Qendra e internetit – Juliani është parë për herë të fundit në qendrën e internetit në Laprakë. Këtë fakt e konfirmon edhe pronarja e kësaj qendre, e cila tha se 10-vjeçari është thirrur më pas nga një person.
Makina e dyshimtë – Një tjetër dyshim i policisë, por edhe i familjarëve është se jashtë qendrës së internetit ka qenë një makinë, e cila pas daljes së Julianit është larguar pa lënë asnjë gjurmë
Shinat e Trenit – Familjarët kanë marrë një informacion se 10-vjeçari ishte parë në rrugën “Josif Pashko”. Dikush kishte telefonuar se e kishte parë në këtë vend, një djalë me xhinse e bluzë me kapuç
“Fast-Food”-i – Ndërkohë, ndryshe nga familjarët, policia thotë se Juliani është parë katër ditë pas zhdukjes në një fast-food në zonën e Laprakës. Pasi ka marrë hamburgerin është larguar pa paguar
Policia – Policia dyshon se 10-vjeçari mund të jetë larguar me ndonjë person kontingjent policie, të cilin e kishte njohur edhe më parë. Ka dyshime se shoqërohej me një grabitës 13-vjeçar
Familjarët – Nga ana tjetër, ndryshe nga policia, të afërmit hedhin dyshime për një rrëmbim dhe jo për largim me dëshirë nga banesa. Sipas tyre, gjithçka mund të jetë e organizuar
Skënder Çela, komunikon me hetuesit, ndërsa nuk jep detaje për punën e tij
Sokol Çobo
Në ditën e tetë të zhdukjes së Julian Çelës, babai i tij, Skënderi, i cili është nëndrejtori i antiterrorit në SHISH, denoncon ngjarjen në Prokurorinë e Tiranës. Pasditen e djeshme, ai ka komunikuar me zyrtarët e akuzës, duke dhënë detaje nga zhdukja e 10-vjeçarit, më 30 nëntor, në zonën e Laprakës në Tiranë. Burime zyrtare nga akuza e kryeqytetit thanë për gazetën “Shqip” se Çela pretendon se nuk i është kthyer djali në banesë, madje ka treguar me detaje të gjithë ngjarjen, që nga sjellja e djalit të tij, shoqëria në Laprakë, ditët para zhdukjes dhe 30 nëntorin, ku kishte qenë deri në orën 16:00, pasi më vonë nuk rezulton ta ketë parë njeri. Akuza e kryeqytetit tha se ka filluar veprimet e para hetimore, ku do të rimerren në pyetje të gjithë personat që e kanë parë, ku dëshmitarja kryesore është padyshim pronarja e qendrës së internetit, e cila ka dëshmuar se “Julin e thirri dikush”. Megjithatë, bashkëpunimi për gjetjen e tij sërish është në dorë të policisë, e cila ka të gjitha mjetet, por edhe personat në terren, që mund të marrin informacion të drejtpërdrejtë.
Zhdukje apo largim?
Burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se Skënder Çela ka pretenduar se nuk i është kthyer djali në banesë, ndërsa ka kërkuar nga Prokuroria e Tiranës që të nisë menjëherë hetimet. Deri dje, sipas burimeve zyrtare, në akuzën e kryeqytetit nuk kishte mbërritur asnjë material apo informacion policor për këtë çështje, pasi policia ende nuk kishte një informacion të saktë sesi duhet ta referonte çështjen. Verifikimet e policisë nuk flasin për një rrëmbim apo zhdukje misterioze, por vetëm largimin me dëshirë të 10-vjeçarit. Madje, pretendon policia, katër ditë pas zhdukjes, Juliani është parë në një fast-food, ku ka marrë një hamburger dhe është larguar pa paguar. Për këtë episod, ka edhe një dëshmitare, e cila tregon se djali që ka marrë hamburgerin ngjason shumë me djalin që i ka dhënë me foto policia. Megjithatë, familjarët e Julianit pretendojnë se një gjë e tillë është e pavërtetë dhe se provat e policisë po deformojnë ngjarjen. Nisur edhe nga ky “konflikt”, familjarët kanë kontaktuar prokurorinë, që të hetojë këtë ngjarje me seriozitet, pasi, krahas largimit me dëshirë, dyshojnë për një rrëmbim.
Pretendimet e babait
Nëndrejtori i antiterrorit në SHISH, Skënder Çela, ka komunikuar dje me zyrtarët e akuzës së kryeqytetit, pas bashkëpunimit 8-ditor me policinë, ku nuk u arrit të ngrihej një pistë për zhdukjen e Julianit 10-vjeçar. Kërkesat e tij ishin të thjeshta dhe të prera: të hetohet zhdukja. Ndërsa më pas, pa dashur të japë pista hetimore, u ka thënë hetuesve se djali i tij nuk i është kthyer në banesë prej tetë ditësh. “Kemi kontaktuar me Skënder Çelën dhe kemi marrë një dëshmi paraprake të tij. Pas verifikimeve paraprake dhe koordinimit të punës me policinë, e cila është marrë me këtë rast, do të kërkojmë një dëshmi të plotë të Skënder Çelës më vonë” pohojnë burimet e akuzës. Megjithëse sot mbushen 9 ditë nga zhdukja e Julianit, ende policia dhe prokuroria nuk kanë asnjë pistë konkrete, por vetëm informacione që konsiderohen pa vlerë. Një “hetim” më të detajuar e kanë bërë familjarët e të zhdukurit, të cilët kanë marrë në pyetje të gjithë personat që pohojnë se e kanë parë Julin më 30 nëntor. Madje, kanë avancuar më shumë sesa policia, duke verifikuar në kohë rekord informacionet që vinin në adresë të tyre, nga qytetarë të thjeshtë. Ata kanë vendosur fotografi të 10-vjeçarit në kryqëzimet e Tiranës, pranë shkollave, në mure, pemë dhe stacione autobusi. Duke qenë se babai i Julianit punon në SHISH dhe e njeh mirë mbledhjen e informacionit, ai u ka kërkuar të afërmve që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duke i ndarë në zona të caktuara. Megjithatë, rezultatet kanë qenë të pakta, pasi nga këto verifikime ende nuk është gjetur asnjë e dhënë për Julianin.
Pistat hetimore
- Është larguar me dëshirë nga banesa
- Shoqërohet me grabitës nga Lapraka
- Rrëmbim për shkak të punës së babait
- Rrëmbim për qëllime trafikimi
- Rrëmbim nga trafikantët e drogës
Misteri
Pas të afërmve, policia i kërkon drejtoreshës së shkollës së Julianit të mos flasë në media
“Mesazhet”, familja ndërpret komunikimin me mediat
Familja Çela ka ndërprerë çdo komunikim me mediat, duke sjellë një situatë misterioze rreth zhdukjes së 10-vjeçarit. Ditë më parë, pjesëtarë të kësaj familjeje, kërkuan që çështja të mediatizohet dhe të apelohet për gjetjen e Julianit të mitur, ndërsa tashmë, ata preferojnë të heshtin dhe të mos japin asnjë informacion, ndoshta me kërkesë edhe të policisë së Tiranës, me të cilët kanë pasur informacione kontradiktore. Agjentët e policisë dhe të afërmit e Skënder Çelës, kanë qenë në terren për të kërkuar ndonjë dëshmitar dhe shpeshherë janë “përplasur” me njëri-tjetrin, madje edhe me informacionet. Rasti më flagrant është ajo e shitëses së fast-food-it, ku policia pretendon se ajo e ka parë Julianin, ndërsa familja pohon se shitësja në fjalë nuk ka asnjë informacion. Nisur nga kjo situatë, gazeta “Shqip” tentoi të komunikojë me familjen Çela, madje edhe në banesën e tyre në zonën e Laprakës. Ndryshe nga herët e tjera, dera e shtëpisë ishte e mbyllur dhe pas insistimit, familjarët thanë presë se “nuk duam ta bëjmë më mediatike”. Pa dashur të aludojmë me këtë kërkesë, e cila është private dhe personale, jemi larguar nga banesa, ndërsa ka të dhëna se kërkesa në fjalë është bërë nga policia. Megjithatë, asnjë informacion që mund të ketë mbërritur në këtë familje nuk përjashtohet.
Drejtoresha e shkollës
“Policia na ka thënë që të mos nxjerrim asnjë informacion për Julian Çelën”. Kështu shprehet drejtoresha e shkollës 9-vjeçare, “Jeronim De Rada”. Ndër të tjera ajo ka thënë se në sjelljen e 10-vjeçarit nuk kishte asgjë të pazakontë dhe se ai vinte rregullisht në shkollë. Ndërsa në 30 nëntor ai nuk ka qenë në mësim, e për pasojë ka marrë 6 mungesa, për çdo orë mësimi. “Të premten fëmija nuk është paraqitur në shkollë. Ne për këtë njoftuam edhe prindërit në telefon. Kështu veprojmë se herë që nxënësit nuk shkojnë në shkollë. Babai i vogëlushit më tha se ishte në dijeni të mungesës së tij në shkollë dhe se djalin e kishin në shtëpi. Për të zbatuar rregulloren i vendosëm mungesat”, tregon ajo. Ndërsa në lidhje me sjelljen e Julian Çelës, drejtoresha e shkollës shprehet se ai ka qenë një fëmijë shumë i sjellshëm dhe se nuk ka shkaktuar asnjëherë probleme. “Në të gjitha anët ai ka qenë i shkëlqyer. Nuk e di se si ndodhi kjo dhe më vjen keq”, vijon ajo. Duke e pyetur në lidhje me shoqërinë e të miturit, drejtoresha nuk pranon që të japë shpjegime të tjera, pasi policia e ka urdhëruar që të heshtë. “Nuk e di se çfarë bënte jashtë oborrit të shkollës. Nuk mund të flas më tepër se policia na ka thënë që të mos japim asnjë shpjegim dhe të mos lejojmë asnjë prej mediave që të futet në ambientet e shkollës”, citon ajo. Dera e shkollës ishte e mbyllur dhe te porta qëndronte një punonjëse. Para se të hyje në oborr, ajo të bënte një sërë pyetjesh, për të kërkuar shpjegime se kush ishim dhe çfarë kërkonim.