Shtëpinë e poetit e shitën dy vajzat e tij në vitet ‘90


Monumenti i Lasgush Poradecit ne qender te qytetit


Vizitorë, adhurues dhe dashamirës të poetit nuk mungojnë t’i vijnë në qytetin e lindjes, për të parë shtëpinë ku ka jetuar poeti.


Nuk ka enigmë më të thjeshtë se sa të gjesh banesën ku ka jetuar në qytetin e liqerit, Lasgush Poradeci.


Një lagje e vjetër karakteristike pogradecare, një pjesë rrugice që e quajnë rruga e lumit, dhe ja ku ndodhesh përballë një deriçke metalike, e cila nga barërat që i vijnë deri afër dorezës nuk të lë dyshim se hapet rrallë. Përtej deriçkës, në një hapësirë të një bahçeje të rrethuar si burg, ajo që duhej të ishte rrugicë deri te porta e shtëpisë, është gati pengesë. Nga bari i harlisur jo edhe aq prej shirave të bollshëm të majit, dhe nën kërcënimin e një hordhie ferrash të vjetra e të reja mënjanë, duket sheshit se këtu brenda zor që shkel këmbë njeriu. Në fund të bahçes, syri të ndesh dy ngrehina që rrinë përbri. Njëra dykatëshe, gjysma me mure guri dhe me një papafingo në cep, që sheh nga ana e liqenit. Tjetra në krah të saj trekatëshe, një si kub i stërmadh tullash, e mballosur me dërrasa dyerve e dritareve. “Ja, vetëm këtë mund t’i tregojmë turistëve që vijnë për të parë shtëpinë ku ka jetuar e krijuar Lasgush Poradeci”, thotë një mesoburrë, pronar i një kafeneje aty pranë, që kujton ardhjen dhe shoqërimin e grupeve të vizitorëve nga Maqedonia dhe Kosova. Ai shton se vizitorë të ndryshëm, më së shumti vetëm sa arrijnë të bëjnë fotografi dhe ta kundrojnë nga jashtë deriçkës prej hekuri shtëpinë e lënë shkretë të Lasgush Poradecit. Në fakt, shtëpia e poetit, tashmë është shitur dhe ka për pronar pogradecarin Koço Krëste. Është një i moshuar që banon i vetëm me motrën e tij në një shtëpi pak më tutje, e cila gjithashtu duket e vjetër. “Shtëpinë e Lasgushit e shitën dy vajzat e tij aty nga vitet ‘90 dhe e ka blerë dikush që nuk është fis me Gushot”, thotë një fqinje, grua e moshuar rreth të 70-ave. Për vetë vitet e moshës që mban mbi supe, kjo fqinjë ruan kujtimet e saj për Lasgushin. Si një pogradecare e vjetër, e cila vazhdon të kultivojë në oborrin e shtëpisë së saj lule e trëndafila, duket se shpreh një lloj nostalgjie prej banorësh të fisëm të këtij qyteti. “Ku ta gjesh kohën e parë, kur Lasgushi shkruante poemat e tij nën hijen e një peme mani dhe kur i vinin makina nga Tirana deri te dera e mëparshme e shtëpisë që i sillnin baulet me rroba në kohën që veronte në Pogradec”, thotë fqinja e tij, një flokëbardhë që bën kontrastin më të madh me trëndafilat e kuq në oborrin e saj, ndërsa tregon jo pa dhimbje se çfarë ndodh me shtëpinë e Lasgush Poradecit. Kur e pyet këtë të moshuar me fisnikëri të dukshme pogradecare se çfarë ndodh me shtëpinë e Lasgushit dhe atë që duhet të ishte si një krenari e dukshme e qytetit, ajo shikon një herë nga kopshti i saj me trëndafila dhe pastaj hedh vështrimin nga ajo që njihet si bahçja e Lasgushit. Këtu barërat, ferrat e një shkreti që nuk do t’i urohej as të vdekurve të zakonshëm duket se ka shtrirë një pushtet shfarosjeje. Në qendër të qytetit të Pogradecit, Lasgushi ngrihet si një monument madhështor. Ndërsa atje ku ai mund të ketë sjellë krijimet më të ndjera, në papafingon e shtëpisë dykatëshe me një sy prej të pagjumi nga liqeni, në bahçen ku i këndonte dikur bilbili, nën hijen e një mani dhe të një shtëpie ku vetëm ai që lind dhe vdes atje ka gjetur ndoshta prehjen më të mirë, tani pas ca vitesh, shfaqet një mur tullash betoni, ca hithra, ferra, dyer e dritare të shkreta dhe nostalgji… “Vijnë vizitorë të ndryshëm, por çfarë të shikojnë këtu, këtë bahçe të mbushur me barëra ku kanë filluar të dalin edhe gjarpërinjtë”, thotë fqinja e moshuar e Lasgushit. Kur shton me një rrëfim prej atyre të moshuarve që nuk kanë asgjë se çfarë të humbasin, se në shtëpinë e Lasgushit tani vizitorë janë më së shumti minjtë, fqinja flokëbardhë dëshiron të mos identifikohet për ato çka foli. “Unë nuk di se sa shteti e bashkia janë kujdesur për shtëpinë e Lasgushit, se këtu nuk është ndier asgjë. Nuk e di se sa është investuar për të mirëmbajtur shtëpinë e Lasgushit në këto vite dhe sa ka vlejtur kjo, sepse në tërë këto vite ka mbirë një banesë trekatëshe m’u në bahçen e tij dhe i ka zënë frymën shtëpisë së Lasgushit”, thotë e moshuara, fqinje e poetit. Andej nga ajo ka shtëpinë rriten trëndafila, andej matanë murit me tulla betoni nga bahçja që dikur poeti frymëzohej në krijimet e tij po rriten ferra. Dhe ca më tutje, diku në qendër të qytetit, ngrihet monumenti i Lasgushit. Përballë atij të Mitrush Kutelit. Mes tyre, gjelbërim i paqmë lulishteje, i mirëmbajtur siç e kërkon dukja e një qendre qyteti dhe kafene me një zulmë të rinjsh.