Regjisori i vetëm italian pjesëmarrës në Festivalin e 65 të Kanës, Matteo Garrone ka arritur të triumfojë duke marrë Çmimin e Madh me filmin e tij ‘Reality’. Suksesi i italianit vjen 4 vjet pasi fitoi ‘Palmën e Artë’ në vitin 2008 me filmin e tij ‘Gomorra’. Filmi ndjek obsesionin e një tregtari peshku nga Napoli për reality show ‘Big Brother’. Por në thelb filmi përcjell një panoramë tragjike të degradimit të kulturës italiane dhe varfërimin shpirtëror dhe social.


 



Ndërkohë, me filmin e tij, ‘Amour’, regjisori austriak, Michale Haneke arriti të rrëmbente ‘Palmën e Artë’ për filmin më të mirë, tre vjet pasi e kishte fituar këtë çmim. Filmi tregon historinë e dhembshur të një burri të përkushtuar që përkujdeset për gruan e tij, e cila është duke vdekur. I interpretuar nga një prej yjeve të kinemasë franceze, Jean-Louis Trintignant, filmi arriti të mposhtë 21 rivalë të tjerë në konkurrim për të njëjtin çmim.



Çmimin për regjinë më të mirë e mori Carlos Reygadas, për filmin “Post tenebras lux”. Filmi rrëfen historinë e një familjeje të cilët transferohen në fshat dhe jetojë me kontradiktat e një bote, e një natyre dhe njerëzve të huaj, të cilët nuk i pranojnë në realitetin e tyre.



Ken Loach mori çmimin e jurisë për filmin “The Angel’s Share”, i cili solli në ekranin e madh historinë e një krimineli nga Glasgow.



Aktori danez, Mads Mikkelsen, fitoi çmimin si aktori më i mirë protagonist mashkull për interpretimin në filmin “The Hunt”, të regjisorit danez Thomas Vinterberg, ku ai akuzohet padrejtësisht se ka abuzuar me një fëmije.



Trofeu i aktores më të mirë protagoniste u nda mes dy aktoreve, Cosmina Stratan e Cristina Flutur, për interpretimin në filmin e Cristian Mungiu, “Beyond the Hills”, ku rrëfejnë miqësinë mes një murgeshe dhe një viktime të ekzorcizmit.


28 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)