KLD shtyn vendimmarrjen e “ndëshkimeve” disiplinore ndaj gjyqtarëve Vasil Hanxhari (Vlorë) dhe Pashk Gjaci (Përmet). Këta gjyqtarë janë përmendur edhe më parë për abuzime…
Sokol Çobo

Pashk Gjaci – Gjyqtari i Përmetit është filmuar nga “Fiks Fare” në vitin 2011 gjatë një konflikti pronësie në Lezhë
Apeli i ndërkombëtarëve për të luftuar korrupsionin në drejtësi, Këshilli i Lartë i Drejtësisë (KLD) i përgjigjet vetëm me ndëshkime disiplinore. Në muajin korrik, gjyqtarja Elona Gjoka u shkarkua me arsyetimin se kishte zvarritur proceset gjyqësore, apo kishte bërë mungesa në punë të paarsyetuara. Shtatë anëtarë votuan për shkarkim dhe tre kundër, ndërsa më parë, KLD-ja ka qenë e ndarë për ndëshkimet e gjyqtarëve. Rasti i Gjokës bën përjashtim nga radhët e gjyqësorit, pasi të gjitha propozimet e ministrit të Drejtësisë për shkarkime janë rrëzuar, ndërsa u janë dhënë masa më të lehta. Dje, KLD-ja kishte mbledhjen e radhës, ku ndër të tjera u diskutua edhe për ndëshkimin e dy gjyqtarëve, njëri i Vlorës dhe tjetri i Përmetit.
Procedimet
Në mbledhjen e radhës, KLD-ja diskutoi edhe për ndëshkimin ose jo të gjyqtarëve Vasil Hanxhari i Vlorës dhe Pashk Gjaci i Përmetit. Inspektoratet e kontrollit në ministri dhe KLD konstatuan se dy gjyqtarët kishin zvarritur disa çështje, kryesisht penale, nga 6 muaj që është afati, deri në dy vite. Inspektorët kanë përpiluar edhe raportet përkatëse, ku në fund, ministri i Drejtësisë i është drejtuar KLD-së për masat ndëshkimore. Burime nga mbledhja e djeshme e KLD-së thanë për gazetën “Shqip” se gjyqtari Vasil Hanxhari kishte sjellë një raport mjekësor, ku i kërkonte anëtarëve të Këshillit që të shtynin vendimmarrjen ndaj tij. Në këtë situatë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëherazi kreu i KLD-së, vendosi të shtyjë këtë procedim disiplinor. Gazeta pyeti pranë Këshillit nëse gjyqtari Hanxhari “akuzohej” edhe për ndonjë episod tjetër, kryesisht për korrupsion, pasi emri i tij ka dalë nga një hetim penal pak javë më parë në qytetin e Vlorës. KLD-ja tha se, për çështjet penale, prokuroria duhet të kërkojë autorizim për kontrolle apo për ndonjë masë tjetër të mundshme dhe paraprakisht gjyqtari në fjalë procedohet vetëm për zvarritje procesesh gjyqësore. Për kujtesë, një shofer i Gjykatës së Vlorës, Robert P., ndodhet në burg për korrupsion, pasi kishte pranuar të merrte 20 mijë euro për një çështje gjyqësore. Shoferi u mori ryshfet disa familjarëve të një të dënuari. Çështja gjyqësore për të cilën u paguan paratë i përket vitit 1997, ku një person akuzohet për plagosje dhe grabitje me armë. Treshja e gjykatësve që kishte në gjykim këtë çështje janë relatori Vasil Hanxhari dhe dy anëtarët Gjinovefa Gaba dhe Skënder Damini. Akuza dyshon se shuma prej 20 mijë eurosh e sekuestruar gjatë arrestimit të këtyre shtetasve do të përdorej për të korruptuar gjyqtarët që ishin në trupin gjykues, megjithëse asnjë nga të arrestuarit nuk e ka pranuar diçka të tillë. Procedimi i dytë disiplinor që do të shqyrtohej dje ishte për gjyqtarin e Përmetit, Pashk Gjaci. Edhe për këtë çështje, KLD-ja shtyu vendimmarrjen, pasi ministri i Drejtësisë kërkoi më shumë kohë për të kërkuar masën disiplinore. Gjaci, ashtu si edhe Hanxhari, dyshohet se ka zvarritur proceset gjyqësore. Megjithatë, emri i tij është publikuar pak vite më parë, gjatë një investigimi të emisionit “Fiks Fare”. Gjyqtari, i veshur me pushtetin që i jepte detyra, kërcënonte se do t’u merrte pronën disa qytetarëve, të cilët figuronin pronarë me certifikatë pronësie, madje u dëmton edhe pronën. Ngjarja ka ndodhur në janar 2011, në zonën e njohur si Gryka e Lumit, në Tale të Lezhës, kur zoti Pashk Gjaci, i shoqëruar nga disa persona, hyri në pronën e P.Gj. Pronarët kallëzuan gjyqtarin në prokurori, por u gjykua babai i gjyqtarit.
Mbledhja e djeshme
Presidenti drejtoi mbledhjen e radhës, që nisi me shqyrtimin dhe miratimin e skemës së përgatitur nga grupi i punës për kryerjen e studimit për volumin e çështjeve gjyqësore në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit. Më tej, Këshilli vijoi me propozimin për emërimin përfundimtar të magjistratëve, të cilët kanë përfunduar vitin e tretë të Shkollës së Magjistraturës, në vitin akademik 2013-2014, profili gjyqtar. Anëtarët vendosën konstatimin e mbarimit të ushtrimit të detyrës më datë 22 gusht 2015, për shkak të mbushjes së moshës së pensionit, të gjyqtares së Vlorës, Anastasi Shehu. Këshilli shqyrtoi dhe miratoi kërkesën për dorëheqje nga detyra, të gjyqtarit të Pogradecit, Klodian Rado, i cili do të punojë në një organizatë ndërkombëtare. Ndërkohë, u shpall vakant posti i kreut të Gjykatës së Përmetit.