Partia Socialiste do të zgjedhë sot delegatët e Kongresit në qarqet Berat, Fier, Elbasan e Korçë. Në një deklaratë për mediat nga selia rozë, sekretari Organizativ i Partisë Socialiste, Blendi Klosi bëri me dije se sipas Statutit të Partisë, Delegatët e Kongresit zgjidhen sipas parimit “Një anëtar – një votë”.
“Në bazë të vendimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë, të muajit korrik të vitit të kaluar, është përcaktuar që të zgjidhet një delegat për 100 anëtarë partie. Delegatë të Kongresit do të zgjidhen edhe nga strukturat e Partisë Socialiste në emigracion.
Sot do të zgjedhin delegatët e Kongresit të Partisë anëtarësia e Partisë Socialiste e katër qarqeve, Berat, Fier, Elbasan e Korçë. Më shumë se 34 mijë anëtarë të këtyre 4 qarqeve, prej të cilëve 5 mijë anëtarë partie të qarkut të Beratit, 8 mijë e 800 anëtarë të qarkut Elbasan, 12 mijë anëtarë të qarkut Fier dhe 8300 anëtarë partie të qarkut Korçë, do të zgjedhin 49 delegatë në Berat, 87 delegatë në Elbasan, 118 delegatë në Fier dhe 82 delegatë në Korçë.
Në zgjedhjet e ditës së sotme konkurrojnë afro 1000 kandidatë për delegatë të Kongresit të propozuar nga anëtarësia e partisë e 23 bashkive në përbërje të të cilave janë 151 njësi administrative. Sipas kritereve të përcaktuara 50 për qind e kandidaturave janë shoqe dhe një e treta e tyre janë të moshës 18 – 25 vjeç”, tha Klosi.
Në përzgjedhjen e kandidatëve është përmbushur edhe kriteri që jo më shumë se 40 përqind e kandidatëve për delegatë të Kongresit të kenë një funksion shtetëror si dhe kriteri që ata të kenë vlera morale e shoqërore dhe pastërti ligjore të figurës së tyre. Kandidatët e propozuar janë me arsim të lartë dhe mjaft prej tyre edhe me kualifikime pasuniversitare etj.
13 shkurt 2016 (gazeta-Shqip.com)