Zbulohen të tjera detaje nga grupi i drogës që drejtohej nga i forti i ‘Myslym Shyrit’, Gjergj Cukali, të cilët shisnin kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Mësohet se kreu i këtij grupi të strukturuar kriminal, Gjergj Cukali përdorte identitetin e rremë Ergi Hoxha.
Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, tashmë janë sekuestruar nga policia, e cila ndaj Cukalit ka ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Për sa i takon drogës, ajo ka qenë e llojit kokainë dhe besohet se vinte nga Holanda përmes pikës së kalimit kufitar të Muriqanit dhe më pas shitej në doza të vogla prej 0,8 gramë, me vlerë 100 euro secila.
Gjergj Cukali ka qenë një prej personazheve të njohura të botës kriminale të kryeqytetit, pasi bashkë me miqtë e tij, Florian Metalla, Ledio Lito, Ilir Kodumi, Eduart Skuka dhe Durim Gurzi, morën peng Fatjon Demirlikën dhe kërkuan 100 mijë euro për lirimin e tij.
Por plani i tyre dështoi, pasi u arrestuan në kohë nga Policia e Tiranës. Në korrik të vitit 2004, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë, pranë një karburanti, merret peng Fatjon Demirlika.
Rrëmbyesit i kërkuan familjes së Demirlikës një shumë prej 100 mijë eurosh në këmbim të lirimit të të afërmit të tyre. Vendi i dorëzimit të parave ishte lënë në varrezat e Tufinës. Familjarët e Demirlikës njoftuan policinë, e cila vendosi të dërgojë një agjent të sajin për të dorëzuar gjobën e vendosur nga pengmarrësit.
Në momentin e dorëzimit të shumës prej 100 mijë eurosh, policia arrestoi Ledio Litën, i cili më pas tregoi vendin ku mbahej pengu Demirlika.
13 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)