Pozicioni – Edhe pse sipërfaqja në pronësi të familjes Jenisheri nuk ka ndryshuar, ka ndryshuar pozicioni gjeografik i kësaj prone
Sipërfaqja – Ka kaluar në pronësi kësaj familjeje një sipërfaqe e cila është ranishte që shkon deri në kufijtë ujorë të detit
Fshatrat – Në këto harta, fshatrat Rreth-Greth dhe Bashtovë ndodhen rreth 1.5 kilometra larg në vijë ajrore nga njëri-tjetri
Shitja – Pronat e kthyera nga AKKP-ja janë regjistruar në Kavajë. Një pronë 11 885 m² është shitur me çmim 140 lekë m²
Dosja
Akuzë ish-kreut të AKKP-së Tiranë, regjistroi rërën dhe ujin e detit si “arë”
Sokol Çobo
Ish-drejtori i AKKP-së së Tiranës, Bledar Dervishaj, ka regjistruar në favor të një familje rërën dhe ujin e detit si tokë “arë”. Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për spostimin e pronës prej 47 dynymësh në plazhin e Spillesë, në Kavajë, duke vënë në akuzë krahas Dervishajt edhe topografët Merita Gjinali dhe Dhimitër Papën si dhe juristin Altin Ceni. Hetimet kanë përcaktuar se çmimi i shitjes së kësaj prone ishte qesharak, 140 lekë metri katror, çka vërteton se i gjithë ky proces i regjistrimit të kësaj prone ka qenë me “urdhër”. Megjithatë, njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës pohon se zyrtarët dhe ish-zyrtarët e AKKP-së, duke shfrytëzuar pozitën zyrtare, kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme një pronë shtetërore, në favor të shtetasve Fejzilete Spahiu e Minerva Jenisheri, përfaqësuar me prokurë nga avokati Agim Hoxha. Gazeta “Shqip” ka siguruar dosjen e prokurorisë, ku detajohet i gjithë procesi i spostimit të pronës, që është shumë e dëshiruar për ndërtime.
Hetimet e prokurorisë
Nga hetimet ka rezultuar se, edhe pse sipërfaqja në pronësi të familjes Jenisheri nuk ka ndryshuar, ka ndryshuar pozicioni gjeografik i pronës. Në pronësi kësaj familjeje ka kaluar një sipërfaqe e cila është ranishte që shkon deri në kufijtë ujorë të detit dhe që nuk ka përputhje me kufijtë para shpronësimit. “Ky fakt është provuar nga akt-ekspertimi topografik, sipas të cilit rezulton se, prona e përfituar nga familja Jenisheri jo vetëm është spostuar nga fshati Greth Kavajë, në fshatin Vilë-Bashtovë, por sipërfaqja e përfituar është e gjitha me zërin kadastral ranishte, pasi edhe pse sipërfaqja që është në pronësi të familjes Jenisheri nuk ka ndryshuar, ka ndryshuar pozicioni gjeografik i kësaj prone, duke i kaluar në pronësi kësaj familjeje një sipërfaqe e cila është ranishte dhe ujë deti” thuhet në dosjen e prokurorisë. Grupi hetimor ka verifikuar edhe hartat në të cilat rezulton se fshatrat (Katundet) Rreth-Greth dhe Bashtovë (ose Shelk-Bashtovë) ndodhen rreth 1.5 kilometra larg në vijë ajrore nga njëri-tjetri. “Pra zyrtarët e ZRKKP-së të Qarkut të Tiranës dhe AKKP-së kanë qenë në dijeni të faktit se po privatizojnë sipërfaqe ranishte me pronar shtetin dhe se kjo pasuri ndodhet jashtë dhe larg territorit në të cilin është pasuria e pretenduar nga familja Jenisheri, veprime që bien në kundërshtim me ligjin dhe që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, i kanë sjellë përfitime të padrejta, familjes së shpronësuar Jenisheri, në dëm të interesave të ligjshme të shtetit”, pohon akuza.
Harta e viteve 1937-1978
Prokuroria ka verifikuar edhe hartat e viteve 1937, 1947, 1959 dhe 1978, ku rezulton se regjimi juridik i tokës ku janë vendosur pronat e kthyera ish-pronarit Jenisheri është “ranishte”. Këto pasuri në harta paraqiten në formën e dunave të rërës dhe janë vendosur në Spille, në zonën midis ujit të detit dhe kufirit perëndimor të tokave bujqësore, kurse në Vilë-Bashtovë janë vendosur në brezin ranor ose zona midis ujit të detit dhe tokës moçalore.
Deklarimet e Dervishajt
Ish-drejtori i Zyrës Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Qarku i Tiranës, Bledar Dervishaj, ka pohuar në prokurori se e ka mbajtur këtë post nga data 13 qershor 2008 deri më datë 22 dhjetor 2008. Ai ka konfirmuar se sipërfaqja e pronës me pronarë trashëgimtarët e subjektit të shpronësuar Jenisheri ndodhur në fshatin Spille, komuna Kryevidh, ndodhet brenda zonës turistike bregdetare dhe është në proces ristudimi urbanistik nga KRRT-ja, gjithashtu pasuria e pretenduar në pjesën më të madhe të saj ishte e zënë nga zbatimi i ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën” dhe pjesërisht e lirë e pandarë në zërin kadastral “pa frut”. “Përfundimisht për sa i përket ndryshimit të zërit kadastral të pronës së pretenduar të familjes Jenisheri është detaj teknik që lidhet me pozicionimin e pronës dhe nuk është detyra ime funksionale”, ka pohuar Dervishaj.
Përgjegjësia penale
Megjithatë, akuza ka saktësuar se Dervishaj në cilësinë e Drejtorit ZRKKP të Qarkut të Tiranës i kishte të gjitha mundësitë të kuptonte që toka që po i kthehej familjes Jenisheri nuk është në fshatin Greth, por në Vilë-Bashtovë. “Të gjitha institucionet kompetente kanë përshkruar se bëhet fjalë për një pronë që bie mbi zë kadastral ‘ranishte’ që do të thotë se prona bie në bregun e detit dhe me gjithë këto fakte nga drejtori është trajtuar si tokë are dhe pyll, duke marrë parasysh një procesverbal verifikimi që thotë se kishte bimësi të ulët, ky fakt tregon që veprimet e tij në kundërshtim me ligjin janë bërë me dashje direkte”, pohon akuza.
Të pandehurit
Bledar Dervishaj, ish-drejtor i AKKP-së Tiranë
Ali Aliu, ish-përgjegjës i sektorit të shqyrtimeve në AKKP Tiranë
Altin Ceni, ish-jurist pranë AKKP-së
Merita Gjinali, topograf
Dhimitër Papa, topograf
Nuri Myrtezaj, inspektor i tatim-taksave në Gosë të Kavajës