Përleshje në Australi, Kajro, Tunizi. FBI nis hetimet për regjisorin e filmit antiislam
Këshilli i Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka dënuar ashpër sulmet e ditëve të fundit ndaj përfaqësive diplomatike amerikane në vendet arabe. “Akte të tilla janë të pajustifikueshme dhe ftojmë autoritetet vendase të mbrojnë godinat dhe personelin diplomatik, duke kryer në këtë mënyrë detyrimet e tyre ndërkombëtare”, thuhet në një notë të Këshillit të Sigurisë së OKB-së. Ndërkaq imami i Al-Azhar, autoriteti më i lartë i islamit sunit, i ka dërguar një letër OKB-së ku ka kërkuar një zgjidhje ndërkombëtare për të penguar çdo sulm të mundshëm ndaj simboleve të besimit mysliman. Imami Cheikh al-Tayyeb deklaron se është “përgjegjësi e OKB-së të mbrojë paqen në botë nga të gjitha kërcënimet, në mënyrë që të shmangen reagime të tilla të dhunshme”.
Shtrirja e protestave
Protestat e dhunshme të nisura pas publikimit të filmit antiislam “Innocence of Muslim”, kanë prekur edhe Australinë. Qindra demonstrues janë përleshur dje paradite me policinë përpara Konsullatës amerikane në Sidnei. Gjatë përleshjes së dhunshme kanë mbetur të plagosur 8 agjentë policie, 2 prej të cilëve janë shtruar në spital. Ndërkohë 17 manifestues kanë marrë trajtim mjekësor, për shkak të spray me piper të përdorur nga policia për t’i shpërndarë dhe 2 të tjerë për shkak të kafshimeve nga qentë policë. Policia ka deklaruar se 8 manifestues janë arrestuar, ndërkohë që ende nuk është e qartë se cilët kanë qenë organizatorët e protestave. Ndërkaq në Tunizi, protestat e nisura që prej mëngjesit të së premtes kanë vijuar për gjatë gjithë natës. Sipas medias lokale, mësohet se një grup ka sulmuar dhe ka djegur një kazermë të Rojeve Kombëtare në Biserta. Zyrtarisht është deklaruar se gjatë protestave të dhunshme kanë humbur jetën 4 persona, ndërsa 49 të tjerë kanë mbetur të plagosur. “Tre manifestues kanë gjetur vdekjen, pasi janë qëlluar me armë zjarri, një tjetër është përplasur për vdekje nga një automjet, ndërsa 49 persona janë plagosur, 9 prej të cilëve janë në gjendje më të rëndë”, ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa në Kajro, 99 persona kanë mbetur të lënduar gjatë protestave përpara ambasadës amerikane. Turma është shpërndarë pas ndërhyrjes me dhunë të policisë, por manifestuesit kanë paralajmëruar se do të rikthehen në shesh derisa ambasada amerikane të largohet nga Egjipti. Deri më tani 6 persona kanë humbur jetën në Tunizi, Sudan dhe Liban gjatë protestave antiamerikane. Në shënjestër të protestuesve nuk kanë qenë vetëm ambasadat amerikane, por edhe selitë diplomatike të Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Hetimet për regjisorin
FBI ka nisur hetimet ndaj regjisorit të filmit që është konsideruar si fyes për islamin dhe Profetin Muhamed, për të cilin thuhet se më herët ka qenë i dënuar për krime financiare. Mësohet se Nakoula Basellej Nakoula është marrë nga shtëpia e tij të shtunën, për t’u takuar me hetuesit federalë. Këta të fundit do të shqyrtojnë rastin e Nakoulas, i cili është dënuar në vitin 2012 nën akuzat për mashtrim të bankave dhe është ndaluar të përdorë kompjuterë dhe internet si pjesë e dënimit të tij. Hetuesit do të hetojnë nëse ai ka shkelur dënimin me aktivitetet e tij si figurë kyçe në filmin “Pafajësia e Myslimanëve”.
Reagimi i Obamës
Presidenti amerikan Barak Obama ka deklaruar sot se nuk ka asnjë justifikim për sulmet ndaj ambasadave amerikane, të kryera nga turmat e zemëruara me filmin antiislamik.
“E kam bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara kanë respekt të thellë për njerëzit e të gjitha besimeve. Ne mbështesim liritë fetare dhe refuzojmë fyerjen e çdo feje, përfshirë islamin. Megjithatë, kurrë nuk ka justifikim për dhunën.
Nuk ka asnjë fe që fal sulmet ndaj burrave dhe grave të pafajshme. Nuk ka arsyetim për sulmet në ambasadat dhe konsullatat tona. Dhe, për aq kohë sa unë jam komandant i përgjithshëm, Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë kurrë përpjekjet për të dëmtuar amerikanët tanë”, ka thënë Obama, teksa ka nderuar 4 amerikanët e vrarë këtë javë në Libi, në konsullatën e Bengazit.
REAGIMI
SHBA ka nisur dislokimin e trupave ushtarake në 17-18 vende të botës arabe, por nuk është saktësuar numri i saktë i marinsave dhe vendet ku do të pozicionohen