Drafti – Me asistencën e OSBE-së dhe të ekspertëve britanikë në vitin 2012 është hartuar një draft mbi mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve sekrete
Seminari i IDM-së
Inspektori i përgjithshëm, Saimir Kodra, përplaset me deputetin Gjoni
BLEDAR HOTI
 Llogaridhënia e Shërbimeve Sekrete, si dhe mungesa e një ligji të saktë mbi mbikëqyrjen e agjencive të shërbimeve sekrete ishte objekt i diskutimit në seminarin e organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM). Ekspertët e kësaj fushe në diskutimet e tyre vunë theksin te mungesa e ligjit për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve, i cili ndodhet si draft prej më se dy vitesh në sirtarët e kryeparlamentares Jozefina Topalli. Fillimisht eksperti Arjan Dyrmishi paraqiti një material, i cili trajtonte mungesën e llogaridhënies së agjencive të shërbimeve sekrete. “Mandatet dhe kompetencat e agjencive shqiptare të inteligjencës janë zgjeruar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, ndërsa llogaridhënia ka mbetur në vend. Mungesa e mekanizmave efektivë të kontrollit dhe mbikëqyrjes mund të shpjerë në abuzime të shërbimeve të inteligjencës me kompetencat e tyre në politizim të inteligjencës, cenim të të drejtave të njeriut dhe të proceseve demokratike”, tha Dyrmishi.

Deklarata e zyrtarit të SHISH
Inspektori i përgjithshëm i SHISH, Saimir Kodra, i pranishëm në këtë takim e cilësoi si të domosdoshëm hartimin e një ligji të tillë, porse ai doli kundër raportit të paraqitur se “gjatë vitit 1997, SHIK nuk funksionoi”. Duke folur për përgjimet, Kodra u shpreh se “SHISH mund të ketë tejkaluar ligjin, por kjo ka ndodhur vetëm për shkak të punës së tij”. “Në një shërbim të tillë mund të ndodhë edhe kjo, prandaj institucionet duhen kontrolluar dhe mbikëqyrur. Mund të ndodhë që të shkelin ligjin, kjo edhe nga dëshira për të bërë punën, jo aq shumë nga dëshira ose vullneti për të ndihmuar një person apo një krah politik. Unë personalisht mendoj se kjo është e kapërcyer në Shqipëri, por për të parandaluar mundësinë e kapërcimit të hapësirave që ka lejuar ligji është patjetër e domosdoshme rritja e nivelit të kontrollit dhe sidomos mbikëqyrjes parlamentare”, deklaroi inspektori i përgjithshëm i SHISH-it, Kodra, i cili është emëruar në këtë detyrë nga Kryeministri Sali Berisha. Ky qëndrim është pasuar nga një reagim i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, socialisti Ilir Gjoni, duke theksuar se për këtë gjë duhet të bëhet një mbikëqyrje që të mos ketë abuzime. “Nuk jam dakord me një deklaratë të tillë se mund të ndodhë që të shkelet ligji dhe kjo për hir të punës. Kjo është pika që ne duhet të ngremë antenat e të japim alarmin, pasi mund të lindin abuzimet. Në petkun e sigurisë kombëtare, apo tani për faktin se jemi anëtar të NATO-s, lindin hapësira për korrupsionin dhe përgjime të paligjshme. Ish-shefi i SHIU-t u akuzua nga media për konflikt interesi. Ai nuk u ndëshkua, por u ngrit në një detyrë tjetër. ILDKP-ja ende nuk ka ndërhyrë deri më tani. Duhet të vendosen mekanizmat e kontrollit, ndryshe do të kemi abuzime me çështjet e të drejtave të njeriut”. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, në diskutimin e tij, deklaroi se duhet të bëhet kujdes në miratimin e ligjeve. Ai solli shembullin e draftit të ri për përgjimet e telekomunikimeve, duke theksuar se nëse ka ndonjë paqartësi dhe lihet mundësi për abuzime, ai draft duhet të bllokohet, duke mos e votuar në Kuvend. Një qëndrim i tillë hasi kundërshtinë e drejtorit ekonomik të SHISH-it, Shkëlqim Spahiu, i cili tha se “miratimi i një ligji të tillë është i domosdoshëm për SHISH-in dhe se s’jam dakord me qëndrimin e mbajtur nga deputeti Gjiknuri”. Drejtori i IDM-së, Sotiraq Hroni, tha se u kishte bërë ftesë edhe deputetëve të mazhorancës, porse nuk ishin të pranishëm. Ai theksoi se edhe në deklarimet e kryekomisionerit Leonard Demi janë pro miratimit të draftit për mbikëqyrjen parlamentare. Ish-presidenti Rexhep Meidani e cilësoi si domosdoshmëri ngritjen e nënkomisionit parlamentar për çështjet e SHISH-it, si dhe për ligjin e mbikëqyrjes parlamentare të shërbimeve sekrete në Shqipëri.
Raporti
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim paraqiti një raport për llogaridhënien e shërbimeve inteligjente në Shqipëri. Aty konstatohet mes të tjerash, se mandati dhe kompetencat e këtyre shërbimeve janë zgjeruar ndjeshëm, ndërsa llogaridhënia nuk ka ndryshuar, duke krijuar shtigje për abuzime. Një tjetër çështje e ngritur ishte edhe ajo e deklasifikimit të dokumenteve sekrete.
Nënkomisioni – Edhe pse ligji e parashikon prej 8 vitesh nuk funksionon nënkomisioni kuvendor për SHISH
ILDKP-ja – Përfaqësuesi i ILDKP-së, Albi Serani, tha në këtë takim se funksionarët e SHISH-it janë kontrolluar dhe se ata s’janë totalisht të paprekshëm
SHISH – Përfaqësuesit e SHISH-it e kanë cilësuar si të domosdoshëm miratimin e një ligji për kontrollin parlamentar të agjencive të shërbimeve sekrete