
Renato Milloshi (majtas) dhe Jani Alia
Policia e Tiranës ka zbuluar dhe identifikuar autorët e dyshuar të vrasjes së 36-vjeçarit Elton Çiço pak javë më parë në një lokal mes stadiumit “Selman Stërmasi” dhe shkollës 9-vjeçare “Emin Duraku”.
Kreu i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, në një deklaratë për shtyp, ka treguar emrat e autorëve të dyshuar, që sipas tij janë: Jani Naim Alia, 39 vjeç, lindur e banues në Tepelenë dhe Renato Hysni Milloshi, 36 vjeç, lindur në Berat e banues në Tiranë, të dy me precedentë penalë.

Jani Alia
Sipas Hodajt, janë mbledhur një sërë provash të vlefshme që kanë ndihmuar në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë. “Aktualisht janë arrestuar dy persona të tjerë që rezultojnë se kanë penguar të dhëna mbi të vërtetën. Ndërkohë që autorët e dyshuar janë me persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore”.
Policia e Tiranës i ka kërkuar ndihmë qytetarëve që nëse kanë informacion të vlefshëm mbi autorët e dyshuar të vrasjes së Çiços, të telefonojnë në polici në numrin 0694110299, dhe për çdo info do të shpërblehen me 5 milionë lekë të vjetra.
Ndërkohë, për Alian dhe Milloshin, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë në mungesë “arrest me burg”.

Renato Milloshi
Renato Milloshi, rezulton se është djali i Hysni Milloshit, ish-kryetait të Partisë Komuniste. Policia e Tiranës nuk dha informacion mbi arsyet e vrasjes së Çiçës, pasi konsiderohet ende një çështje në hetim.
Dyshimet mbi vrasjen e Çiços

Momenti i vrasjes së Elton Çiços
Elton Çiço, 36-vjeçari i ekzekutuar me dy plumba në kokë në 1 maj në kryeqytet, është djali i çiftit të të moshuarve Antoneta dhe Naim Çiço të dhunuar dhe grabitur më 31 mars të vitit 2015 në Tepelenë.
Mendohet se nga kjo ngjarje e kanë zanafillën disa ngjarje të tjera kriminale me synim hakmarrjen që ka përfunduar me dy të vrarë, një të gjymtuar rëndë dhe një sasi tritoli, fatmirësisht të pashpërthyer në një automjet.
Pas grabitjes së çiftit Çiço në Tepelenë, të cilët pasi u dhunuan, iu morën 5 mijë euro, policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasit S. J., 30 vjeç, banues në Durrës; A. J., 37 vjeç, banues në Durrës dhe Ervis Imeri, banues në Tiranë dhe Robert Rama, banues në Tiranë.
Zinxhiri i ekzekutimeve
Në qershor të vitit 2015, në një lokal në zonën e ish-Kënetës ekzekutohet me armë zjarri shtetasi Robert Berisha, nga Bulqiza me banim në Tiranë. 31-vjeçari prej pak kohësh jetonte në një shtëpi me qira në këtë zonë.
Në korrik të vitit të shkuar, Ervis Imerit iu bë një atentat me eksploziv, por pa pasoja për jetën, pasi ai mundi të pikaste lëndën plasëse poshtë automjetit dhe të lajmëronte policinë.
Pak kohë më vonë, vëllait të Ervis Imerit, Elton Imerit iu bë gjithashtu një atentat me eksploziv. Makina me të cilën Imeri, me profesion ushtarak, ishte duke shkuar në punë shpërtheu në zonën e Kombinatit për shkak të një sasie tritoli të vendosur brenda saj. Si pasojë, Imeri u plagos rëndë dhe humbi njërën këmbë.
24 maj 2016 (gazeta-Shqip.com)