Partia Demokratike dhe Partia Socialiste arrijnë konsensusin për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Gjatë një jave negociatash, pas mbylljes së mandatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, eksperti i PS-së, Bledi Çuçi, shprehet se palët kanë gjetur një variant që i kënaq ata dhe ODHIR. “Për sa i përket pajisjes në ditën e votimit për verifikimin e kartave të identitetit, vendosëm që të heqim dorë nga transmetimi ‘online’ i të dhënave në KQZ në ditën e votimit, pasi këtu ishte e fokusuar kritika e ekspertit të ODHIR në këtë çështje. Për sa i përket përdorimit të skanerëve optikë, ramë dakord që ta fillojmë fillimisht me një pilotim, për të parë se si do të funksionojë sistemi dhe më pas ta shtrijmë”, thotë Çuçi. As PD dhe as PS nuk lëshojnë, për sa i përket çështjeve të nxehta si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ankimimi. Por, sipas Çuçit, 24 maji mund të sjellë konsensus. “Kontaktet janë të vazhdueshme, ka kohë deri më datë 24 maj. Për disa çështje themi se mund të kemi një konsensus, mbeten akoma disa çështje të tjera, por me frymën që ekziston ka vend për të arritur kompromis”, tha eksperti i PS-së.