“Aktivitete brenda lagjeve, vetëm kur nënshkruajnë banorët”


Lorina Mixha


Objekt i kontrollit të mjedisorëve, vendorëve apo Shëndetit Publik nuk janë vetëm lokalet e natës. Përveç klubeve dhe pub-eve çlirojnë zhurmë dhe ndotje akustike furrat e prodhimit të bukës, serviset e automjeteve, gomisteritë, pikat e larjes së automjeteve, punishtet me veprimtaritë e saldimit të metaleve.


Të gjitha këto subjekte, që prishin çdo ditë qetësinë publike, nuk janë në listat e kontrolleve të autoriteteve gjobëvënëse. Madje, në njoftimet apo analizat e sektorëve që kujdesen për qetësinë publike, nuk raportohet asnjë masë dhe statistikë lidhur me subjektet që kanë leje dhe licencë mjedisore në zona të banuara apo të tjera që janë të pajisura me kushte dhe kanë investuar në izolim. Për më shumë vihet në dyshim se në këto zona të banuara, qytetarët kanë firmosur se janë dakord që subjektet të ushtrojnë veprimtari, duke hedhur firma në dokumente zyrtare.


Sipas ligjit që ka hyrë në fuqi një vit më parë, ndotje akustike sjellin po ashtu: veprimtaritë e prodhimit/përpunimit të duraluminit, veprimtaritë e përpunimit të mermerit dhe gurëve dekorativë, veprimtaritë e prodhimit të mobilieve, veprimtaritë që për shkak të natyrës së tyre përdorin vazhdimisht gjeneratorë/ventilatorë, nyjat e fraksionimit të mineraleve. Prodhimi i betonit, llaçit, kollës, gëlqeres, punishtet e pijeve alkoolike, produkteve shtazore dhe bimore, të gjitha këto shkaktojnë zhurmë. Administratorët për të mbajtur biznesin ose duhet të investojnë për izolim në rastet kur operojnë brenda zonave të banimit ose të zhvendosin biznesin në periferi.


Në Fletoren Zyrtare, në fund të vitit 2010, u publikua një udhëzim që hynte menjëherë në fuqi. Sipas udhëzimit, subjektet që shkaktojnë zhurma duhet të nisnin procedurat për pajisjen me leje mjedisore, duke nisur nga dy vjet më parë.


Sipas legjislacionit, me qëllim shmangien, minimizimin dhe kontrollin e efekteve të dëmshme të zhurmës në qetësinë publike dhe mjedis, veprimtaritë ekonomike që lëshojnë zhurmë do t’i nënshtrohen pajisjes me leje të thjeshtë mjedisore (të tipit III 1/A, sipas përcaktimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për licencat dhe lejet që trajtohen nga/apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Licencimit (QKL)”.


Për të marrë këtë leje, nevojitet një dosje voluminoze dokumentacioni. Për pajisjen me leje të thjeshtë mjedisore, subjekti që kërkon të ushtrojë veprimtarinë paraqet pranë QKL-së këto dokumente:


Ekstraktin e regjistrimit të subjektit pranë QKR-së; përshkrimin e objektit ku do të ushtrohet veprimtaria shoqëruar me adresën, planvendosjen dhe fotografi; projektin teknik ku të jepet informacion për llojin e veprimtarisë që synon të zhvillojë, shoqëruar me planimetrinë e objektit ku do të ushtrohet veprimtaria, të dhëna për burimet e zhurmës si pajisjet/aparaturat e instaluara që lëshojnë zhurmë. Kërkohen po ashtu vlera teknologjike përkatëse të lëshimit të zhurmës, distanca me objektet e tjera dhe pozicionimi i tyre në raport me vendndodhjen e veprimtarisë dhe informacion për kohëzgjatjen e orarit të punës që kërkohet të zbatohet; raport për nivelet e pritshme të zhurmës që do të çlirohet në mjedis nga veprimtaria. “Në këtë rast, matja të bëhet në kapacitet të plotë të teknologjisë së instaluar që çliron zhurmë), hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik”, thuhet në udhëzim. Sipas Ministrisë së Mjedisit, kërkohet si pjesë e dokumentacionit fatura e tarifës së shërbimit prej 10 mijë lekësh që paguhet për llogari të Ministrisë së Mjedisit, mendimi i njësisë së qeverisjes vendore, si dhe një procesverbal ku të tregohet që janë konsultuar dhe është marrë mendimi i banorëve pranë vendit ku do të zhvillohet veprimtaria.


 


Konsultimi – Për të marrë lejen mjedisore kërkohet mendimi i njësisë së qeverisjes vendore, si dhe procesverbali i firmosur nga banorët


Banorët – Në rast se banorët janë dakord që do të durojnë zhurmën, sipas ligjit në fuqi, ata duhet të firmosin procesverbalin


Zhurma – Vjen edhe nga veprimtaritë e prodhimit/përpunimit të duraluminit, veprimtaritë e përpunimit të mermerit dhe gurëve dekorativë


Ndotje akustike – Sjellin veprimtaritë e prodhimit të mobilieve, gjeneratorë, ventilatorë, nyjat e fraksionimit të mineraleve


Për pajisjen – Me leje të thjeshtë mjedisore, subjekti që kërkon të ushtrojë veprimtarinë, paraqet pranë QKL-së një dosje voluminoze dokumentesh


 


 


Mjedisorët


Banorët ankohen: Zhurma edhe nga lokalet e lagjeve


Nuk janë vetëm klubet e natës shqetësimi aktual i banorëve kryeqytetas. Problem janë bërë edhe lokalet e lagjeve, subjekte që ulin e ngrenë zërin sipas kërkesave të klientëve.


Megjithëse çdo vit premtohen aksione dhe ndëshkime, situata mbetet pothuajse e njëjtë. Edhe në Tiranë, katet e para të pallateve janë pushtuar nga baret, që po shkaktojnë grumbullime njerëzish, vështirësi në trafik dhe parkime, krahas zhurmave deri në orët e para të mëngjesit.


Ankimimet në Inspektoratin Mjedisor mbërrijnë edhe nga lagje nga Kombinati në Kinostudio. Sipas Inspektoratit Mjedisor, masat nuk do të merren vetëm për klubet ku qëndrojnë qindra e mijëra qytetarë, por edhe për baret e lagjeve. Penalizimi për ta do të jetë i njëjtë duke nisur nga 1 milion lekë të vjetra.