Situata e zjarreve vijon të mbetet shqetësuese dhe për operacionet e shuarjeve të tyre prej disa ditësh është angazhuar edhe ushtria. Rreth 700 forca shtesë të ushtrisë janë dislokuar sot në mëngjes herët në Malin e Dajtit dhe në Qafë Priskë. Ndërkohë që janë vënë në dispozicion 7 mjete dhe një autoambulancë, të cilat po vazhdojnë angazhimin e tyre maksimal në këtë operacion prej ditësh.
Operacioni për shuarjen e zjarrit në Dajt drejtohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi, ndërsa në operacion merr pjesë dhe Gjenerali Sandër Lleshi. Në një prononcim për mediat, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi theksoi se situata nga zjarret në Malin e Dajtit është kritike. “Pas kërkesës nga emergjenca civile Forcat e armatosura u angazhuan për shuarjen e zjarreve. Konkretisht po punojnë 800 forca, 45 mjete transporti, 16 autoambulanca dhe 4 helikopterë ndërsa nga Biza do të nisen edhe 300 trupa të tjerë. Janë në gadishmëri dhe presin 2684 trupa, 152 mjete transporti, 16 autoambulanca, 6 zjarrëfikese dhe 4 helikopterë” theksoi Gjunkshi.
Ndërkohë për shuarjen e zjarreve janë ngritur ekipe pune në bashkëpunim dhe me punonjësit e shërbimit pyjor ndërsa gjithashtu ushtria ka vënë në dispozicion edhe një helikopter dhe disa mjete të tjera transporti.
Flakët e zjarrit kanë përfshirë prej ditësh malin e Dajtit, në Priskë edhe pavarësisht përfshirjes në operacionin e shuarjes së flakëve u angazhua edhe helikopteri turk, vatrat e zjarrit nuk u vunë nën kontroll, por u përhapën më shumë.
30 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)