Drejtori për Euroazinë, Jonathan Moore, takime me Berishën dhe Ramën
Ylli Pata
Në mes të krizës së shpërthyer në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku mazhoranca ka zëvendësuar me shumicë votash anëtarin e LSI-së, ndërsa nënkryetari ka dhënë dorëheqjen, në Tiranë mbërrin një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, me një mision të posaçëm diplomatik. Jonathan Moore, kreu i Drejtorisë për Euroazinë në Departamentin Amerikan të Shtetit
prej ditës së djeshme ndodhet në Tiranë, për të sjellë në mënyrë direkte mesazhin dhe qëndrimin e sekretarit të Shtetit, John Kerry. Vizita e zyrtarit të DASH, në momentet e shpërthimit të krizës duket se do të jetë përveçse mesazh-sjellëse, edhe negociuese, pasi tashmë nuk bëhet fjalë për faktin e kryer të mazhorancës që ka ndryshuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por me një krizë të hapur në këtë institucion si pasojë e largimit të nënkryetarit dhe mundësisë së dorëheqjes së një anëtari tjetër. Zoti Moore, si përfaqësues i SHBA-së, do të shoqërohet në misionin e tij edhe me dy përfaqësues të rëndësishëm europianë, siç janë reporterët e Këshillit të Europës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco. Ky delegacion i përbashkët krijon idenë e një qëndrimi të përbashkët të komunitetit ndërkombëtar për zgjedhjet në Shqipëri.
Sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës dy raportuesit Evans dhe Petrenco do të qëndrojnë në Tiranë nga data 17 deri më 19 prill dhe do të zhvillojnë takime me Presidentin, Kryeministrin, ministrin e Drejtësisë dhe përfaqësues të disa komisioneve parlamentare.
Lëvizjet
Dita e hënë ka qenë shumë aktive për lëvizjet e Uashingtonit zyrtar pas qëndrimit të mazhorancës për të mos u tërhequr nga nisma e shkarkimit të anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho. Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, e bëri të qartë qëndrimin e SHBA kundër kësaj nisme, madje këtë ia bëri të ditur edhe Berishës, në një takim të zhvilluar natën vonë në zyrën e Kryeministrit. Pas këtij takimi, ka qenë emblematike fotoja pas këtij takimi ku një zyrtare e ambasadës së SHBA me gishtin tregues drejtuar te Berisha largohet nga selia e qeverisë. Siç mësohet, Departamenti i Shtetit kërkon informacione të plotësuara nga ambasada në lidhje me situatën. Zoti Arvizu shkoi në Parlament së bashku me zv.ambasadorin Jardine për të ndjekur situatën hap pas hapi. Siç bëri të ditur dje asistenti politik i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Jay Porter, gjatë një leksioni para studentëve të një universiteti privat, deri në orët e mëngjesit ka pasur komunikim intensiv me Uashingtonin. Në adresë të ambasadës në Shqipëri, ka mbërritur një email në orën 3:00 të mëngjesit me orën tonë, për të kërkuar të dhëna shtesë, përveç atyre që ishin publikuar nga mediat ndërkombëtare si titull kryesor. Raporti mban firmën e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, i cili u investua gjatë gjithë ditës së hënë përmes deklarimeve dhe takimeve, për të ndalur zëvendësimin e anëtarit të propozuar nga LSI në KQZ. Sekretari politik i ambasadës, duke folur gjatë një takimi me studentë, tha se interesi i Departamentit të Shtetit, që drejtohet nga John Kerry, për çështje me ndjeshmëri të lartë, është i madh, sa herë ka ngjarje me rëndësi. Duke mos komentuar më tej përmbajtjen e raportit që u nis drejt Uashingtonit përmes postës elektronike në orën 3:00 të mëngjesit dhe që lidhet me shkarkimin e anëtarit të KQZ, i ngarkuari për çështjet politike në ambasadë, Porter, theksoi se në interesin e SHBA-së, por edhe vetë shqiptarëve, mbetet organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kie – Bashkë me zotin Moore, në Tiranë kanë mbërritur edhe dy reporterët e Këshillit të Europës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco. Sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Këshillit të Europës, dy raportuesit Evans dhe Petrenco do të qëndrojnë në Tiranë nga data 17 deri më 19 prill dhe do të zhvillojnë takime me Presidentin, Kryeministrin, ministrin e Drejtësisë dhe përfaqësues të disa komisioneve parlamentare.
“Podesta” – Kompania lobuese e pajtuar nga qeveria për të përmirësuar imazhin e vendit, “Podesta”, ka vazhduar të lobojë edhe të hënën në darkë, duke tentuar të bindë opinionin ndërkombëtar se anëtari i LSI-së në KQZ, Ilirjan Muho, kishte probleme me ligjin pasi ishte shkarkuar dikur kur mbante detyrën e prokurorit. Sipas email-it të publikuar nga “Tema”, kompania që është paguar me 720 mijë USD nga buxheti, ka bombarduar mediat ndërkombëtare me argumentet e reja që solli PD për të shkarkuar anëtarin e KQZ dhe jo balancimin e komisioneve zgjedhore, siç theksonte në një email paraardhës
