Policia – U arrestuan 6 persona për tentativë vrasjeje në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtje pa leje mbas konfrontimesh me policinë


Prona – Konflikti midis autorëve dhe të plagosurve ka ndodhur mbas disa mosmarrëveshjeve për shkaqe pronësie mes Xhillarit dhe Cenës


Debatet – Fillimisht kanë debatuar dhe më pas kanë filluar sharjet. Situata është agravuar dhe disa persona kanë nxjerrë pistoletat e kanë qëlluar


Katër të plagosur dhe 50 policë për arrestimet


Policia e Vlorës ka zbardhur konfliktin e disa ndërtuesve me njëri-tjetrin. Katër persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, ndërsa në pranga kanë përfunduar gjashtë shtetas, të gjithë biznesmenë ndërtimesh. Burime zyrtare nga policia pohojnë se midis të arrestuarve është edhe biznesmeni Alban Xhillari, i cili ka pasur një konflikt pronësie me shtetasin Krenar Cena.


 


Plagosja


Burime zyrtare nga policia pohojnë se “rreth orës 20:00 në sallën operative të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë është marrë njoftim se në lagjen ‘Pavarësia’ ka pasur një konflikt i cili është shoqëruar me të shtëna armësh dhe se janë plagosur disa persona. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar të gjitha shërbimet e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë dhe janë në ndjekje të autorëve të cilët janë larguar me dy automjete. Brenda një kohe shumë të shkurtër është bërë identifikimi i automjeteve me të cilat u larguan autorët dhe falë një pune të mirorganizuar, në km e 6-të të autostradës Levan-Tepelenë është kapur një prej automjeteve tip “Ford” model amerikan me 4 persona, dhe po në autostradën Levan – Tepelenë, në hyrje të qytetit të Tepelenës, mbas një ndjekjeje të gjatë dhe të pandërprerë nga shërbimet e policisë mbas disa përplasjesh të automjeteve të policisë me ato të autorëve, dhe disa tentativash për t’u larguar është kapur edhe automjeti tjetër tip BMW X6, me 2 shtetas të tjerë që ndodheshin brenda saj, si dhe një armë zjarri tip pistoletë, e cila dyshohet të jetë një prej armëve e krimit”, pohojnë burimet nga policia lokale e Vlorës. Sipas saj, është bërë neutralizimi i këtyre shtetasve dhe shoqërimi i tyre për në ambientet e drejtorisë. “Nga hetimet e kryera në lidhje me këtë ngjarje ka rezultuar se shtetasit Alban Xhillari, 42 vjeç, në bashkëpunim me shtetasit Edmond Berisha, 36 vjeç, Gentian Kola, 32 vjeç, Artan Kola, 38 vjeç, Ardian Rexhepi, 31 vjeç, dhe Panajot Zoto, 46 vjeç kanë plagosur pas një konflikti shtetasit Krenar Cena, 47 vjeç, Hiqmet Çobaj, 46 vjeç, Përparim Molla, 40 vjeç dhe Qemal Dedja, 43 vjeç.


 


Konflikti


Nga hetimet paraprake ka rezultuar se konflikti midis këtyre shtetasve ka ndodhur mbas disa mosmarrëveshjeve për shkaqe pronësie midis shtetasit Alban Xhillari dhe shtetasit Krenar Cena, të cilët kanë qenë në marrëdhënie tregtie në fushën e ndërtimit me njëri-tjetrin. Burimet e policisë pohojnë se konflikti ka qenë për një shesh ndërtimi në afërsi të stadiumit “Flamurtari”. Fillimisht, Xhillari dhe Cena kanë qenë bashkëpronarë dhe kohët e fundit kanë pasur mosmarrëveshje. Krenari ka kërkuar prishjen e kësaj marrëveshjeje dhe ka kontaktuar në telefon me Alban Xhillarin. Sipas policisë, konflikti ka qenë verbal, pra në telefon, ku të dy kanë debatuar dhe sharë njëri-tjetrin. Situata është agravuar dhe të dy kanë kërkuar ballafaqim, ndoshta për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Policia pohon se në momentin që kanë komunikuar në telefon, Xhillari ka qenë në Tiranë, ndërsa Krenar Cena në Vlorë. Albani është nisur nga Tirana me pesë persona të tjerë, të ndarë në dy automjete, për të zgjidhur konfliktin. Ata janë takuar në një lokal në Vlorë dhe tonet kanë qenë të larta. Fillimisht kanë debatuar dhe më pas kanë filluar sharjet mes njëri-tjetrin. Sërish situata është nxehur dhe disa persona kanë nxjerrë pistoletat dhe kanë qëlluar grupin e Krenar Cenës. Bashkëshoqëruesit e biznesmenit Alban Xhillari, sipas policisë, kanë pasur katër pistoleta me vete, nisur edhe nga gëzhojat që janë gjetur në vendngjarje, ndërsa është sekuestruar vetëm një e tillë. Burimet zyrtare konfirmojnë se të plagosurit kanë plagë në këmbë dhe kofshë çka ka vërtetuar se autorët kanë dashur vetëm të frikësojnë kundërshtarët.


 


Ndjekja policore


Krahas zbardhjes së konfliktit, policia pohon se ka angazhuar rreth 50 efektivë për arrestimin e gjashtë personave. “Ju bëj me dije se në këtë operacion policor kanë marrë pjesë 50 forca të policisë dhe kapja e autorëve është bërë e mundur falë një pune të gjatë të pandërprerë dhe të guximshme nga ana e efektivave të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë, e cila saktëson se pas plagosjes autorët janë ndarë në dy automjete, të tipit fuoristradë dhe shumë të shpejta. Pas ndjekjes policore, një automjet është kapur në rrugën Levan-Tepelenë, e sapoinauguruar nga Kryeministri Berisha, ndërsa automjeti tjetër ka çarë disa postblloqe, madje është përplasur me automjetet e policisë dhe është neutralizuar në hyrje të qytetit të Tepelenës.


 


 


Të ndaluar


1. Alban Robert Xhillari, vjeç 42


2. Edmond Idriz Berisha, vjeç 36


3. Gentian Ymer Kola, vjeç 32


4. Artan Imer Kola, vjeç 38


5. Ardian Ramis Rexhepi, vjeç 31, banues në Tiranë


6. Panajot Filip Zoto, vjeç 46, banues në Vlorë


 


Të plagosur


1. Krenar Osmën Cena, vjeç 47, banues në Vlorë


2. Hiqmet Agim Çobaj, vjeç, 46 banues në Vlorë


3. Përparim Ramis  Molla, vjeç 40 banues në Tiranë


4. Qemal Allaman Dedja, vjeç 43 banues në Tiranë


 


 


Vëzhgimi


Gjashtë të arrestuarit, pronarë firmash ndërtimi dhe lokalesh


Autorët e dyshuar të plagosjes së katër personave dy net më parë në qytetin e Vlorës janë të gjithë biznesmenë. Sipas të dhënave nga policia mësohet se Alban Xhillari është pronar i një firme ndërtimi e cila ushtron aktivitetin në qytetet kryesore në Shqipëri. Ky person është akuzuar për mbivendosje pronash në bregdet, për të cilën fitoi pafajësi. Ndërkohë, i arrestuari i dytë, Edmond Berisha është pronar i një lokali në Tiranë, ndërsa Gentian Kola ka një firmë minerare dhe ka licencë për tregtimin e lëndëve plasëse. Sipas policisë, Artan Kola ka një firmë ndërtimi, ndërsa Ardian Rexhepi ka regjistruar në QKR një aktivitet tregtar në qytetin e Elbasanit. Personi i fundit i arrestuar nga policia, Panajot Zoto është nga qyteti i Vlorës dhe ka në pronësi një bar restorant në Radhimë.