Ndërkombëtarët


Ambasadorët holandezë dhe suedezë, apel për një president konsensual


Zgjedhja e një presidenti konsensual është apeli i të gjithë ambasadorëve të shteteve të BE-së dhe të Komisionit Europian në Tiranë. Kur ende nuk janë përcaktuar 5 raundet e votimit për zgjedhjen e kreut të shtetit, ambasadori i KE-së, Ettore Sequi, gjatë një tryeze të zhvilluar për “Integrimi europian dhe demokratizimi, si dy monedha me fytyrë të njëjtë”, bëri të ditur rëndësinë e zgjedhjes së një presidenti konsensual. “Kriteret politike janë tejet të rëndësishme për integrimin, jo më kot prioriteti i parë kërkon dialog politik mes partive, ndërsa prioriteti i tretë kërkon funksionimin e Parlamentit me seanca të rregullta votimi. Ne jemi të interesuar të shohim se si do të përmbushen këto kritere. Pasi sa më e fortë të jetë demokracia, aq më të mbrojtur janë qytetarët. Mendoj se vetë përfitimet e integrimit në BE janë të tilla që Shqipëria nuk ka ç’të humbë. Integrimi në BE është në interes të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, deklaroi ambasadori Sequi. Ambasadorët e Holandës dhe Suedisë deklarojnë se është e rëndësishme që presidenti i ri në Shqipëri të zgjidhet me konsensus dhe që në raundin e parë të votimit. Duke folur nga universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, diplomati holandez, Henk Van Den Dool, tha se kjo mënyrë zgjedhjeje është mjaft e rëndësishme për anëtarësimin e vendit në BE. “Në Shqipëri, pozicioni i presidentit, nuk është një pozicion politik. Presidenti supozohet të përfaqësojë dhe të jetë simbol bashkimi, por meqë duket diçka tjetër, është BE që është e interesuar sesi do të shkojë e gjithë kjo. Pasi të gjithë e kanë thënë kështu edhe komisionieri Fyle e ka thënë se procesi që lidhet me zgjedhjen e presidentit është shumë i rëndësishëm për sa u përket mundësive të Shqipërisë për statusin e anëtarësimit. Komisionieri Fyle ka thënë se hapat e domosdoshëm për t’u ndërmarrë, për sa i përket reformës elektorale dhe asaj parlamentare do duhet të kenë mbaruar para se të fillojë fushata presidenciale”, tha ambasadori holandez, Van Den Dool. Më tej ai theksoi se “do të ishte mirë që për presidentin, palët të bashkohen dhe të zgjedhin një figurë simbol të unitetit. Presidenti duhet të zgjidhet që në raundin e parë dhe të votohej nga 140 deputetë. Kjo shpreh edhe mbështetjen që presidenti do të ketë nga populli”. Ndërsa nga Gjirokastra, ambasadori suedez, Lars Wahlung, theksoi rëndësinë e zgjedhjes së presidentit nëpërmjet konsultimeve politike mes palëve. “Procesi i zgjedhjes së presidentit është një proces shumë i rëndësishëm, sigurisht që zgjidhet nga Parlamenti dhe jo direkt nga populli dhe mendoj se u përket anëtarëve të Parlamentit që të zgjedhin presidentin, duke iu referuar Kushtetutës. Nuk dua të përfshihem më shumë në këtë çështje, por mendoj se është e drejtë e çdo vendi, gjithashtu edhe këtu, që ky proces të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent, proces i shoqëruar me bisedime ku palët të bien dakord për kandidaturat”, tha ambasadori suedez.