Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Vendimi i Këshillit Bashkiak “Për miratimin e shembjes së godinës të Teatrit Kombëtar, pasuri në pronësi të bashkisë Tiranë, bazuar në akt-ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së teatrit Kombëtar” mban datën 14 maj. Dhe në të thuhet se me propozimin e Kryetarit të Bashkisë, Këshilli Bashkiak vendosi miratimin e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar.


Mbledhja e Këshillit bashkiak mësohet se është zhvilluar online, në ora 13:00 dhe në këtë është miratuar vendimi për t’i hapur rrugë ndërtimit të Teatrit të ri, duke votuar pro shembjes.


Bashkia, thuhet në vendim merr të gjitha masat për nisjen dhe ndjekjen e procedurës së ndërtimit të godinës bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar. Dokumenti mban në fund firmën e kryetarit të Këshillit Bashkiak Toni Gogu.


Akt-ekspertimi i bërë në vitin 2018 nga Instituti i Ndërtimit vlerëson se kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nga ana statike nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve dhe se janë jashtë normave të projektimit e shfrytëzimit të godinës.


Ekspertët, të cilëve u është referuar Këshilli Bashkiak kanë sqaruar se riparimi i objektit në 90 për qind të tij dhe sjellja e godinës në kushtet teknike të sotme përbën vështirësi dhe se kërkon një kosto shumë të madhe. Ata sugjerojnë shembjen e godinës, pasi sipas tyre është jashtë normave të projektimit, duke rrezikuar deri jetën dhe shëndetin e njerëzve.


Në vendimin me numër 50 të datës 14 maj 2020 bien në sy 10 pika, ku e para është prishja e godinës e pasuar me institucionet që kanë të drejtën e marrjes së masave dhe ndërhyrjen për shembjen.


Në pikën 5 të vendimit ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme Juridike, Aseteve dhe Licensimit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Menaxhimit Financiar të marrin masat përkatëse për inventarizimin financiar.


Një kopje e vendimit, sipas pikës 9 të vendimit të Këshillit Bashkiak i dërgohet Policisë së Tiranës dhe Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Pas ndërprerjes së negociatave me privatët, Bashkia do të marrë një kredi nën garancinë e qeverisë, për realizimin e projektit të ri.