Të afërmit akuzojnë pedagogët: Nëse mungonin në ekspeditë, rrezikonin diplomimin
Shpresa Mezini
Zi kombëtare. Heshtje që vret. Dhimbje e thellë. Lot trishtimi e gëzimi. Lutje drejtuar Zotit për të shpëtuar jetë. Nga ana tjetër, përgjërime për më shumë forcë për të përballuar këtë humbje të madhe. Historia e dhimbshme e ndodhur dy ditë më parë ka rënduar shpirtin dhe zemrat e familjarëve, por edhe të mbarë shqiptarëve, brenda e jashtë vendit. E ndërsa 13 vajza luftojnë kundër vdekjes, 13 të tjerë i kanë dhënë lamtumirën e fundit jetës në moshën më të bukur. Dje, 13 familje nga Gramshi, Elbasani, Pogradeci, Kruja e Lushnja kanë hapur dyert e zisë. Të tjerë, familjarë, miq e kolegë i përgjërohen Zotit me dhimbje të thellë e lot në sy të mos lejojë që kjo tragjedi të marrë të tjera jetë njerëzish. Në oborrin e Spitalit Ushtarak nuk pipëtin asgjë. Fytyra të përlotura të ulura në trotuare, stola e rrugë… Shumë prej tyre qëndrojnë të veçuar. Të tjerë në shoqërinë e familjarëve, ndonëse nuk shkëmbejnë asnjë fjalë. Sytë e tyre shprehin dëshpërim të thellë, por edhe shpresë se e gjitha do të përfundojë me kaq. Familjarët e një prej studenteve të mbijetuara, Dorina Kumria, e shtruar në reanimacionin e Spitalit Ushtarak të kryeqytetit presin me ankth. E ëma e saj rrëfen për gazetën “Shqip” se nuk e ka parë vajzën, pasi nuk e lejojnë të futet në sallë, por mjekët i kanë thënë se gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar. Ajo tregon se në këtë udhëtim e bija ishte shoqëruar nga kunata e saj, Enkela Daja, 17 vjeçe, e cila ishte plagosur lehtë. “Enkela më mori në telefon dhe më tregoi për aksidentin. Deri në atë moment nuk dija asgjë. Ajo ishte mirë, dallohej në zë, por u çmenda kur i kërkoja vajzën në telefon dhe ajo më thoshte që nuk flet dot”. Zonja shpreh dëshirën e madhe për ta parë vajzën qoftë edhe për një minutë të vetëm, sa për të kuptuar që ajo është mirë, por duke qenë se ajo është e shtruar në sallën e reanimacionit, hyrja është e ndaluar. “Dua të shoh, po s’më lejojnë të futem brenda. Dua vetëm ta shoh. Mjekët më thanë se ka lëvizur këmbët, ka folur dhe se i kujton emrat e familjarëve. Madje ka pyetur për ne. Kaq më mjafton, edhe pse dua ta shoh, ta puth. Jam borxhlie ndaj Zotit për këtë mrekulli. Shpresoj që e gjitha kjo të mbarojë shpejt. Dua që vajza të shërohet dhe të vijë në shtëpi”, thotë zonja Kumria.
Nga mënyra sesi fliste dukej e gëzuar, edhe pse thellë në shikimin e saj vërehej frikë, pasiguri, ankth për të ditur nëse vajza e saj do ta kapërcente këtë fazë kritike për jetën apo jo. Nën zë, e përlotur më tha: Jam e lumtur që është gjallë, por s’di ç’pasoja ka. Më fal o Zot, ndoshta po bëj gabim që po kërkoj kaq shumë, ndoshta duhet të gëzohem vetëm që ajo është gjallë”.
Familjarët e studentes Doriana Kumria nuk janë të vetmit që presin në ankth. Në oborr ndodhen edhe familjarë të tjerë, ata të cilët në reanimacion apo në pavijonet e tjera të këtij spitali kanë vajzat apo të afërmet e tyre. Tensioni për ta do të përfundojë vetëm pasi t’i shohin nga afër vajzat e tyre. Për sa kohë situata mbetet e njëjtë dhe informacioni sigurohet vetëm nga mjekët, ata janë të çoroditur, të vuajtur me një fije shprese që secila prej tyre të arrijë t’i mbijetojë kësaj tragjedie, që veshi me të zeza të rinj e të reja, nëna e baballarë, një komb të tërë…
Dëshmitë
E mbijetuara e tragjedisë së Qafës së Vishës, Besiana Dani, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Amerikan, thotë: “Isha ulur nga fundi. Shoferi bëri një frenim të fortë. Ishim në kthesë, se pashë nëse i ka dalë automjet para. Aty autobusi doli jashtë kontrollit. Bëmë dy-tri rrotullime. Zbritëm në Himarë për të ngrënë drekë, por duke qenë se lokali ku shkuam ishte plot me meshkuj, profesori kishte merak dhe mendoi të uleshim për të ngrënë drekë në Porto Palermo. Kështu që u nisëm. Përpara se të ndodhte aksidenti desh u përplasëm me një makinë, por shpëtuam. Pastaj dëgjova ulërimën e shoferit që na tha të mbahemi”, tha Besjana. Tensioni nuk ka të sosur. Dhimbja është transformuar në një urrejtje të pazakontë. Tezja e Aurora Mollës, një prej viktimave, rrëfen: “Fajtor janë pedagogët se i detyrojnë nxënësit. U thonë që po nuk erdhe në ekspeditë nuk të japim diplomën. Vajza na e ka thënë këtë me gojën e saj. Edhe një person tjetër që qante aty në morg në Vlorë që i kishte vdekur vajza dhe ai kështu tha, që i marrin pedagogët me vete, sepse nxjerrin para me këto udhëtime. Do të jenë të lidhur me agjencitë, nuk e di”.