Shkatërrohen edhe shumë godina të trashëgimisë kulturore
Një tërmet i ri ka përshirë rajonin verior të Italisë të Emilia Romanjës, duke marrë jetën e dhjetë personave dhe duke kapur në kurthin e gërmadhave shumë të tjerë.
Sipas medias lokale, të gjithë të vdekurit janë nga Modena. Tre prej tyre kanë humbur jetën kur një ndërtesë industriale është shembur në Medolla. Tre të tjerë humbën jetën në San Feliçe, dy në Mirandola dhe një tjetër në Cavezzo. Tronditja e së martës është vlerësuar e përmasës 5.8 ballësh dhe ka ndodhur në të njëjtin rajon ku dhjetë ditë më parë një tjetër tërmet që ra, u mori jetën shtatë personave dhe shkatërroi shumë ndërtesa. Nga dridhje të tilla u prekën edhe Milano dhe Bolonja. Një pjesë njerëzve kanë braktisur banesat, të frikësuar nga një goditje më e fortë dhe kanë kaluar kohën në rrugë. Po sipas medias lokale, një numër godinash të cilat kishin pësuar krisje gjatë tronditjes së parë të tërmetit janë shembur pas kësaj të fundit plotësisht. Bëhet fjalë për godina në San Feliçe, Cavezzo, Finale Emilia dhe në këtë rast bëhet fjalë për një goditje të magnitudës 6. Përveç të vdekurve, dëmet më të mëdha në këto raste i janë shkaktuar godinave të vjetra të shekujve më parë, një pjesë e të cilave ishin të restauruara, por edhe të tjera që konsideroheshin si pasuri kombëtare me vlerë shumë të madhe.
Ndërkohë duket se telefonatat e shumta që janë shkëmbyer gjatë kësaj periudhe kanë mbingarkuar rrjetin telefonik dhe kanë shkaktuar bllokime të mëdha në komunikim. Gjithashtu ka pasur probleme edhe në sistemin elektrik, me ndërprerje të korrentit në shumë zona dhe në disa raste për një kohë relativisht të gjatë në një moment shumë të rëndësishëm kur korrenti ka qenë i domosdoshëm për kryerjen e veprimtarive të ndryshme të shpëtimit. Edhe shërbimi urban dhe ai i trenave ka pasur probleme dhe ka ndalur në disa zona në Veri të Italisë. Shumë ndërtesa në Bolonja, veçanërisht ato të zyrave, janë evakuuar dhe njerëzit e punonjësit kanë dalë në rrugë. Jo vetëm në Bolonja, por edhe në Parma dhe në zona të tjera më të vogla përreth, njerëzit kanë dalë të frikësuar jashtë, në pritje të qetësimit të situatës dhe nga frika se mos shtimi i tronditjeve dhe lëkundjeve mund t’i zinte brenda godinave. Sipas specialistëve, ky tërmet ka qenë i një përmase më të fortë se ai i ditëve më parë dhe pasojat janë më të mëdha. Njerëzit janë trembur më shumë dhe situata ka qenë më e rëndë.
Tërmeti i 29 majit shkatërroi shumë godina të vjetra të trashëgimisë kulturore në vend dhe ka qenë tërmeti më i rëndë që ka kapur Italinë që pas atij të L’Akuilas.