Dokumentimi


Banda drejtohej nga Ilir Kupa. Një nga pjesëtarët është vrarë, dje u kapën 4, ndërsa 2 të tjerë janë në kërkim


Grabitja e babagjysheve (2)Një vit pas grabitjes spektakolare në qendrën tregtare TEG në Tiranë, ku disa persona të maskuar si babagjysha grabitën një argjendari, prokuroria dhe policia zbulojnë bandën kriminale, të drejtuar nga Ilir Kupa. Ky i fundit është një nga shqiptarët e arratisur nga burgu i Trikallasë në Greqi, ndërsa i mbijetoi edhe ndjekjes policore greke, para se të kryente disa vepra penale në vendlindje. Ai krijoi me shpejtësi një bandë që merrej me grabitje, madje me armë, ndërsa u arrestua rastësisht nga një patrullë policie, të cilës nuk i qëndroi. Kupa është dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që gjatë kësaj kohe drejtësia greke ka këmbëngulur se, pasi të përfundojë dënimin në Shqipëri, të ekstradohej. Por, zhvillimet e fundit duket se do e mbajnë për një kohë të gjatë në burgjet shqiptare, pasi Kupa, me akuzat e grabitjeve me armë, vrasjeve, apo edhe krijimit të bandës së armatosur, rrezikon një dënim mbi 20 vjet burg. Megjithatë, burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se nga hetimet e deritanishme rezulton se kjo bandë ka kryer të paktën 9 grabitje me armë, ndërsa në disa raste ka hasur edhe rezistencën e pronarëve të argjendarive. Ndërkohë, një pjesëtar i bandës së Kupës është vrarë nga policia maqedonase, pas një grabitjeje në Dibër të Madhe.


 


Arrestimet


babagjyshet (2)Policia e Shtetit, me anën e një deklarate për shtyp, tha se hetimet për këtë grup kriminal kanë nisur para pak muajsh. Ndërkohë, që një rol të veçantë në hetime ka pasur edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, si dhe policitë në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër, Shkodër dhe Lezhë. Të gjitha këto institucione realizuan dje operacionin “babagjyshërit”, ndërsa arrestuan katër persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Në pranga ra Agusin Sula, 25 vjeç nga Durrësi, i dënuar më parë me 23 vjet burg për vjedhje me armë me pasojë plagosjen e dy personave në Durrës. Gjithashtu, Sula ka qenë i dënuar në Greqi për vjedhje me armë. I arrestuari i dytë është Hajdar Sefa (Xaka), 30 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për vepra penale ndaj jetës dhe shëndetit. Disa orë më vonë, policia tha se ka arrestuar edhe Julian Qerushajn, nga Borizana e Fushë-Krujës. Edhe ky person ka qenë i dënuar më parë për vjedhje.


 


Banda kriminale


babagjyshet (1)Drejtuesi i bandës është Ilir Kupa, 28 vjeç, nga Fushë-Kruja, i cili është i dënuar në Greqi, teksa ka kryer edhe një arratisje spektakolare nga burgu i Trikallasë, bashkë me disa persona të tjerë. Kupa është arrestuar më parë nga policia dhe aktualisht ndodhet në burg prej muajit janar të këtij viti. “Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kupa ka qenë edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal”, tha dje Altin Qato, zëvendësdrejtor i Policisë së Shtetit.


Ndërkohë, dy pjesëtarë të tjerë të kësaj bande janë shpallur në kërkim. Ata janë F.P, 28 vjeç, nga Tiranë i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë. Një tjetër në kërkim është edhe D.K, 36 vjeç, banues në Shkodër, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë si dhe S.K., 31 vjeç, banues në Kurbin.


 


Grabitja e TEG


Në 24 dhjetor të 2013, katër persona të maskuar si “babagjysha” kanë shfrytëzuar atmosferën e festave për të kryer një grabitje me armë zjarri në qendrën tregtare, ndërsa një i pestë i priste në automjet për t’u larguar me shpejtësi. Rreth orës 17:30 të 24 dhjetorit në një dyqan argjendarie në “TEG” në periferi të Tiranës, në një kohë kur edhe numri i qytetarëve në këtë qendër ishte i madh, duke krijuar panik tek ata, katër grabitësit kanë hyrë si babagjysha, duke luajtur me fëmijët në “TEG”, dhe për një moment kanë nxjerrë armët dhe i janë drejtuar një argjendarie në katin e parë të qendrës tregtare, në pronësi të shtetasit A.Sh. Njëri prej tyre ka nxjerrë një grua bashkë me një fëmijë 10 vjeç që ndodhej brenda argjendarisë dhe ka siguruar derën e saj, ndërsa tre të tjerët kanë zbrazur raftet me ora luksoze, si dhe objektet e florinjta dhe argjendta. Një kamera amatore ka filmuar se si tre babagjysha grabisnin brenda, ndërsa njëri ruante jashtë. Më pas ka hyrë dhe ky dhe prej argjendarisë kanë dalë tre babagjysha me çanta të mëdha në duar dhe i fundit, edhe më trupvogli, ka nxituar pa çantë në dorë. Punonjësit e sigurisë vetëm sa kanë mbajtur klientët e shumtë të qendrës tregtare të ditëve të festave dhe në asnjë moment nuk kanë ndërhyrë, duke mos rrezikuar ndonjë gjakderdhje. Grabitësit kanë zbritur te vendparkimi i makinës, ku i priste bashkëpunëtori dhe me automjetin tip “Benz” me targa AA147 FY, janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes në drejtim të Lanabregasit, duke përfituar edhe nga errësira. Pas disa minutash, automjeti është gjetur nga policia i braktisur dhe duke u djegur, në zonën e Surrelit, ndërsa autorët dyshohet të jenë larguar në këmbë.


 


[callout]Policia


Si u vra një anëtar i bandës në Dibër të Madhe në Maqedoni


Një nga pjesëtarët e kësaj bande A.T., është vrarë në muajin korrik 2014 në Dibër të Madhe gjatë grabitjes me armë të dy argjendarive. Ai u gjet i pajetë në një mjet të braktisur nga personat e tjerë në afërsi të kufirit shqiptar, në Miresh. Trupi i 35-vjeçarit nga qyteti i Elbasanit u gjet i shtrirë në sediljen e pasme të makinës tip “Range Rover” me targa angleze. Personi i gjetur në “Livadhet e Mireshit” ishte njëri nga pjesëtarët e bandës së grabitësve të argjendarisë “Erebara” në Dibër të Madhe, ngjarje kjo e ndodhur më 29 korrik 2014. Në atë kohë, policia maqedonase shkëmbeu informacione me Policinë Shqiptare, pasi u hodhën dyshime të forta se personat që sulmuan dhe grabitën argjendarinë në qendër të Dibrës së Madhe ishin “babagjyshat” e grabitjes së TEG-ut në fundvitin 2013 në kryeqytet. Grabitësit, pasi realizuan rrëmbimin e 18 kg flori në Dibër, arritën të marrin të plagosurin Elezi dhe të largohen në drejtim të Shqipërisë. Por bllokimi i kufirit nga policia dhe ushtria e Shqipërisë dhe e Maqedonisë bëri që grabitësit të braktisin mjetin dhe shokun e tyre, tashmë të vdekur.[/callout]


 


Krimet e bandës


1. Në datë 28.09.2013, rreth orës 19:10, në qytetin e Kuçovës, kanë vjedhur me armë, dyqanin-argjendari, në pronësi të shtetasit A.B.


2. Në datë 05.11.2013 rreth orës 14:30 në qendër të qytetit të Laçit, në kompleksin “Romina”, kanë vjedhur me armë argjendarinë dhe kanë plagosur pronarin e saj shtetasin S.R.


3. Në datë 25.11.2013 rreth orës 13:45, në qytetin e Fushë-Krujës, kanë vjedhur me armë “Argjendari Gjino” në pronësi të shtetases P.B.


4. Në datë 18.12.2014 në Fushë-Prezë kanë vjedhur me armë automjetin në pronësi të shtetasit SH.K., duke e plagosur rëndë atë.


5. Në datë 25.09.2013, në ora 19:30, në fshatin Fushë-Milot te kryqëzimi i “Kosovës”, kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.S.


6. Vjedhjen e një mjeti tip “Audi” në Fushë-Milot.


7. Në datë 24.12.2013 rreth orës 17:30 kanë vjedhur me armë argjendari “Gelosia” në qendrën tregtare TEG.


8. Në datë 30 prill 2014 në Strugë, kanë vjedhur me armë një argjendari.


9. Në datë 29.07.2014 në Dibër të Madhe në Maqedoni kanë vjedhur me armë argjendari “Er Gold” dhe “Briljant Xhiti”.


 


Sekuestrimet


• 1 armë zjarri pistoletë model 54 TT së bashku me një krehër me 6 fishekë luftarake, me mbishkrimin 1959;


• 1 armë zjarri “Zastava” kalibër 6.35 mm me numër serie T710696 së bashku me një krehër me 8 fishekë;


• 1 krehër me 15 fishekë pistoletë;


• 1 peshore elektronike, me mbishkrimin “TANITA” që shërbente për peshimin e sendeve të floririt dhe të argjendta të vjedhura në argjendari;


• 1 pajisje kompjuterike laptop;


• 6 copë varëse floriri të madhësive të ndryshme;


• 8 copë unaza floriri të madhësive të ndryshme;


• 1 copë varëse kryq;


• 3 byzylykë dore;


• 28 telefona Iphone;


• 19 ora dore të markave të ndryshme;


• Një sasi bizhuteri argjendarie;


• Dy manekinë me rroba kamuflazhi ushtarake;


• Dy maska material plastik me flokë ngjyrë të bardhë;


• Një palë doreza me material rrobe.


• 8 karta sim të kompanive të ndryshme;


• Dokumente identifikimi të falsifikuara me gjeneralitete të rreme;


Strukturat e Policisë së Shtetit po punojnë në vazhdimësi për dokumentimin e plotë të veprave të tjera penale të kryera nga ky grup kriminal.


Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprat penale të “Vjedhje me armë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 140, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.