Kontrollet – Policia e Tiranës nuk ka asnjë provë për rrëmbim. Për herë të fundit është parë para katër ditësh në një fast-food, ku mori një hamburger dhe iku pa paguar


Hetime për shoqërinë e të miturit dhe dyshimet se fshihet nga frika


Policia e Tiranës nuk ka asnjë provë për pistën e rrëmbimit të 10-vjeçarit Julian Çela, për të cilin dyshojnë se mund të fshihet nga frika e prindërve që mund ta kenë qortuar shpeshherë. Zyrtarët e policisë pohojnë se kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me familjarët, por kërkimet njëjavore nuk kanë sjellë asgjë të re për identifikimin e vendndodhjes. Dyshimet janë për një ikje të vullnetshme nga ana e të miturit, ndërsa familjarët këmbëngulin për rrëmbim, pasi Juliani nuk është parë nga askush. Megjithatë, drejtuesit e Policisë së Tiranës thanë dje për gazetën “Shqip”, se kanë dëshmi që kanë parë Julianin katër ditë pas zhdukjes në afërsi të Laprakës. Deklaratat e policisë hidhen poshtë nga familjarët, që këmbëngulin se ky informacion nuk është i saktë.


 


Katër ditë pas zhdukjes


Një dëshmitare, banore e Laprakës, ka pohuar për Policinë e Tiranës se e kishte parë Julianin, për herë të fundit, katër ditë pas zhdukjes. Ajo është shitëse në një fast-food, ku Juliani dyshohet se ka shkuar për të marrë diçka për të ngrënë. Dëshmitarja ka kontaktuar me policinë, madje ka dhënë edhe një dëshmi që e kishte njohur Julianin edhe me fotografi. “Katër ditë pas zhdukjes, një fëmijë erdhi në fast-food dhe më kërkoi një hamburger. Ishte i imët. Pasi ia bëra, e mori në dorë dhe u largua me vrap pa paguar. Nuk tentova ta ndiqja, pasi iku me shpejtësi”, ka pohuar kjo dëshmitare para policisë. Më pas i është vënë në dispozicion edhe një fotografi e Julianit, e bërë kohët e fundit. “Ky djalë në këtë fotografi është ai që erdhi në fast-food. Është 100 për qind e sigurt se është ai”, ka thënë dëshmitarja për policinë, ndërsa më pas është pyetur për karakteristikat. Ajo pohoi para policisë se i mituri ishte shtatshkurtër, i veshur me një bluzë me kapuç dhe me xhinse. Karakteristikat ngjasojnë me Julianin, ndërsa familjarët i rrëzojnë këto deklarime, pasi, sipas tyre, janë verifikuar çdo informacion dhe se djali që ka shkuar në këtë fast-food nuk ka qenë Juliani.


 


Shoqëria e 10-vjeçarit


Një tjetër pistë për Policinë e Tiranës është edhe shoqëria e 10-vjeçarit, i cili kishte filluar të frekuentohej me persona më të mëdhenj se veten. Hetuesit kanë dyshime se Juliani mund të jetë rekrutuar nga ndonjë shpërndarës droge apo grup grabitësish që veprojnë në Laprakë dhe bashkëpunon me ta. “Kemi dyshime se i mituri mund të ketë ikur me ndonjë person që vjedh apo shpërndan drogë. Kemi filluar vëzhgimet për këta kontingjent policie. Të dhënat janë marrë nga dëshmia e shokëve të të zhdukurit, që na kanë treguar për lëvizjet e Julianit. Dyshojmë se mund të jetë një largim me dëshirë”, pohojnë burimet policore.


 


Frika nga prindërit


Një tjetër pistë e policisë për zhdukjen e Julianit është “arratia” për shkak të frikës e së miturit nga prindërit, të cilët mund ta kenë qortuar për largimet e shpeshta nga banesa orar pa orar. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën se “një nga pistat hetimore është edhe largimi i Julianit nga banesa për shkak të frikës së prindërve. Ata mund ta kenë qortuar, por ndoshta edhe e kanë qëlluar, për ndonjë gabim që mund të ketë bërë. Nisur nga kjo situatë, ai mund të jetë larguar”. Burimet policore shtojnë se 10-vjeçari mund të jetë larguar nga banesa pa leje ditët e festave, ku ka qenë me shokët e tij në qendër të Tiranës.


 


Te qendra e internetit


Ditën e premte, më 30 nëntor, Juliani nuk kishte shkuar në shkollë. Paradite ka qëndruar në shtëpi dhe shkëputja e linjës së internetit e ka detyruar që të shkojë në një qendër interneti që ofron edhe lojëra. Pronarja e qendrës së internetit, e cila është personi që e ka parë dhe identifikuar për herë të fundit, u ka thënë familjarëve dhe policisë se Juliani ka tentuar të ulet në një kompjuter, por të gjithë ishin të zënë. Ai ka qëndruar disa minuta, madje i ka ofruar edhe pronares, e cila quhet Roza, një flamur, ndërsa është thirrur nga një person që ende nuk është identifikuar. Pikërisht ky detaj për familjarët dhe për policinë është mister. Pronarja e qendrës së internetit thotë se ka qenë me shpinë nga rruga, ku edhe ka qëndruar personi që e ka thirrur, ndërsa i ka dëgjuar vetëm zërin. Ai e ka thirrur në emër dhe, sipas Rozës, Juliani ndoshta e njihte këtë person, pasi është larguar me shpejtësi dhe mimika e fytyrës linte të kuptoje se ishte thirrur nga një shok. Disa dëshmitarë kanë pohuar për familjarët se e kanë parë te shinat e trenit, në rrugën “Josif Pashko”, në Laprakë. s.ç.


Kronologji


30 nëntor – Juliani ka dalë nga banesa rreth orës 14:00. Ka takuar disa shokë dhe më pas ka shkuar në qendrën e internetit. Dikush e ka thirrur dhe është zhdukur


1 dhjetor – Familjarët, të alarmuar nga mungesa 24-orëshe e 10-vjeçarit, bëjnë denoncim zyrtar në polici. Ata vendosin foto në pemë dhe mure në të gjithë Tiranën


3 dhjetor – Një dëshmitare thotë për policinë se e ka parë Julianin në një fast-food në Laprakë, ku mori një hamburger dhe iku pa paguar. Familjarët e mohojnë


6 dhjetor – Një telefonatë u thotë familjarëve se e kishin parë në zonën e “Komunës së Parisit”. Pas verifikimit, rezultoi se nuk ishte 10-vjeçari, por dikush tjetër


Fakte të reja dalin në dritë. Policia: S’ka gjurmë gomash


Dyshimet, Juliani hipi në makinë pas daljes nga qendra e internetit


Dëshmi dhe fakte të reja dalin në dritë pas zhdukjes së Julianit, djalit të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, të cilat flasin për një rrëmbim të mundshëm të 10-vjeçarit. Pas daljes nga qendra e internetit, ku është parë nga shumë persona, Juliani ka hipur në një makinë. Familjarët kanë pyetur personat që qëndronin afër qendrës së internetit, në momentin që Juliani është parë për herë të fundit, madje edhe nga fëmijët e pranishëm në këtë qendër. Ata nuk e kanë parë me fytyrë djalin që e thirri, por pohojnë të gjithë nën një zë se ka qenë më i madh se Juli. Madje, dikush prej tyre, pohon se para qendrës së internetit ka qenë i parkuar edhe një automjet, që është larguar në momentin që doli edhe 10-vjeçari. Të gjitha këto të dhëna ngrenë dyshimin se Julianin mund ta kenë rrëmbyer. “Kemi dyshime se autorët mund të kenë përdorur ndonjë fëmijë të zonës për të thirrur Julianin. Më pas, ai ka dalë nga qendra e internetit dhe ndoshta ka hipur në këtë automjet”, pohojnë familjarët, që shtojnë se gjithçka është e dyshimtë, pasi ata, gjatë këtyre tetë ditëve, kanë dëgjuar shumë versione për largimin e Julianit. “Personat që ndodheshin në makinë ndoshta i kanë thënë se ishin të njohurit e babait të tij. Më pas, kemi dyshime se mund ta kenë gënjyer derisa ka hipur në makinë, e cila është larguar më pas, e paparë nga askush, për tipin dhe ngjyrën”, vijojnë familjarët.


Ky dyshim i tyre, konfirmohet pjesërisht edhe nga Policia e Tiranës, e cila tha për gazetën “Shqip” se dëshmitarët u kanë thënë hetuesve të çështjes për një automjet që ka qenë para qendrës së internetit, ku dyshohet se ka hipur më pas 10-vjeçari. “Kemi dëshmi që flasin për këtë makinë, por jo persona që të konfirmojnë plotësisht prezencën e makinës. Kemi këqyrur vendin e ngjarjes, por nuk kemi gjetur gjurmë të gomave. Nuk ka pasur xhirime gomash dhe për rrjedhojë as mbetje të tyre”, pohojnë burimet policore, që ende nuk kanë vendosur se me çfarë akuze do ta hetojnë këtë ngjarje. “Pa asnjë pistë konkrete, apo me prova të sakta, nuk mund të përcaktojmë akuzën. Gjithçka është në fazë verifikimi dhe synimi ynë është gjetja fëmijës, por edhe e provave që mund të zbardhin çështjen”, thanë burimet policore.


Megjithatë, e vetmja dëshmitare që pretendon se ka parë Julianin pasditen e 30 nëntorit është Roza, pronarja e qendrës së internetit. Në komunikim me familjarët, policinë, por edhe me gazetën “Shqip”, ajo ka pohuar se Juliani tentoi të ulej në një kompjuter, por të lirë nuk kishte. Priti disa çaste dhe më pas dikush e thirri. Ishte më i madh se Juli, thotë Roza, ndërsa tregon se ka biseduar pak me djalin, i cili i ka ofruar edhe një flamur, pasi ishte një ditë pas festave të nëntorit. Sipas familjarëve, kjo është dëshmitarja më serioze, ndërsa të gjitha informacionet e tjera, se e kemi parë këtu dhe atje, janë të pavërteta.