Çela ishte eprori i 49-vjeçarit që u gjet i djegur në automjet


Nëndrejtori i antiterrorit në SHISH nuk pranoi të tregojë asgjë për punën e tij gjatë kallëzimit


Zhdukja misterioze e 10-vjeçarit Julian Çela, pasditen e 30 nëntorit në Laprakë të Tiranës, mund të ketë lidhje me punën e të atit në SHISH, i cili është nëndrejtori i antiterrorit, pasi ai ka qenë eprori i oficerit të shërbimit sekret, i cili u gjet i djegur në makinën e tij në Durrës më shumë se një vit më parë.


Çela dhe Çopa


Inspektorë dhe agjentë nga SHISH-i pohojnë për gazetën “Shqip” se posti që mban Skënder Çela ka lidhje me sigurinë kombëtare. Vartës ka të gjithë nëndrejtorët e zyrave të shërbimit sekret në rrethe, të cilët merren me antiterrorin. Burime konfidenciale nga SHISH flasin se Skënder Çela ishte edhe eprori i Isa Çopës, i cili është gjetur i vdekur më shumë se një vit më parë në qytetin e Durrësit në rrethana misterioze, ku dyshimet flasin për vetëvrasje dhe vrasje. Provat e gjetura në makinën e shkrumbuar të 49-vjeçarit durrsak hedhin dyshime për një atentat të mirëpërgatitur, ndërsa dëshmitë e marra, si dhe sms-ja që i ka mbërritur djalit të tij, tregojnë se ngjarja mund të jetë vetëvrasje. Pikërisht ky mister mbi ekzekutimin e Isa Çopës ka sjellë që SHISH të verifikojë për këtë ngjarje. Normalisht, si çdo institucion, eprori verifikon dhe heton për shkaqet e ngjarjes në sektorin e tij, apo të vartësve. Edhe në rastin konkret, Skënder Çela, të cilit i është zhdukur djali 10-vjeçar prej disa ditësh, ka kryer një verifikim për këtë ngjarje, madje edhe si detyrim moral për të ndjerin. Megjithatë, gjatë kallëzimit penal të bërë në prokurori, Skënder Çela, babai i të miturit, nuk ka pranuar të tregojë asgjë për punën e tij. Por, burimet pranë shërbimit sekret, pavarësisht se informacionet janë të pakta dhe jo zyrtare, shprehen se drejtoria e antiterrorit në SHISH ka një rol, të mbledhë të gjitha informacionet nga zyrat e rretheve dhe përpunimin e tyre. Informacionet që kishte mbledhur Isa Çopa në punën e tij, bazuar në rregullore, i kalonin për dijeni edhe zyrës së antiterrorit, ndërsa dijeni ka edhe Skënder Çela. Ai ka marrë dokumentet e klasifikuara dhe ua ka kaluar drejtuesve madhorë të SHISH-it për informim. Edhe pse kjo mund të jetë një pistë hetimore për zhdukjen e 19-vjeçarit, për shkak të detyrës së babait, policia nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë, pasi, sipas tyre, deri më sot nuk kemi prova për të folur për një rrëmbim, por vetëm për një largim. Kjo është edhe arsyeja që babai i të zhdukurit nuk është pyetur në lidhje me hetimet e kryera gjatë funksionit të tij, qoftë për Isa Çopën, qoftë edhe për persona apo çështje të tjera.



Misteret e SHISH


Siç dihet, SHISH ka qenë i rezervuar gjithmonë për punën e vet. Madje, ashtu ndodhi edhe në rastin kur u gjet i djegur në makinën e tij oficeri i lartë i këtij shërbimi. Oficerët e shërbimit sekret nuk pranuan të japin asnjë informacion në lidhje me detyrat e Çopës, të cilat mund të çonin në ndonjë identifikim të mundshëm të autorit të krimit, ose të sqarimit të situatës, që edhe sot ka mbetur e pazbardhur, me motivacionin se pritet ekspertiza nga Gjermania. Ndërsa këto ditë, SHISH tregohet sërish i rezervuar. Edhe pse Skënder Çelës i ka humbur djali prej dhjetë ditësh, ai nuk pranon të tregojë asgjë për punën e tij. Këtë qëndrim mbajti kur u mor në pyetje nga prokuroria, ndonëse burimet pranë Shërbimit Informativ Shtetëror thonë se eprori i Çopës mund të ketë hetuar për vdekjen e tij të mistershme. Tashmë ka kaluar një vit nga gjetja e trupit të shkrumbuar të ish-oficerit të SHISH-it dhe ende ngjarja është e pazbardhur dhe nuk ka asnjë informacion se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Familjarët e tij presin një përgjigje për fatin e njeriut të tyre, por ende nuk ka një konkluzion. “Ne nuk na kanë thënë asnjë gjë, nuk dimë se çfarë bëhet, do të jetë më mirë që të ishte mbyllur kjo punë. Duhet të mbyllet, por ju e dini si janë këto punë. Unë e kam shumë të vështirë të flas, nesër do të mblidhemi së bashku si familje dhe do ta përkujtojmë Isain”, tha vëllai i oficerit të SHISH-it, vetëm një ditë para 1-vjetorit të vdekjes së tij. Ndërsa bashkëshortja e tij, Arta, është ende e dyzuar nga mënyra se si bashkëshorti vdiq. “E kam për të gjitha; që nuk munda ta shoh, që nuk e qava, që nuk është më me ne, nuk është në familje, edhe që u vra. Ngjarja duhet të zbardhet nga institucionet përkatëse. Unë nuk dua të flas shumë në lidhje me këtë, sepse ia besuam prokurorisë dhe policisë”, shprehet ajo. Trupi i Isa Çopës u gjet i shkrumbuar në automjetin e tij në afërsi të një reparti ushtarak në Currila, Durrës, pikërisht më 25 tetor të vitit 2011. Prokuroria thotë se ende nuk e ka hetuar nëse ai është vetëvrarë apo vrarë, por po pret ekspertizën shkencore nga Gjermania. Dyshimet se ai mund të ishte vrarë lindën për shkak se po hetonte pronat e gjyqtarit të vrarë, Skerdilajd Konomi. Ndërkaq, eprorit të Isa Çopës, i cili mund të ketë gjithë informacionet që ka pasur edhe ai, i është zhdukur djali dhe familja e tij shpreson që ai të gjendet sa më shpejt dhe mos të kemi të bëjmë me një ngjarje tjetër misterioze, ashtu siç ndodhi një vit më parë në Durrës. Red. Akt.


Isa Çopa


Edhe në rastin kur Isa Çopa u gjet i shkrumbuar në makinën e tij më 25 tetor të vitit 2011, kolegët nuk pranuan të tregojnë asgjë për punën e tij


Policia: Djali i zyrtarit të SHISH, shoqërohej me një hajdut nga Lapraka


“Kemi mbajtur nën vëzhgim Gëzim P., i dënuar disa herë për vjedhje”


Policia ka dyshime të forta se 10-vjeçari i zhdukur prej dhjetë ditësh, Julian Çela, djali i funksionarit të lartë të Shërbimit Sekret Shqiptar, shoqërohet me një të dënuar për vjedhje, i cili është mbajtur nën vëzhgim nga agjentët e antikrimit, por deri më sot, hetimet nuk kanë sjellë asnjë të re për fatin e tij. Sipas të dhënave të besueshme, nën vëzhgim po mbahet Gëzim P., i cili qëndron në Laprakë dhe ka qenë i dënuar disa herë për vjedhje, ndërkohë që familja e tij vazhdon të apelojë për rikthimin e tij në shtëpi, madje duke përdorur edhe rrjetin social “Facebook”. Motra e tij, vetëm dy ditë më parë, ka kërkuar në këtë rrjet social kthimin e tij në shtëpi. “Ne kemi shpresa dhe nuk do të ndalemi derisa ta gjejmë atë… Ne na ka marrë shumë malli për të, prandaj, ju lutemi atyre që e kanë, ta lënë të lirë që ai të kthehet pranë gjirit familjar… Faleminderit”, shprehet ajo në “Facebook”.


Hetimet e policisë


Nga ana tjetër, policia duket se nuk ka gjetur asnjë provë se ai mund të jetë rrëmbyer, kështu që çështja vazhdon të ndiqet nën drejtimin e Komisariatit Nr. 3, si një largim nga banesa. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ai është shoqëruar shumë me Gëzim P., i cili frekuenton lojërat e fatit dhe ka qenë i dënuar për vjedhje dhe i dyshuar për disa të tjera. Madje, në një nga këto net, që ai është mbajtur nën vëzhgim, në një moment ka tentuar të vjedhë një biçikletë, por ka dështuar, pasi kanë kaluar disa njerëz pranë tij. Gjithashtu, policia ka shpërndarë foton dhe emrin e tij në të gjitha pikat e kalimit kufitar nga frika se ai mund të bjerë pre e ndonjë mashtrimi dhe më pas të shfrytëzohet për qëllime të tjera kriminale. Në këto kushte, Policia e Tiranës shprehet se po bën të gjitha tentativat për gjetjen e tij sa më shpejt, ndërkohë që mendon se ai fshihet në ndonjë banesë në rrethinat e Tiranës.


Shoqëria e Julit


Një tjetër pistë për Policinë e Tiranës është edhe shoqëria e 10-vjeçarit, i cili kishte filluar të frekuentohej me persona më të mëdhenj se veten. Hetuesit kanë dyshime se Juliani, ose siç e njohin (Juli), është fshehur te shtëpia e ndonjërit prej tyre. Kjo mendohet se është edhe arsyeja që është kërkuar që askush mos të flasë për të dhënat e mbledhura nga policia, ashtu siç shprehen edhe drejtuesit e shkollës, të cilët nuk kanë dashur të japin informacion, që mund të ndihmojë në gjetjen e 10-vjeçarit. Megjithatë, nga grupi hetimor mësohet se janë kontaktuar disa persona, me të cilët është shoqëruar i mituri më parë, por ata janë shprehur se nuk e kanë parë dhe se nuk kanë dëgjuar ndonjë gjë për të. Policia tha se po punon për identifikimin dhe marrjen në pyetje të shokëve të tij, me qëllim që të zbardhet sa më shpejt largimi misterioz i tij. Ndërsa familja, teksa bën apel, duket qartë se beson më shumë te një rrëmbim ose fshehje e tij. Kjo vihet re në thirrjen e motrës në rrjetet sociale në “Facebook”, ku shprehet: “Ju lutemi atyre që e kanë, ta lënë të lirë që ai të kthehet pranë gjirit familjar”.


S’ka shpërblim


Sot mbushen dhjetë ditë nga largimi i të miturit, i cili banon në zonën e Laprakës, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për ofrimin e ndonjë shpërblimi për ata persona që mund të japin informacion mbi fatin e tij. Policia dihet se ka ofruar shpeshherë shpërblime për zbardhjen e ngjarjeve të rënda, por për fatin e 10-vjeçarit nuk është ofruar diçka e tillë, pavarësisht se ka pasur telefonata të ndryshme, që kanë dhënë informacione për të mitur, të cilët mund të ngjasonin me djalin e zhdukur. Telefonata më bindëse për policinë ka qenë ajo e një punonjëse “fast-food”-i, e cila, kur ka parë fotografinë e të miturit, është shprehur se ai kishte porositur për të ngrënë dhe ishte larguar me vrap për të mos paguar. Madje, ajo ka treguar edhe veshjen e të miturit, që përkon me ato rroba me të cilat Julian Çela është larguar më 30 nëntor. Red. Akt.


Familja


“Ne kemi shpresa dhe nuk do të ndalemi derisa ta gjejmë atë… Prandaj, ju lutemi atyre që e kanë, ta lënë të lirë që ai të kthehet pranë gjirit familjar…”


SHISH


Hetimet


Për zhdukjen e të miturit 10-vjeçar prej dhjetë ditësh, po mbledhin të dhëna edhe agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror


Agjentët


Punonjësit e SHISH-it kanë pyetur informatorët e tyre në zona të ndryshme të Tiranës, nëse kanë dëgjuar ndonjë informacion për të


Bashkëpunimi


Sipas të dhënave, nëse ata do të gjejnë ndonjë informacion të vlefshëm, do ia dërgojnë për ndjekje policisë dhe familjes


30 nëntor


Juliani ka dalë nga banesa rreth orës 14:00. Ka takuar disa shokë dhe më pas ka shkuar në qendrën e internetit. Dikush e ka thirrur dhe është zhdukur


1 dhjetor


Familjarët, të alarmuar nga mungesa 24-orëshe e 10-vjeçarit, bëjnë denoncim zyrtar në polici. Ata vendosin foto në pemë dhe mure në të gjithë Tiranën


3 dhjetor


Një dëshmitare thotë për policinë se e ka parë Julianin në një “fast-food” në Laprakë, ku mori një hamburger dhe iku pa paguar. Familjarët e mohojnë


 


 


Profili


 


Juli, i pasionuar pas


rrjetit social “Facebook”


 


Julian Çela është një djalë fjalëpakë, por shumë i lëvizshëm. Arrin të bëjë shokë menjëherë, madje shoqërohet edhe me të rritur. Në lagje ka pasur shumë bashkëmoshatarë, te të cilët shkonte edhe në shtëpi. Juli flet pak, por preferon të qëndrojë më shumë me shokët sesa me familjen. Madje, pasditeve, së bashku me disa kushërinj, shkonte shpesh te fusha sportive e Laprakës dhe shikonin sesi luanin të rriturit. Pas tyre luanin për disa orë me radhë, madje edhe kur familjarët i kërkonin për në shtëpi, hezitonin. Ndërsa në rrjetin social në “Facebook”, ai paraqitet si çapkën, luan lojëra të ndryshme dhe shfaqej i pasionuar pas qenve, motorëve dhe pokerit. Pas momentit të zhdukjes, familja e tij ka bërë apel te të gjithë qytetarët, me qëllim gjetjen dhe rikthimin e tij në shtëpi. Madje, të afërmit e Skënder Çelës, të cilët kanë ardhur edhe nga rrethet për të kërkuar Julianin, kanë vijuar me ditë të tëra me vendosjen e fotografive në shtylla dhe mure në kryeqytet, duke i kërkuar çdo qytetari që mund ta ketë parë 10-vjeçarin të telefonojë në polici apo te familja. Ata pohojnë se do ta vijojnë këtë nismë, si mbështetje për familjen Çela, e cila gjendet në një situatë të vështirë. Të kontaktuar nga gazeta, ata janë shprehur më parë, pasi tani kanë ndërprerë marrëdhëniet me median, se kontrollet do të shtrihen edhe në qytete të tjera, megjithëse vëmendja kryesore do të mbetet në Tiranë. Familjarët e Julianit 10-vjeçar kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me Policinë e Tiranës, e cila është angazhuar për zbardhjen e kësaj ngjarjeje misterioze. Burimet policore shprehen të rezervuara për dëshmitë e familjarëve, ndërsa pohojnë se qëllimi ka qenë bashkërendimi i informacioneve. Babai i fëmijës, zyrtar i SHISH-it, duke e ditur mjaft mirë vjeljen e informacionit, i ka kërkuar policisë vetëm gjetjen e fëmijës, pa dashur të japë shpjegime rreth aktivitetit të punës së tij. Ai u ka kërkuar që të verifikojnë çdo informacion për zhdukjen misterioze të të birit.