Historia e 52-vjeçarit nga Lushnja, nga emigrimi në ‘91 në Itali deri te verbëria dhe braktisja në Shqipëri
Mjekët janë të shqetësuar se 52-vjeçari mund të ketë infektuar të tjerë persona në qytetin e Lushnjës
Edmond Hoxhaj
Është verbuar prej gjashtë vitesh dhe pasi e kanë braktisur të gjithë të afërmit e familjarët, jetonte me endacakët e qytetit të Lushnjës, të cilët e konsideronin deri para pak muajsh si një “zhigolo” të tyre. Por, 52-vjeçari, i cili jetonte në një banesë të ofruar nga Bashkia e Lushnjës, ka mësuar rreth dy muaj më parë se është i infektuar me virusin HIV. Në këto kushte, tashmë është braktisur edhe nga bashkëjetuesit e viteve të fundit, të cilët i tremben sëmundjes së tij vdekjeprurëse. Duke qenë person me aftësi të kufizuara, ai ka nevojën e një personi që të kujdeset dhe refuzimi i kujdestares që i ka shërbyer kundrejt pagesës gjatë viteve të verbërisë, si dhe mungesa e një qendre rehabilitimi për këtë kategori, ka bërë që ai të strehohet në një prej dhomave të repartit të epidemiologjisë të Spitalit të Lushnjës.
Ekzaminimi
Rreth dy muaj më parë, 52-vjeçari A.B., nga qyteti i Lushnjës, u është nënshtruar analizave të detyruara për të përfituar statusin e personit me aftësi të kufizuara, për shkak të verbërisë së tij. Por, rezultatet e analizave të gjakut kanë ngritur dyshimet e mjekëve, se ai mund të vuante nga një tjetër sëmundje, edhe më specifike dhe më e rëndë. Pasi është ekzaminuar nga specialistë të epidemiologjisë, është konstatuar se ai është mbartës edhe i virusit HIV. Në këto kushte, është shoqëruar për një diagnostikim më të specializuar pranë QSUT-së në Tiranë, ku edhe nën kujdesin e specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik është kuruar për rreth tri javë. Nga burime të gazetës mësohet se prej diagnostikimit është konkluduar se 52-vjeçari A.B. është prekur shumë vite më parë nga virusi HIV. Madje, dyshohet se edhe verbëria i është shkaktuar si pasojë e degradimit fizik që i ka shkaktuar virusi vdekjeprurës. Ndërkaq, pasi është kryer kurimi i nevojshëm, 52-vjeçari ka dalë nga spitali, por kur ka mbërritur në shtëpinë që i ishte vënë në dispozicion nga Bashkia e Lushnjës, ka mbetur i vetëm. Kjo, pasi kujdestarja e tij, T.M., pasi ka mësuar se i verbri vuante edhe nga AIDS-i, ka refuzuar t’i shërbejë. Madje, e frikësuar se mos i ishte transmetuar edhe asaj virusi HIV, ka kryer analizat përkatëse, nga ku është konstatuar se ishte negative. Nga burime të besueshme të gazetës mësohet se kujdestarja ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie seksuale me 52-vjeçarin e verbër, për të cilin kujdesej prej vitesh, por për shkak se i kishte kryer shërbime të ndryshme, si prerjen e thonjve etj., e ka parë të arsyeshme të sigurohej se ajo nuk ishte infektuar nga virusi vdekjeprurës.
Zhigoloja
Historia e të qenët zhigolo e 52-vjeçarit A.B. mësohet të jetë mjaft e hershme, që në vitet e para postkomuniste. Nga persona të cilët e njohin mirë, por që nuk kanë preferuar të identifikohen, është mësuar se i verbri, ashtu si qindra mijëra shqiptarë, është larguar jashtë Shqipërisë në vitin 1991. Ai ka mbërritur në Itali, ku fillimisht ka punuar si emigrant. Por, sipas këtyre personave, më pas është mësuar se 52-vjeçari ka nisur një jetë tjetër, duke u kthyer në zhigolonë e transvestitëve dhe homoseksualëve italianë. Duke bërë këtë mënyrë jetese ai ka arritur të fitojë para për të jetuar dhe ka blerë një shtëpi në qytetin e Lushnjës. Pikërisht në këtë kohë dyshohet se ai është infektuar nga virusi HIV. Por, duke qenë se sëmundja ka bërë të vetën, ai është ndier jo mirë dhe është kthyer në qytetin e tij. Pasi është kthyer në Lushnjë, mësohet që të ketë bërë një jetë të përafërt me atë të Italisë, por të ndryshëm për sa i përket aspektit financiar. Burimet e sipërcituara kanë pohuar për gazetën se në këtë periudhë, për të pasur kënaqësitë e tij seksuale, është detyruar të shesë edhe shtëpinë. Ndërkohë, rreth gjashtë vite më parë ka humbur krejt shikimin dhe ka fituar prej KMCAP-it të Lushnjës trajtimin e tij si person me aftësi të kufizuara. Duke qenë se verbëria ka qenë e plotë ai ka fituar edhe të drejtën e pagesës së një kujdestari. I mbetur pa shtëpi dhe i verbër, ai ka kërkuar që bashkia ta ndihmojë dhe kjo e fundit i ka vënë në dispozicion një apartament. Ndërkohë, mënyra e jetesës së viteve të fundit ka bërë që ai të njihet dhe të shoqërohet me persona që bëjnë një jetë endacakësh në qytetin e Lushnjës. Nuk e ka pasur shumë të vështirë që të gjejë një kujdestare, e cila bashkëjetonte dhe i shërbente në apartamentin që i kishte lëshuar bashkia.
Në këtë kohë, kur ai ka qenë i verbër, duket se është përdorur nga miqtë e tij. Sipas shpjegimeve që mësohet të ketë dhënë para mjekëve që e kanë diagnostikuar dhe kuruar në Tiranë, ka pohuar se ka kryer marrëdhënie seksuale edhe gjatë periudhës kur ishte i verbër. Nga burimet mësohet se ai të ketë pohuar se ka kryer marrëdhënie me “klientët”, të cilët ia gjenin miqtë e tij kundrejt pagesave të vogla që i jepnin për shërbimin që kryente. Ndërkohë, nuk ka shpjeguar nëse ishin femra apo meshkuj personat me të cilët kryente marrëdhënie. Ai ka pohuar se nuk i njeh ata me të cilët ka kryer seks gjatë viteve të fundit, pasi është i verbër dhe nuk i ka parë dot e s’mundet t’i përshkruajë. Ndërkohë, që në një situatë mjaft të vështirë, nuk e ka pasur të lehtë të japë shpjegime të hollësishme, që do të ndihmonin në identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë infektuar prej tij nga virusi HIV. Ndërsa nga burime të tjera mësohet se gjatë viteve të fundit, 52-vjeçari dyshohet të ketë vazhduar të kryejë marrëdhënie seksuale me persona të seksit mashkull. Burime të gazetës janë shprehur se shqetësimet e mjekëve se mos i verbri ka infektuar edhe persona të tjerë, ka bërë që të punohet për identifikimin e atyre me të cilët janë kryer raportet seksuale. Por, deri tanimë, nuk është arritur të zbulohet identiteti i ndonjërit prej tyre, thonë burimet.
Braktisja
I verbri 52-vjeçar njihet nga një pjesë e mirë e banorëve të qytetit të Lushnjës. Teksa i pyesim, edhe pse nuk preferojnë të identifikohen me emër, shprehen se A.B. prej vitesh jeton i vetëm dhe se është braktisur nga çdo person i afërt apo familjar. Sipas tyre, ai që kur është kthyer në Lushnjë, ka nisur të prishë paratë dhe madje ka shitur edhe shtëpinë e tij, duke mbetur i pastrehë. Duket se prirjet e tij seksuale e kanë bërë që të humbasë çdo gjë që ka pasur. Ndërkohë, sipas disa banorëve, edhe vëllai i tij ka ndërruar jetë disa vite më parë, i braktisur edhe ai nga të gjithë. Pas konstatimit të sëmundjes vdekjeprurëse që mbart 52-vjeçari, mjekët dyshojnë se edhe vëllai i tij mund të ketë ndërruar jetë si pasojë e infektimit nga i njëjti virus.
Lushnjë
Braktisja nga kujdestarja, mobilizohet pushteti vendor
Drejtori i Shëndetit Publik Lushnjë: Rasti në fjalë, nxitje për krijimin e një qendre rehabilitimi për personat me HIV
Pas kthimit të 52-vjeçarit të verbër A.B. në qytetin e Lushnjës dhe braktisjes së tij nga kujdestarja e viteve të fundit, drejtues të qeverisjes vendore dhe të institucioneve rajonale kanë zhvilluar një takim, ku kanë diskutuar për mënyrën se si do të rehabilitohet i infektuari nga virusi HIV. Edhe pse drejtuesit e Bashkisë së Lushnjës kanë vënë prej kohësh në dispozicion të 52-vjeçarit një apartament, tashmë ai ka nevojë edhe për shërbim, për shkak të aftësive të tij të kufizuara. Ndërkohë, refuzimi i kujdestares T.M. për t’i shërbyer në vazhdimësi 52-vjeçarit, ka nxjerrë në pah mungesën e institucioneve që nevojiten për rehabilitimin e kësaj kategorie. Por, edhe takimi i zhvilluar mes titullarëve të Bashkisë Lushnjë, Qarkut të Fierit, Drejtorive Rajonale të Shëndetit Publik dhe spitalit të qytetit myzeqar, kanë siguruar vetëm një zgjidhje të përkohshme. Në fund të takimit është vendosur që i sëmuri të qëndrojë përkohësisht pranë Spitalit të Lushnjës, në repartin e epidemiologjisë. Është kërkuar që t’i jepet në dispozicion një dhomë dhe t’i shërbehet prej punonjëseve të këtij reparti për të gjitha nevojat që ai ka. E ndërsa pushteti vendor ka marrë këto masa paraprake, ende në Shqipëri nuk ekziston një institucion që të kujdeset për këtë kategori mjaft specifike.
Shëndeti Publik
Titullari i Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik të Lushnjës, Perin Vogli, ka pohuar për gazetën “Shqip” se i sëmuri është rehabilituar përkohësisht në Spitalin e Lushnjës, pasi nuk ka ende një qendër kujdesi për këtë kategori. Gjithashtu, ai ka shprehur besimin se rasti në fjalë do të nxisë marrjen e masave për të krijuar zgjidhje përfundimtare për këtë pjesë të shoqërisë. “Pasi u njohëm me rastin në fjalë, në bashkëpunim edhe me institucione të tjera rajonale dhe të qeverisjes vendore, morëm masa të menjëhershme duke i krijuar hapësira në repartin e epidemiologjisë pranë Spitalit të Lushnjës për personin në fjalë. Kjo masë e përkohshme u mor pasi në Shqipëri nuk ka ende një qendër rehabilitimi për këtë kategori. Ky problem ekziston në të gjithë vendin, pasi për shkak të specifikave, njerëzit janë të predispozuar t’i braktisin të infektuarit me virusin HIV. Është e nevojshme që ky rast të shërbejë për nxitjen dhe marrjen e masave për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për këtë kategori shoqërore, e cila ka një ndjeshmëri të madhe në opinionin publik. Besoj se tashmë edhe Ministria e Shëndetësisë është njohur me rastin në fjalë dhe është duke marrë masat për të gjetur një zgjidhje sa më emergjente. Madje, paraprakisht është bërë me dije se ky rast po shikohet me prioritet të veçantë”, ka pohuar për gazetën “Shqip”, drejtori Perin Vogli. E.H.
Mjekja: Po i japim gjithë ndihmën e nevojshme
Ndërkohë që 52-vjeçari A.B., i infektuar nga virusi HIV dhe i verbuar prej gjashtë vitesh, është braktisur nga të gjithë, është mirëpritur nga reparti i epidemiologjisë të Spitalit të Lushnjës. Shefja e këtij reparti, mjekia Ermonela Qyrana, ka pohuar për gazetën “Shqip” se janë marrë të gjitha masat që të verbrit të infektuar nga virusi HIV t’i jepet gjithë shërbimi i nevojshëm. “Jemi duke i shërbyer maksimalisht, edhe pse ai tashmë e ka marrë mjekimin në spital. Gjithë stafi i repartit tonë po kontribuon që personit në fjalë t’i jepet shërbimi i nevojshëm, pasi ai është edhe i verbër dhe ka nevojë për ndihmë specifike. Shërbimi që po i bëhet është më shumë i lidhur me verbërinë e tij, sesa me sëmundjen infektive që mbart. Ndërkohë, gjendja e tij shpirtërore është tejet e rënduar dhe jemi përpjekur t’i qëndrojmë sa më pranë, për shkak se te ne nuk është paraqitur asnjë i afërm apo familjar i tij”, ka deklaruar mjekja Qyrana. E.H.