Disa grupime të opozitës thonë se kjo mund të jetë pika e kthesës për regjimin e Asad


Kombet e perëndimit po ushtrojnë presion për një përgjigje të ashpër ndaj masakrës së kryer në qytetin Sirian të Houlas dhe Shtetet e Bashkuara po bëjnë thirrje për t’i dhënë fund “sundimit përmes vrasjeve” të presidentit Bashar Al Asad.


Sekretari i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe William Hague bëri thirrje për një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara këtë javë. OKB ka konfirmuar vdekjen e së paku 90 njerëzve në Houla, përfshirë edhe 32 fëmijë me moshë më të vogël se 10 vjeç.


Ministria e Jashtme e Sirisë mohoi përgjegjësinë dhe akuzoi “terroristët”, pa identifikuar ndonjë të tillë. Zëdhënësi tha se në zonë ka patur përplasje mes forcave të sigurisë dhe terroristët.


Ndërkohë, aktiistët thonë se ushtria Siriane e bombardoi Houlan pas një demonstrate. Aktivistët thonë se shumë nga viktimat u vranë nga bombardimet ndërsa të tjerë u vranë me gjakftohtësi nga një grup militant i qeverisë i  njohur si Shabiha.


Vrasjet shkaktuan dënim të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar. Hague tha se do të flasë me Rusinë për këtë çështje gjatë vizitës së tij sot (të dielën). Rusia është aleati i vetëm ndërkombëtar që vijon të mbështesë Sirinë. “Ne do t’i bëjmë thirrje Rusisë të mbështesë rritjen e presionit ndaj regjimit të Asad dhe ta mbajë atë përgjegjës për krimet që po kryen,” tha ai.


Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton e cilësoi masakrën “rënqethëse” dhe shtoi se sundimi i Asad përmes vrasjeve dhe frikës duhet të marrë fund. 27 Maj 2012  (gazeta-Shqip.com)