Kreu i OMONIA-s u dënua një vit burg për dhunim varresh. Metko: Dyshojmë se fshihet në Greqi


Ylli Metko


Policia e Shtetit shpall në kërkim ndërkombëtar Naum Dishon, kreun e OMONIA-s në qytetin e Korçës, i dënuar me një vit burg për akuzën e dhunimit të varreve në fshatin Boboshticë. Emri i Dishos ka shkuar në zyrën e Interpol Tiranës, pas kërkesës së P

olicisë së Korçës, e cila nuk ka mundur të gjejë Dishon në banesë. Lajmi konfirmohet për gazetën “Shqip” edhe nga drejtori i Policisë së Korçës, Ylli Metko, sipas të cilit kreu i OMONIA-s i Qarkut Korçë tashmë është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe për arrestimin e tij është vënë në lëvizje edhe Interpoli. “Sipas ligjit, në rast se një person nuk është gjetur në periudhën prej 3 muajsh që gjykata ka dhënë vendim të formës së prerë për dënimin e tij, i kërkohet Interpolit gjetja dhe arrestimi i këtij personi. Në rastin e Naum Dishos ne kemi vepruar në këtë mënyrë”, tha drejtuesi i Policisë së Korçës. Ai sqaroi se gjatë kësaj kohe që Disho rezulton i larguar nga banesa janë ushtruar kontrolle të vazhdueshme, por pa rezultat. “Nga të dhënat që disponon Policia e Korçës është një mundësi mjaft e madhe që Naum Disho të jetë larguar në Greqi dhe të ketë gjetur strehim në këtë vend”, deklaroi Metko. Pas këtyre procedurave që ka ndjekur Policia e Korçës, tashmë është në pritje që Interpoli të veprojë për arrestimin e Naum Dishos, si një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.


Çështja “Disho” mori një kthesë të papritur në momentin që Gjykata e Apelit mori një vendim të formës së prerë, duke dënuar me një vit burg kreun e OMONIA-s në Korçë nën akuzën e dhunimit të varreve të vjetra në fshatit Boboshticë, një ngjarje kjo e ndodhur rreth 2 vite më parë. Ekzekutimi i këtij vendimi nuk u krye në kohë dhe Disho përfitoi që të fshihej e t’i shpëtonte arrestimit. Avokati i tij mbrojtës ndërmori një sërë veprimesh me apelim të vendimit, madje iu drejtua edhe Gjykatës së Lartë për rrëzimin e këtij vendimi. Urdhri i ekzekutimit i zvarrit sa në një gjykatë në tjetrën, kohë e cila i mjaftoi Dishos për t’u larguar nga Shqipëria.


Vetëm pak kohë më parë, Gjykata e Korçës dha një vendim të prerë, se për Dishon nuk kishte mbetur më asnjë hapësirë ligjore që të gjente lehtësim për dënimin me 1 vit heqje lirie. Për të zbatuar këtë vendim, si të Shkallës së Parë edhe të Apelit, është vënë në lëvizje policia, e cila ka kërkuar së fundi ndihmën e Interpolit. Ajo që mund të konsiderohet si çështja “Disho” për vetë precedentin që krijoi duke mos u zbatuar vendimi i arrestimit të tij, ka sjellë më pas edhe reagime nga më të ndryshmet. Madje tri gjykatëse, dy prej të cilave nga Apeli i Korçës dhe një e Gjykatës së Faktit që kanë qenë në trupin gjykues apo kanë drejtuar seancat për procesin ndaj Dishos, u ndaluan të hyjnë në Greqi si persona të padëshiruar dhe me rrezikshmëri për në vendin fqinj. Naum Disho është gjykuar së bashku me dy persona të tjerë si i akuzuar për dhunimin e varreve të fshatit Boboshticë. Pasi mori dënimin me 1 vit heqje lirie nga Gjykata e Faktit, ai e apeloi vendimin, ndërsa Gjykata e Apelit e la në fuqi këtë vendim që mori formën e prerë, por duke mos u ekzekutuar në kohë bëri që Disho të bënte përpjekjet e tij për t’i shpëtuar burgimit. Sipas policisë, ai nuk rezulton që të ketë kaluar legalisht kufirin për në Greqi, pasi nuk figuron i regjistruar në sistemin TIMS, e megjithatë Policia e Korçës ka bindjen se ai ka gjetur strehim në Greqi.


Metko: “Nga të dhënat që disponon Policia e Korçës është një mundësi mjaft e madhe që Naum Disho të jetë larguar në Greqi dhe të ketë gjetur strehim në këtë vend”