kosoveNjë zyrtar i lartë i ambasadës kosovare në Zagreb është arrestuar, e më pas është liruar, në gjendje të dehur, bën të ditur Koha Ditore. Mediat kosovare raportojnë se bëhet fjalë për zv/ambasadorin Urtak Hamiti, i cili e ka dëmtuar gjithashtu veturën zyrtare të shërbimit diplomatik.


I dehur, përtokë, i rrethuar me policë dhe një veturë diplomatike të dëmtuar afër. Burimet i kanë konfirmuar KTV-së se personi i arrestuar në Zagreb është Urtak Hamiti, zv. ambasador i Kosovës në Kroaci.


Skandalin e ri diplomatik të Kosovës e ka pasqyruar gjerësisht televizioni kroat Nova, në versionin elektronik të saj, Dnevnik. Sipas përshkrimit të saj, zyrtari kosovar ka terrorizuar njerëzit në rrugët e Zagrebit me sjellje të pakontrolluara me veturën e tij zyrtare.


Dëshmitarët thanë se ai goditi disa vetura që ndodheshin në parking, dhe ata e ndaluan dhe e mbajtën derisa erdhi policia për ta arrestuar. Dëshmitarët i thanë policisë se zyrtari kosovar ishte aq i dehur saqë nuk mund të qëndronte në këmbë.


Në ambasadën e Kosovës në Zagreb e kanë konfirmuar për Dnevnik arrestimin e zyrtarit të saj, por pohojnë se nuk ka pasur aksident trafiku. Madje, ambasada e Kosovës e mohon edhe gjendjen e dehur të zyrtarit.


Sipas ambasadës, e gjithë ngjarja ishte keqkuptim dhe zyrtari ishte liruar pas 10 minutash. Urtak Hamiti është djali i nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Sabri Hamiti, i LDK-së.


2 gusht 2013 (gazeta-Shqip.com)