Bruksel


Gjermania: Zgjedhjet e 2013-s, kushti për dhënien e statusit


Arta Tozaj – Top Channel


Ndërsa në Tiranë mbetet i ndezur debati për përmbushjen e 3 kushteve të Brukselit, në kryeqendrën e BE-së vendet anëtare kanë nisur diskutimet mbi rekomandimin dhe vlerësimet e Komisionit për Shqipërinë, sipas raport-progresit të 10 tetorit. Disa burime diplomatike në Bruksel konfirmojnë për “Top Channel” se qëndrimet e vendeve anëtare ndahen në tre grupe: mbështetëse, kritike dhe neutrale. Në grupin e parë hyjnë vendet që mjaftohen me rekomandimin e komisionit për dhënien e statusit, me kusht plotësimin e tri çështjeve të mbetura. Këtu përfshihen pjesa dërrmuese e vendeve të reja anëtare të lindjes dhe atyre balltike dhe sigurisht mbështetësit e përhershëm, Italia, Sllovenia, e deri diku, pa llogaritur insistimet për zgjidhjen e çështjeve problematike dypalëshe, Greqia. Përballë këtyre vendeve qëndron grupi i të pakënaqurve me vlerësimet e komisionit, ndër të tjera për fushën e sundimit të ligjit, korrupsionit dhe krimit, ku përveç Holandës, e cila tashmë e ka bërë të qartë dhe publik qëndrimin e saj zyrtar, përfshihet Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Danimarka, por edhe Suedia dhe Spanja. Vendet e tjera anëtare mbajnë ende një qëndrim neutral në bisedimet e zhvilluara këto ditë në grupin e punës për Ballkanin pranë Këshillit të BE-së. Me nisjen e punës për hartimin e konkluzioneve të dhjetorit, TCH ka mësuar nga disa burime konfidenciale se Gjermania mund të propozojë që në këto konkluzione të përfshihen zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 si kusht për dhënien e statusit. Nëse ndodh kështu, kjo gjë do ta shtynte vendimin e BE-së për dhënien e statusit për dhjetorin e vitit të ardhshëm. Sipas të njëjtave burime, edhe në rast se Tirana përmbush 3 çështjet, me apo pa raportin e dytë të komisionit, për grupin e vendeve kritike, përveçse një gjuhe pak më pozitive në konkluzionet e dhjetorit, nuk pritet të ndryshojë qëndrimi i këtyre vendeve me peshë në BE, bazuar në gjykimin e tyre për progresin real të vendit dhe në faktin se reformat e momenteve të fundit nuk mund të konsiderohen të besueshme. Grupet e punës së përfaqësuesve të vendeve anëtare pritet të diskutojnë për Shqipërinë edhe javën që vjen, të hënën dhe të mërkurën, para se dosja e zgjerimit me draft-konkluzionet përkatëse t’u kalojë për diskutim ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së (Coreper), më 28 nëntor. Në 11 dhjetor, Këshilli i Ministrave pritet të miratojë, me unanimitet, konkluzionet që më pas do të mbështeten formalisht nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së më 14 dhjetor, në ditën e dytë të samitit europian.


Holanda


Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Tiranë, Martin de la Beij, nëpërmjet një letre për “Top Channel” pak ditë më parë deklaroi se vendi i tij mendon se Shqipëria nuk është ende gati për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Kjo pasi ky vend mendon se vendi ynë, pavarësisht ligjeve që miraton, duhet të tregojë se është i gatshëm t’i zbatojë ato duke vendosur disa të dhëna të besueshme në këtë fushë. “Holanda e vlerëson shumë atë çka është bërë dhe arritur në këtë një vit e gjysmë si për shembull emërimi i Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ligji mbi imunitetet. Raporti i Komisionit Europian e deklaron qartazi se Shqipëria duhet të ndërtojë një ‘track record’ të besueshëm (bazë e besueshme të dhënash), duke vërtetuar faktin se këto ligje kanë mundësi të ekzekutohen dhe zbatohen. Por ky nuk është ende rasti, prandaj Holanda është e mendimit se është shumë herët për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”, argumentohet në letër dhe ky qëndrim refuzues i qeverisë së këtij vendi për kërkesën e Shqipërisë. Ambasadori e ka mbyllur me këto fjalë letrën e tij: “Holanda ka pasur gjithmonë një politikë ‘strikte dhe të drejtë’ për sa i përket procesit të zgjerimit. Është Shqipëria ajo që duhet të bëjë përpjekjet për të përmbushur kriteret dhe për të treguar se është e mundur që këto kritere të zbatohen”.


 


Mbledhja


Grupet e punës së përfaqësuesve të vendeve anëtare pritet të diskutojnë për Shqipërinë edhe javën që vjen, të hënën dhe të mërkurën, para se dosja e zgjerimit me draft-konkluzionet përkatëse t’u kalojë për diskutim ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së (Coreper), më 28 nëntor