave të fillojë në shkallë kombëtare në vitin 2015. Fillimisht do të nisë me një projektpilot në 10% të QV-ve


2 herë: Mandati i Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore është shtyrë dy herë nga Kuvendi, por palët s’kanë gjetur konsensus


PD: Numërimi elektronik në vitin 2015. Edhe PS jep “OK”-in


BLEDAR HOTI


Zbardhet drafti që ndau demokratët dhe socialistët për çështjet e reformës zgjedhore. KQZ-ja, ankimimet, numërimi elektronik janë disa nga çështjet e mbetura pezull. Në mbledhjen e dy ditëve më parë, demokratët dhe socialistët nuk kanë miratuar një raport të posaçëm “Për punën dhe konkluzionet e Komisionit të posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore”. Raporti ishte hartuar nga sekretari i komisionit, demokrati Viktor Gumi, por që nuk është firmosur nga dy bashkëkryetarët Rusmali dhe Gjiknuri, pasi nuk kishte konsensus. Palët duket se kanë rënë në konsensus paraprak për të mos zbatuar numërimin elektronik në të gjithë vendin, por pjesërisht.


Formula e KQZ-së


Partia Demokratike ka propozuar që mandati i anëtarëve të KQZ-së të jetë 6-vjeçar dhe me të drejtë rizgjedhjeje. Ndërsa PS-ja ka kërkuar që ai të jetë 4-vjeçar, po me të drejtë rizgjedhjeje. Anëtarin e shtatë, PD-ja propozon skemën që e zgjedh Parlamenti. “Anëtari i shtatë dhe njëkohësisht kryetari i KQZ-së, zgjidhet jo më vonë se 7 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve sipas nenit 14 të Kodit sipas procedurës së mëposhtme: a) grupi parlamentar i partisë më të madhe të shumicës parlamentare i paraqet Kuvendit një listë prej jo më pak se 4 kandidaturash. Në këtë nuk mund të përfshihen kandidaturat e propozuara sipas shkronjës ‘a’ të pikës 1 të nenit 14 të këtij Kodi; b) grupi parlamentar i partisë më të madhe të opozitës parlamentare përzgjedh dy nga kandidaturat e propozuara sipas shkronjës ‘a’ të këtij neni. Kandidaturat e përzgjedhura i kalojnë për votim Kuvendit; c) kryetari zgjidhet kandidati që merr me shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit”, është propozimi i mazhorancës, i pandryshuar me atë të 5 viteve më parë. Pra, sipas këtij formulimi, kryetari i KQZ-së i takon PD-së. Ndërsa PS-ja jep dy alternativa që “kryetari të propozohet ngaa: Dhoma Kombëtare e Avokatëve, Avokati i Popullit, kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë i paraqesin Kuvendit të paktën dy kandidatë”. Në rast se nga konsultimet nuk arrihet të përzgjidhen dy kandidatë, secili kandidat përzgjidhet respektivisht nga grupi më i madh parlamentar i shumicës dhe grupi parlamentar më i madh i opozitës, si dhe një kandidat nga partitë e tjera parlamentare në mënyrë kolegjiale, të cilat i kalojnë Kuvendit për votim. Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit. Nëse janë paraqitur më shumë se dy kandidatë dhe asnjë kandidat nuk ka marrë shumicën e votave të kërkuara, zhvillohet një votim i dytë mes kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.


Numërimi elektronik


Partia Demokratike ndërkohë pas disa vërejtjesh të ODIHR-it është tërhequr nga numërimi elektronik në të gjithë Shqipërinë. Në raportin final, PD-ja propozon një projekt të sajin, që numërimi elektronik të realizohet në 10 për qind të QV-ve. Vendimi që duhet të merret me një shumicë të cilësuar të votave duhet të përcaktojë “planin e veprimit të detajuar dhe afate rigorozisht të përcaktuara”. “Në çdo rast përdorimi i teknologjive të reja në identifikimin e zgjedhësve, votimin dhe nxjerrjen e rezultatit zgjedhor fillon jo më pak se 10 për qind e qendrave të votimit ose sipas rastit të votave, dhe shtrihet në të gjithë territorin e republikës, jo më herët se në 3 vjet nga fillimi i zbatimit të këtij plani”, thuhet në pikën 3 të nenit 21/1 të amendamentit të PD-së. Mbi bazën e kësaj llogaritjeje i bie që numërimi elektronik të aplikohet në Shqipëri në vitin 2015, ose sipas përllogaritjeve normale në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndërsa pezull ka mbetur siç duket edhe çështja e vlerësimit të fletëve të gabuara në kutinë e gabuar. Ndërsa një nen i posaçëm është shpallja e rezultatit, ku në mungesë të numërimit elektronik, tabela përmbledhëse e votave për çdo KZAZ duhet të kryhet një ditë pas votimit, në ora 17.00. Ndërsa rezultatet e çdo KZAZ-je, KQZ-ja duhet t’i shpallë 48 orë pas mbërritjes zyrtarisht të tyre.


 


Qëndrimi


Përfaqësuesi i opozitës: Jemi për zbatimin e rekomandimeve


Gjiknuri: Nuk tërhiqemi nga depolitizimi i komisionit


Bashkëkryetari socialist i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore deklaron se partia kryesore e opozitës nuk do të tërhiqet nga KQZ-ja. Sipas tij, formula e KQZ-së është në krye të listës së mosmarrëveshjeve mes PD-së dhe PS-së. “Partia Demokratike vazhdon t’i qëndrojë të njëjtës skemë të KQZ-së, duke thënë që ne nuk pranojmë asnjë formulë tjetër, por duam të mbajmë këtë skemë që paska qenë konsensuale në vitin 2008. Në fakt kemi një rekomandim prioritar për ta ndryshuar skemën. Kjo për ne është e papranueshme, pasi KQZ-ja ka qenë epiqendra e problemit dhe jo më kot është vënë si rekomandim prioritar. Kështu që çështja e reformës zgjedhore dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Janë çështje kyçe”, thotë për “AS TV”, Gjiknuri. Bashkëkryetari socialist shprehet në të njëjtën kohë se “Partia Demokratike ka hequr dorë nga numërimi elektronik, edhe pse kishim rënë dakord. Megjithatë ne për t’i hapur rrugë problemit kemi dhënë një konsensus që hajde të mendojmë ta shtrijmë atë në mënyrë pjesore. Njëkohësisht për të mbajtur parimin e përdorimit të identifikimit në qendër votimi si një teknologji që është e vlefshme, janë pajisje që ekzistojnë në treg, nuk po bëjmë ndonjë shpikje”. Afati i Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore mbaroi më 15 maj dhe pritet që çështjet të debatohen në një nivel politik. Për sa i përket mundësisë së shtyrjes së afatit të komisionit me një vendim Kuvendi, socialistët u shprehën kundër një ideje të tillë, duke bërë të qartë se tashmë zgjidhja ka mbetur vetëm në një nivel politik të lartë.