Mjedisorët i kërkojnë bashkisë shqyrtim të licencave
Lorina Mixha
Zhurmat, muzika me zë të lartë, mbipopullimi i klubeve të natës deri në orët e para të mëngjesit do të na shoqërojnë edhe për këtë sezon turistik. Përveç diskotekave, klubeve, pubeve të licencuara nga autoritetet, bashkitë apo inspektoratet mjedisore, të cilat ndodhen në listën e kontrolleve për ndotjen akustike, subjekte të tjera përpiqen t’i shpëtojnë inspektimit për shkak të falsifikimit të dokumenteve. Një pjesë e mirë e lokaleve që prodhojnë zhurmë pranë zonave të banuara nuk rezultojnë të jenë në listën e kontrolleve të autoriteteve, ato kontrollohen, penalizohen dhe gjobiten vetëm në rastin kur paraqiten denoncime.
“Në komunikimet tona me bashkinë kemi vendosur në dukje, kontrollin dhe procesin e dhënies së licencave nga autoriteti vendor. Nuk është normale që një pjesë e mirë e subjekteve të marrin leje dhe licenca mjedisore, për hapjen e një bari apo restoranti dhe më pas, aty të ketë muzikë ‘live’, me zë të lartë deri në orët e para të mëngjesit”, deklaroi Alfred Deshati, drejtori i Inspektoratit Mjedisor, në Ministrinë e Mjedisit.
Sipas tij, një kërkesë që i ka ardhur bashkisë në këtë sezon veror lidhet me nisjen e diskutimeve për largimin e pubeve dhe lokaleve me muzikë të lartë në zonat periferike. Ashtu siç zbatohet edhe në vendet e Bashkimit Europian, klubet e natës që qëndrojnë me muzikë tepër të lartë duke nisur nga mbrëmja e duke vazhduar deri në mëngjes, janë të ngritura në blloqe të veçanta, në periferi të qyteteve. Kjo është edhe mënyra më e mirë për të ruajtur qetësinë publike, për të mos sjellë shqetësime dhe probleme shëndetësore te qytetarët. “Ato subjekte që do të duan të ushtrojnë aktivitetin dhe të mbajnë muzikën e lartë brenda qendrave të banimit, do t’u duhet të investojnë, të plotësojnë të gjitha kriteret dhe të pajisen me metodat dhe teknologjitë e izolimit”, sqaroi kreu i Inspektoratit, Deshati.
Subjektet e palicencuara në të gjithë vendin që prishin qetësinë publike në zonat e banuara janë të pafundme. Kontrollet po ushtrohen në të gjithë vendin, megjithatë problematike mbetet vija bregdetare, nga Velipoja deri në Sarandë.
Tirana dhe Durrësi mbajnë rekord, ndërkohë që përveç policisë bashkiake, autoritetet që kanë për detyrë bashkëpunimin për garantimin e qetësisë publike janë: Ministria e Mjedisit, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Brendshme.
“Problem paraqitet e gjithë vija bregdetare. Ata që ushtrojnë aktivitet me muzikë të lartë duhet të marrin lejen nga agjencitë rajonale. Lokalet, duke konkurruar me njëra-tjetrën përpiqen të ftojnë klientelën, duke e ngritur muzikën sa më lart, ndërkohë që kështu sjellin vetëm zhurmë”, referoi Deshati.
Sipas autoriteteve që monitorojnë ndotjen akustike, Tirana dhe Durrësi paraqesin shqetësimin më të madh. Më pas vijnë lokalet dhe klubet në Jug të vendit, Dhërmiu, Himara, Saranda, Vlora, Kavaja, Velipoja.