Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike pretendon se ka marrë informacion për shpërndarjen e parave, thasëve me miell si dhe përpjekje për shantazhe ndaj votuesve gjatë natës së mbrëmshme nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë e zyrtare të administratës publike, nën mbrojtjen e një grupi punonjësish te policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga.
“Kështu, banorët e Maqellarës kapën në mesnatë duke shpërndarë lekë për blerje votash zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Artan Isaku, vartës i shtetasit Dionis Ymeri me detyre Drejtor i Tatimeve për Dibrën. Dionis Ymeri është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike në prokurori me date 1 shtator si anëtar i grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës. Konkretisht shtetasi Dionis Ymeri, me detyrë Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Dibër, është kallëzuar në Prokurori si personi përgjegjës i ngarkuar me detyrën e sigurimit të fondeve financiare për blerjen e votave.
Në vend të ndalimit dhe arrestimit në flagrancë të këtyre personave, segmente të policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga, i kane dhënë mbështetje këtij krimi elektoral. Bert Aga është kallëzuar penalisht nga Partia Demokratike me 1 shtator si anëtar kryesor i grupit të strukturuar kriminal i cili në abuzim të detyrës së shefit të Komisariatit të Peshkopisë ushtron presion ndaj zgjedhësve dhe ofron mbështetje logjistike dhe mbrojtje ekstraligjore për operacionin e shpërndarjes së parave në këmbim të votave.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë procedimin penal për këtë grup të strukturuar kriminal të kallëzuar nga Partia Demokratike që nga data 1 Shtator.
Partia Demokratike i siguron qytetarët e Dibrës së nuk do të lejojë me asnjë çmim tjetërsimin e vullnetit të tyre nga bandat e Edi Ramës.
Vota është e shenjtë. Asnjë presion, asnjë kriminel me mbrojtje shtetërore nuk do ta ndalë dot vullnetin e dibranëve.
Partia Demokratike ju bën thirrje qytetarëve dibrane të marrin pjese masivisht në votime dhe të shprehin me votën e tyre të lire vullnetin e tyre sovran e të patjetërsueshëm”, shprehet shtabi Elektoral i Partisë Demokratike në një deklaratë për mediat.
11 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)