Sezoni turistik, vija bregdetare qetësohet nga ndotja akustike


Lorina Mixha


Brenda periudhës kohore prej dy muajsh në të gjithë vendin janë gjobitur mbi 100 subjekte që kanë prishur qetësinë publike.


Lokalet e natës, pub-et, diskotekat që kanë punuar pas orës 23:30 gjatë javës dhe pas mesnatës në fundjavë me volum të lartë, u penalizuan me vlerën monetare nga 30 mijë lekë në 50 mijë lekë të reja gjobë, të tjerë me mbyllje të aktivitetit, apo sekuestrim të pajisjeve që lëshojnë zhurmë. Inspektorati Mjedisor, në përmbledhjen që ka bërë për raportet statistikore të punës lidhur me ndotjen akustike në vend, referon mbi 100 gjoba për qytetet kryesore të vendit, në mënyrë të veçantë, Tiranën, Durrësin dhe të gjithë vijën bregdetare.


Situata ka ardhur duke u qetësuar në fillim të muajit gusht, për shkak të aktit normativ, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, ku në thelb të tij qëndronin masat shtrënguese për inspektorët dhe pjesëtarët e Task-Forcës së kontrollit të zhurmave.


Raporti


Mbi 100 subjekte, gjatë këtij sezoni turistik, janë gjobitur për zhurmat e larta në mjedis. Vlera e gjobave të vendosura nga Task-Forca e përbashkët e Ministrisë së Mjedisit, Institutit të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Rendit arrin në rreth 47 milionë lekë. Sipas kreut të Inspektoratit Mjedisor, Alfred Deshati, gjatë kontrolleve të kryera ka pasur dhe sekuestrim të pajisjeve që shkaktojnë zhurmë veç ndëshkimit me gjobë.


Janë vendosur mbi 30 gjoba në Tiranë, rreth 10 gjoba në Shkodër, 5 në Lezhë, mbi 15 në Durrës, por edhe në qytete të tjera të vendit. Zona bregdetare dhe Tirana kanë pasur inspektimet më të mëdha për ndotjen akustike. Inspektorët e Task-Forcës kanë deklaruar se pas ndryshimit të ligjit dhe forcimit të kontrolleve kemi një qetësim të zonave problematike, siç është Tirana dhe Durrësi. Ndërsa në fillim të sezonit turistik në Durrës shumica e lokaleve konkurronin se kush e ngrite volumin e muzikës më lart, sot pas orës 23:30 ka shumë pak konkurrencë në kushte të tilla.


Ashtu siç ka sqaruar edhe kreu i Inspektoratit Mjedisor, “Grupi i frikshëm” tanimë është më i fortë, në rast rezistence ndaj inspektorëve, Policia e Shtetit dhe forcat speciale ndërhynë në mënyrë të menjëhershme, duke bërë edhe sekuestrimin e materialeve që prodhojnë zhurmë.


Operacionet


Kemi edhe një muaj sezon turistik. Nëse koha do të jetë e mirë dhe temperaturat e favorshme, lokalet e natës do të qëndrojnë të hapura të paktën deri në mesin e muajit shtator. Në kushte të tilla, kontrollet për ndotjen akustike do të vijojnë deri në fund të sezonit për t’u përqendruar më pas në zonat urbane në lokalet e klubet ku nuk respektohen normat e izolimit.


Sipas ligjit në fuqi, nëse do të evidentohen inspektorë që tolerojnë apo nuk marrin masa emergjente për subjektet që shqetësojnë publikun me volumin e lartë, atëherë për ta masat do të jenë të menjëhershme, duke bërë largimin nga puna dhe ndërprerjen e kontratës me institucionin punëdhënës.


Durrësi, Vlora, Lezha, Saranda, Kavaja, do të jenë në qendër të aksioneve. Nuk do të përjashtohet nga vëmendja Tirana.


 


Dimri


Kontrollet për ndotjen akustike do të vijojnë deri në fund të sezonit, për t’u përqendruar më pas në zonat urbane në lokalet e klubet ku nuk respektohen normat e izolimit


 


Inspektimet


Durrësi, Vlora, Lezha, Saranda, Kavaja, do të jenë në qendër të aksioneve. Nuk do të përjashtohet nga vëmendja Tirana, etiketuar si një nga zonat urbane më të zhurmshme