Ëndrra amerikane dhe lufta politike për të kapur minorancat
Gjergj Erebara, Teksas
Ëndrra amerikane është një term që nënkupton mundësi të barabarta. Mundësi të barabarta për t’u arsimuar, për të ecur përpara në karrierë dhe për t’u pasuruar. Shumë besojnë se ky është realiteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku njerëzit ngrihen nga mjerimi dhe arrijnë suksesin falë aftësive të veta. Ëndrra amerikane qe një alternativë për shoqëritë europiane, ku pasuria qe trashëguar prej shekujsh nga një gjeneratë në tjetrën dhe mundësia për t’u anëtarësuar në klasën sunduese ishte pothuajse zero.
Politikanët e rinj
Në periferi të qytetit Austin, kryeqyteti i Teksasit, ndërsa temperaturat kanë arritur mbi 35 gradë e lagështia në ajër e bën pothuajse të pamundur të ecësh në rrugë, një grup prej 20 amerikanësh fare të rinj po trajnohen për të bërë fushatë për rizgjedhjen e Presidentit Obama.
Nga të njëzet, dallohet dominanca e të bardhëve me origjinë europiane dhe fakti që shumica vijnë nga familjet e pasura. Katërmbëdhjetë janë të bardhë, dy janë zezakë, dy aziatikë dhe të tjerët nuk dallohen dot me sy të lirë.
Funksionarët e Partisë Demokratike të Teksasit i mësonin të rinjtë si të merrnin votuesit në telefon, t’u shpjegonin se çfarë po bënin dhe të përpiqeshin t’i bindnin që të dilnin edhe ata vullnetarë. Kur peshkonin një vullnetar, i binin një zileje.
Një politikane vendëse erdhi dhe u foli të rinjve për karrierën e saj politike, se si ia kishte dalë të zgjidhej përfaqësuese në Kongres, pavarësisht faktit që ishte me origjinë latine, qe me të ardhura të ulëta dhe mbi të gjitha, lezbike.
“Unë dua të mësoj mbi proceset politike dhe për këtë arsye jam këtu”, thonë disa. “Jam këtu për të fituar përvojë”, thonë disa të tjerë ndërsa pyeten se çfarë i bindi të dalin vullnetarë për fushatën elektorale. Dy prej tyre thanë se dëshirojnë të bëhen lobistë, njëri tha se dëshironte të mësonte metodat e marketingut politik, sepse në këtë mënyrë ndihmonte biznesin e familjes së vet. Vetëm një tha se kishte ardhur se qe i bindur se Presidenti Obama është më i miri për Amerikën.
“Ne këtu jemi një përjashtim mes të rinjve të Amerikës”, thotë njëri prej tyre. Kjo do të thotë se shumica e të rinjve nuk duan t’ia dinë se çfarë ndodh në politikë. “Kur ndodhi ‘Pranvera Arabe’, unë isha i vetmi në klasë që lexoja lajme se çfarë po ndodhte dhe shkoja t’i tregoja shokëve, të cilët as që donin të dëgjonin”, tha një tjetër.
Moderatori kapi rastin për t’i shtruar një pyetje gazetarëve të huaj të pranishëm, gjithsej 33 vetë të ardhur nga e gjithë bota, përfshirë edhe vende si Liberia. “Çfarë ju shtyn ju të vini deri në Austin për të mësuar mbi politikën amerikane? Nëse na pyet ne, nuk jemi në gjendje të themi emrin e asnjë kryeministri të huaj!”.
“Hohoho” – shpërtheu një gazetar nga Arabia Saudite. “Sepse ju jeni në gjendje të bëni luftë”, tha ai.
“Ndoshta pas njëzet vjetësh, të gjithë do jemi të interesuar të mësojmë emrin e kryeministrit të Kinës”, shtoi një gazetar gjerman.
Të rinjtë demokratë besojnë se media amerikane nën pronësi private është e gabuar, se media është manipuluese. “Unë besoj se do të jetë më mirë nëse ne krijojmë media nën pronësi publike”, tha njëri prej tyre, ndërsa gazetarët që kanë eksperiencë nga media shtetërore në vendet përkatëse hapën sytë të habitur.
Të rinjtë vihen përballë pyetjeve mbi varfërinë në botë dhe duket se nuk kanë nevojë të shkojnë në Afrikë për të mësuar mbi varfërinë.
“Në zonën time elektorale, gjenden 290 koloni”, shpjegon Mary E. González, politikane demokrate në Teksas. U desh pak shpjegim për gazetarët e huaj se çfarë janë “kolonitë”. “Janë vendbanime të krijuara nga njerëzit e varfër pa plan e pa investime. Atje mungojnë rrugët, energjia elektrike apo gazi,” shpjegon Gonzáles.
“Unë e kam shumë të vështirë ta kuptoj se si mund të ndodhë që njerëzit nuk kanë ujë e gaz”, thotë njëra prej vullnetareve. “Unë mora një BMW të re fare, askush nuk e kishte ngarë para meje, për ditëlindjen time të shtatëmbëdhjetë, siç e marrin të gjithë të rinjtë amerikanë”, tha ajo.
Shpresat te latinët
Republikanët dominojnë politikën e Teksasit që prej shumë kohësh. Nuk kanë rënë kurrë nga pushteti që nga viti 1995, kontrollojnë dy të tretat e Kongresit vendës dhe kanë pothuajse mazhorancën absolute në Senat. Baza e tyre elektorale përbëhet nga pronarët e tokave të këtij shteti më të madh se sa Franca, si dhe manjatët e naftës. Republikanët e Teksasit kanë qenë dominues gjatë dekadave të fundit në politikën kombëtare të SHBA-ve përmes presidentëve Lyndon B. Johnson (demokrat), Bushi i Parë dhe Bushi i Dytë. Dikur, Teksasi dhe jugu i Amerikës dominoheshin nga demokratët, tani kontrolli i republikanëve duket i pasfidueshëm. Megjithatë, diçka po ndodh që mund ta ndryshojë balancën e pushtetit në një nga shtetet më të rëndësishme të Amerikës.
Njerëzit me prejardhje nga Amerika e Jugut përbëjnë aktualisht 40 për qind të popullsisë së Teksasit sipas censusit 2010 dhe vetëm 17 për qind të forcës votuese. Zyrtarët lokalë përgjegjës për administrimin zgjedhor në kontenë Harris, (konteja ku gjendet metropoli Huston), thonë se ky kontrast është rrjedhojë e faktit se shumica e latinëve nuk janë nënshtetas amerikanë dhe rrjedhimisht, nuk mund të regjistrohen për të votuar. Por një numër i madh shoqatash pretendojnë se në fakt, latinët mbahen larg votimit përmes pengesave burokratike.
“Pyetja është si t’ia bëjmë ne të fitojmë votat e latinëve”, thotë Lane Lewis, kryetar i Partisë Demokratike për zonën e Hustonit.
“Ne duam që njerëzit të votojnë, jemi të lumtur me këtë. Të tjerë duan që njerëzit të mos votojnë, kjo është situata”, thotë ai.
Latinët janë të shumtë në numër dhe votojnë në masën 65-70 për qind për demokratët. Për këtë arsye, shikohen si e ardhmja dhe shpresa për rikthimin e demokratëve në pushtet në Teksas.
Demokratët japin një listë të gjatë me pengesa, që sipas tyre janë vendosur nga politikanët republikanë për të penguar minorancat që të regjistrohen dhe votojnë.
“Gjatë kohëve të fundit, ka pasur 178 nisma ligjore kundër latinëve”, thotë Herlinda Garcia, drejtoresha lokale e Lidhjes së Bashkuar të Qytetarëve Latino-Amerikanë, LULAC. Garcia bën pjesë në një shoqatë që është themeluar në vitin 1928 dhe që nga ajo kohë, ka ndihmuar në avancimin e shumë politikanëve latinë, megjithëse përqindja e zyrtarëve me origjinë latine mbetet më e vogël në krahasim me përqindjen që ata zënë në popullsi dhe janë të prirur të votojnë kandidatë latinë, pavarësisht se cilës parti i përkasin.
“Kur sheh votat e pavlefshme, vëren se votuesit latinë, shohin dy kandidatë me emra latinë dhe i votojnë që të dy”, shpjegon Hector de Leon, një zyrtar lokal i administrimit të zgjedhjeve.
Të dyja partitë politike po punojnë për t’ia plotësuar latinëve dëshirën për të pasur kandidatë të vetët, por demokratët rezultojnë gjerësisht shumë më bindës.
Bernadette McLeroy përfaqëson një grup politik republikan që synon të bindë popullsinë latine dhe minorancat e tjera, se ata kanë më shumë bindje republikane nga sa dinë. Morali i fabulës për shumë votues latinë është se vijnë nga vende ku diktaturat ushtarake të ekstremit të djathtë kanë dominuar jetën për shumë dekada. Rrjedhimisht, çdo gjë e djathtë, i kujton vuajtjet e diktaturave.
“Latinët vijnë nga vende shumë të ndryshme”, thotë ajo. “Shumë prej tyre kanë frikë të shkojnë të votojnë, pasi nuk e kanë kuptuar ende se këtu në Amerikë nuk të heq njeri nga puna pse voton një parti tjetër”. Vetëm McLeroy është trajnuar nga LULAC, por tashmë i ka shkëputur lidhjet me këtë organizatë, sepse e konsideron si tepër të majtë.
Për të, diskriminimi racor në SHBA nuk ekziston. “Nëse del nga lista e ndihmës ekonomike, arsimohesh dhe ke një punë, këtu nuk ka diskriminim”, thotë McLeroy.
Nuk mendon kështu Herlinda Garcia nga LULAC. “Kur unë isha 16 vjeç, shkova bashkë me babain tim në një restorant dhe aty na thanë se nuk do të na shërbenin, sepse ishim zezakë”, tregon ajo ndërsa zëri i meket nga emocionet. Kjo ishte arsyeja se pse i hyri aktivizmit politik.
“Ata [republikanët] kanë bërë gjithçka kundër latinëve. Kanë kërkuar të miratohet një ligj që t’i kërkojë dokument identifikimi me fotografi, për të fituar të drejtën për të votuar, kanë kërkuar që shkollat të mos regjistrojnë fëmijët e emigrantëve të paligjshëm. Për këtë arsye, ne rrimë vazhdimisht në Austin (kryeqyteti) për të monitoruar dhe luftuar këto nisma. Vetëm njëra prej tyre ka arritur të miratohet pas kundërshtimeve tona”, shpjegon ajo.
Por McLeroi dhe kolegët e saj nga minorancat thonë se këto janë propagandë negative e padrejtë ndaj republikanëve.
“Eksporti më i madh i Amerikës janë filmat e Hollivudit dhe demokratët janë shumë të aftë në këtë fushë”, thotë një politikan republikan afro-amerikan. “Ato ligje për të cilat ju flisni, nuk janë ligje antilatine”, shton ai. “T’i kërkosh shkollave të mos shpenzojnë fonde për ata që nuk janë nënshtetas, nuk është antilatine”.
Këtu diskutimi shtrihet tek e drejta për të emigruar, në një vend që është ndërtuar nga emigrantët.
“Unë erdha këtu bazuar në një ligj presidencial që na dha nënshtetësinë”, thotë një republikan me origjinë nga Vietnami. “Po të tjerët, çfarë të drejte kanë për të ardhur ilegalisht?”.
McLeroy ka një shpjegim më të logjikshëm mbi shkaqet se pse njerëzit nga e gjithë bota janë të gatshëm të rrezikojnë gjithçka për të kapur ëndrrën amerikane. Shpjegimi i saj bazohet mbi një teori shumë të fortë ekonomike e quajtur “Tregu i punës i shtresëzuar”.
“Emigrantët vijnë sepse ka kërkesë. Këtu ka shumë vende pune të mira dhe që paguhen mirë dhe që amerikanët nuk i pranojnë, edhe në rast se mbeten pa punë. Puna në bujqësi apo nëpër restorantet e hamburgerëve nuk pranohet nga vendësit, rrjedhimisht emigrantët vijnë”, – thotë McLeroi.
Të gjitha sondazhet tregojnë se mbështetësit e republikanëve janë kundër emigrantëve. Qendra Kërkimore PEW në Uashington ka bërë një sondazh mbi ligjin e shumëdebatuar të Arizonës. Ligji i jep të drejtë policisë të ndalojë njerëzit në rrugë pa shkak dhe të kërkojë dokumente identifikimi, në mënyrë që të kapen emigrantët e paligjshëm. Rreth 84 për qind e mbështetësve të republikanëve kanë mendim pozitiv për këtë ligj, ndërsa mes demokratëve, vetëm 41 për qind kanë mendim pozitiv.
Megjithatë, vetë republikanët janë në dilemë se çfarë politike të ndjekin në këtë çështje kaq të nxehtë. Nga njëra anë janë votat e latinëve, të cilat do të shkojnë te demokratët nëse republikanët nuk veprojnë siç duhet. Nga ana tjetër, janë vetë biznesmenët që pëlqejnë republikanët për taksat e ulëta dhe pëlqejnë gjithashtu punën e emigrantëve të ligjshëm e të paligjshëm, e cila paguhet lirë.
Përballë këtyre dy faktorëve, gjenden votat e bazës tradicionale republikane, të cilët janë antiemigracion në shkallë të gjerë.
Lufta për votën
Vitin e fundit, autoritetet në shtetin e Teksasit vendosën një ligj të ri: Votuesit duhet të paraqesin një dokument me fotografi në mënyrë që të lejohen të votojnë. Sipas autoriteteve, koha ka ardhur për të zbatuar një masë të tillë.
“Është një kërkesë minimale”, thotë Stan Stanart, zyrtari përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve në kontenë Harris në Teksas, distrikti administrativ ku gjendet mes të tjerash, zona metropolitane e Hustonit, dhe një nga më të mëdhatë për nga numri i votuesve në SHBA. Stanart është vetë një zyrtar i zgjedhur me votë popullore, republikan që në vitin 2000, qe anëtar i trupës zgjedhore që votoi për Presidentin Bush.
“Deri më sot, në Teksas është votuar me një nga 11 dokumente të ndryshme, përfshirë edhe faturën e ujit”, – thotë ai, duke shtuar se kërkesa për dokument identifikimi me foto është normale për kohën në të cilën jetojmë.
Për Lane Lewis, kreun e demokratëve të Teksasit, dokumenti i identifikimit përbën një çështje kostoje të tepërt, si për qytetarët, ashtu edhe për Partinë Demokratike.
“Imagjinoni që unë arrij të gjej një votues dhe e bind atë të më votojë. E bind të shkojë të regjistrohet n.q.s nuk është i regjistruar dhe në fund, atij i duhet të marrë një kartë identiteti, e cila tërhiqet te zyrat e kolaudimit të makinave. Për ta marrë atë dokument, shpesh votuesit tanë duhet të udhëtojnë për 30 apo 50 milje”.
Për demokratët, kërkesa për dokument identifikimi me fotografi, është e tepërt sepse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ka manipulim votash.
Nuk mendon kështu shoqata “True The Vote”, një grupim që deklaron se nuk mbështet asnjë parti, por synon të garantojë zgjedhje të ndershme.
“Manipulimi i votave ka qenë gjithmonë mes nesh”, thotë Catherine Engelbrecht, presidente dhe themeluese e shoqatës. “Në 40 shtete gjatë dekadës së fundit ka pasur dënime ligjore për manipulime zgjedhore dhe ne dyshojmë që 120 mijë njerëz që nuk janë nënshtetas amerikanë, kanë arritur të regjistrohen si votues”, thotë ajo.
Shoqata që ajo drejton synon të trajnojë një grup vullnetarësh për të kontrolluar qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve dhe rrjedhimisht, për të garantuar se nuk do të ketë manipulime votash. Por shoqata tregon shenja të qarta prirjesh konservatore dhe antiemigratore. Në një stendë janë nxjerrë në shitje disa libra, si të rekomanduar nga shoqata. Njëri prej librave ka titullin: “Mafia e myslimanëve, brenda botës sekrete që po komploton për të islamizuar Amerikën”.
Engelbrecht refuzon pyetjen nëse shoqata e saj është antiemigratore dhe se nismat e saj synojnë të justifikojnë pengimin e latinëve për të votuar. “Për fat të keq, debati aktual bazohet në një retorikë të shumë dekadave më parë dhe partitë kryesore vënë në dukje dallimet tona dhe jo ngjashmëritë”, thotë ajo.
Ndërkohë, mes latinëve republikanë, Stephanie Lazcano, 27 vjeç, beson se prindërit e saj e kanë kapur ëndrrën amerikane.
“Prindërit e mi erdhën nga Meksika dhe pasi arritën të blejnë shtëpinë e parë me kredi, e nxorën atë në shitje e shpejt u bënë tregtarë të pronave të patundshme”, thotë ajo. “Në dy dekada ne kemi arritur të kemi një shtëpi me vlerë 300 mijë dollarë”.
Joseph Stiegliz, nobelisti i ekonomisë, nuk mendon kështu për ëndrrën amerikane.
“Ëndrra amerikane, jo vetëm që nuk ekziston, por mundësitë reale që të varfrit të rriten për të hyrë në listën e 10 për qind të popullsisë më të pasur, janë pakësuar gjatë dekadave të fundit”, – thotë Stiegliz në librin e tij të fundit “Çmimi i Pabarazisë”, një kritikë e ashpër e sistemit ekonomik, politik dhe shoqëror të demokracisë më të madhe të botës. Stiegliz jep statistika të bollshme për të mbështetur idenë e tij se vendet si Danimarka apo Suedia janë më të barabarta sa i përket shanseve që të lindësh i varfër dhe të bëhesh i pasur se sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por Stiegliz diskuton për ata që kanë lindur amerikanë dhe jo për ata që shkojnë si emigrantë. Për emigrantët, SHBA-të vijojnë të mbeten një vend që ofron shumë më tepër mundësi për t’u integruar dhe pasuruar se sa vendet e tjera të botës së zhvilluar.
Zgjedhjet amerikane është një seri shkrimesh nga gazeta “Shqip”. Vijon të hënën e ardhshme.
