
Zbulohet shifra e saktë e eurove të sekuestruara dje në Portin e Durrësit. Pas numërimit të tyre, policia bën me dije se janë 3 milionë e 470 mijë euro. Fillimisht u tha se ishin 1.5 milionë euro dhe më pas 4.5 milionë.
Paratë ishin fshehur në dy makina tip ‘Toyota Yaris’ të cilat kishin ardhur me traget nga Ankona bashkë me disa makina të tjera të ngarkuara në një trajler.
Grupi hetimor ka marrë gjurmët e gishtave nga paratë, ndërsa ka shoqëruar tre persona. Burime bëjnë të ditur se 3 të ndaluarit janë Edi (Eduart) Lika, pronar i subjektit transportues, djali i tij, Klevis Lika (19 vjeç), i cili shoqëronte drejtuesin e kamionit në udhëtim dhe shoferi i kamionit, Agim Ceka.
Nga analiza që iu është bërë parave nuk rezultojnë false dhe dyshohet se janë siguruar nga aktivitete kriminale.
25 qershor 2018 (gazeta-Shqip.com)