Vrasja, që për nga mënyra e ekzekutimit ishte tipike mafioze e ish-politi Santiago Malko nuk ka për të mbetur pa autor si shumë të tjera të këtij lloji në Shqipëri. Hetimet janë në rrugë të mbarë dhe dëshmia e të arrestuarit të parë për këtë krim ka dhënë informacione të mjaftueshme për të bërë gati pranga të tjera.

Sikurse është thënë dhe deklaruar deri më tani nga Policia dhe Prokuroria, për këtë vrasje ka pasur shumë prova që janë siguruar më së shumti jo vetëm në vendin e ngjarjes, por edhe nga shumë kamera sigurie, një element ky që u ka shpëtuar ekzekutorëve.

Skenari i ngjashëm me filmat mafiozë italianë ka qenë tejet i organizuar dhe me lëvizje të kontrolluara më së miri, çka sipas hetuesve përforcon faktin se vrasësit nuk kanë qenë thjesht të paguar, por profesionistë dhe me njohje të mirë të krimeve të këtij lloji.

Bëhet fjalë për 7 persona që njihen në Tiranë si klani "Duka" të përfshirë në këtë krim, të cilët udhëtonin me makina të ndryshme, por njëra prej tyre, ajo që edhe u gjet e djegur ka qenë në çdo sekondë në gjurmë të viktimës Malko, që ishte duke u kthyer në shtëpinë e tij, para se të ekzekutohej.

Një tjetër provë për Policinë përveç kamerave kanë qenë edhe numrat telefonikë, me të cilët ka komunikuar Malko jo vetëm ditën e vrasjes, por edhe më parë.

Hija e këtij grupi kriminal që ka dalë rishtazi në Tiranë dhe që po fiton ndjeshëm terren në raport me grupet e vjetra në kryeqytet, duket se qëndron pas vrasjes së ish-efektivit të policisë Santiago Malko. Ky i fundit u qëllua me mbi 10 plumba teksa po lëvizte me automjetin e tij "BMËX5".

Prokuroria dhe policia e Tiranës gjatë kësaj kohe kanë mbledhur prova që të krijojnë bindjen se disa prej anëtarëve të këtij grupi, kanë marë pjesë në vrasjen e Santiago Malkos.

Momentalisht në burg për këtë ngjarje të rëndë është vetëm Blendi Teta, i cili është arrestuar për akuzën e "Kryerjen e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës". Pritet që në ditët në vijim hetimi i kësaj çështje të finalizohet dhe me arrestime të tjera të personave që kanë marrë pjesë në këtë vrasje.

©Copyright Gazeta SHQIP