
Para disa ditësh, reperi i njohur Genc Prelvukaj zbuloi për ndjekësit e shumtë se ishte infektuar me koronavirus. Ai shprehej se edhe pse kishte gati një vit që bënte kujdes të madh, nuk i shpëtoi infektimit nga virusi.

“Për gati një vit kujdes, masa mbrojtëse dhe shmangie sa më shumë nga kontaktet me njerëz, për fat të keq, pas disa shqetësimeve shëndetësore i jam nënshtruar testimit të Covid-19, me ç’rast kam rezultuar pozitiv. Përkundër shqetësimeve jo të vogla shëndetësore, këtë betejë kam vendosur ta fitoj sa më parë”, shkruante Genci krahas fotos së tij.

Nga ana tjetër, partnerja e tij Eni Koçi vendosi që në “Instastory” të postonte një video të Prelvukajt, i cili ndodhej në spital dhe po merrte serum.
“Me dashurinë time. Do t’ia dalim!”, shkruante këngëtarja e njohur.
Ndërkohë ndjekësit u shqetësuan pas këtij postimi, e si pasojë këngëtari vendosi që të fliste rreth gjendjes së tij shëndetësore. Reperi bëri një postim në “Instastory” ku tregonte se thuajse po shërohet dhe se gjendja e tij është përmirësuar, ndërkohë që është në përfundim të mjekimit.

Ai ka mohuar të jetë në spital, ndërsa shkruan: “Një sqarim i vogël pas lajmeve të sotme në portale. Unë jam shumë mirë. Nuk jam shtrirë në spital dhe as nuk kam ndonjë komplikim. Thjesht jam në përcjellje të terapisë për ta dërguar mjekimin dhe rekomandimin e mjekut deri në fund. Nderime për secilin nga ju që më keni shkruar nga shqetësimi. Shëndet e mbarësi”, janë fjalët e Gencit.

Gjendja e këngëtarit duket se është përmirësuar, pasi Genci ka lajmëruar se është gati të publikojë këngën e re.
Ai ka bërë një tjetër postim së fundmi ku shkruan: “Nesër në orën 10:00 publikohet kënga e 4 e albumit ‘Gentivs II’ ‘Apokalipsa’”.
