100-vjetori
Përfaqësues të ekipeve spanjolle dje kanë zyrtarizuar ardhjen në Shqipëri. Ndeshjet do të luhen në “Qemal Stafa”
Nuk është më një ëndërr për shqiptarët dhe futbollin në Shqipëri, Messi & Co do të zbresin në Tiranë. Pak ditë më parë ishte thënë se presidenti i Flamurtarit dhe njëkohësisht kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika kishte kryer një takim me përfaqësues të ekipit të Barcelonës, për të zhvilluar një takim miqësor në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Ishte deklaruar se ndeshja do të luhej në Vlorë. Dje është vërtetuar e kundërta, por gjithsesi, e rëndësishme është që yjet e Europës do të zbresin në tokën shqiptare për 100-vjetorin e Pavarësisë. Takimi i parë do të jetë ai kundër Seviljas, që do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Data nuk është përcaktuar ende, por muaji është shtatori. Dje gjithçka është zyrtarizuar, pasi dhe MTKRS-ja ka qenë e interesuar për të sjellë dy nga klubet më të mira spanjolle dhe më të njohura në arenën ndërkombëtare për futbollin, Barcelonën dhe Seviljen. U fol se do të kishte një takim miqësor me Barcelonën, por këtë herë është nënshkruar për dy. Është rënë dakord që katalanasit të vijnë në “Qemal Stafa” në muajin nëntor, i cili përkon me muajin e përvjetorit të pavarësisë së vendit. Gjithashtu, edhe pas rikonstruksionit të plotë që do të marri impianti “Qemal Stafa”, tashmë i vjetruar, Barcelona do të rikthehet sërish për ta inauguruar atë. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi priti sot një delegacion nga klubi i futbollit të Barcelonës, i përbërë nga drejtues dhe menaxherë, kryesuar nga zv/presidenti i klubit, Fuste Zhozep Maria. Maria ishte i shoqëruar gjithashtu nga Zhose Karlos Garsia, si dhe Desa Zherome, përfaqësues të medias spanjolle. Në takim mori pjesë Zv/ministri i Sporteve, Dashnor Bajaziti, dy nga sponsorët kryesorë që do të mundësojnë ardhjen e këtyre dy ekipeve në vendin tonë, Blerim Hoxha dhe Besim Ruçi, si dhe përfaqësues të Drejtorisë së Sportit. Ministri Bumçi gjatë takimit shprehu konsideratat më të larta për këtë ekip me emër në botë, si dhe u shpreh i gatshëm për të dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e dy ndeshjeve miqësore në kuadër të 100- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Fuste Zhosep Maria në takim garantoi ardhjen në Shqipëri të dy skuadrave spanjolle, Sevilja dhe Barcelona, ndërsa shprehu dëshirën që Barcelona të jetë skuadra e fundit që do të zhvillojë një ndeshje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” para prishjes së tij dhe e para që do të zhvillojë një ndeshje në përurimin e stadiumit të ri. Përfaqësuesit e Barcelonës kanë ardhur në vendin tonë për të parë nga afër kushtet e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, ku do të zhvillohen dy ndeshjet miqësore në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Ndeshja Flamurtari-Sevilia tashmë është përcaktuar, do të luhet në fillim të muajit shtator, ndërsa ndeshja me Barcelonën mendohet të zhvillohet brenda muajit nëntor, por ende nuk ka një datë të përcaktuar për të. Pas takimit mes krerëve të klubit spanjoll dhe krerëve të MTKRS-së janë kryer dhe inspektimet në stadiumin “Qemal Stafa” për ambientet dhe terrenin ku do të luhen takimet. Gjithçka është “ok”, ndërsa pritet vetëm zbarkimi i yjeve në Shqipëri.