Firmoset marrëveshja, ekipet e mjekëve, konsolidim në Romë


 Dy transplantet e para në Shqipëri janë kryer në spitalin “Nënë Tereza”, me donator familjar


Transplanti i veshkave do të realizohet edhe nga donatorë kadavër dhe jo vetëm nga familjarë apo dhurues të gjallë.


Mundësimi i një ndërhyrjeje të tillë vjen pas një marrëveshjeje të firmosur nga Ministria e Shëndetësisë dhe qendra kombëtare e transplanteve në Itali. Protokolli i bashkëpunimit u firmos dje nga autoritetet dypalëshe. Realizimi i transplantit me donatorë kadavër do të realizohet nga ekipet shqiptare dhe ato italiane të cilët do të trajnojnë mjekët tanë.


Ligji i miratuar një vit më parë në Parlament për transplantin e indeve, qelizave dhe organeve e lejon ndërmarrjen e iniciativave të tilla, ndërsa pritet të vendosen modalitetet e tjera për krijimin e kushteve të nevojshme për realizimin e një transplanti të tillë. Pesë vite më parë me fondet e komunitetit europian dhe mbështetje të spitalit të Barit, dhjetëra mjekë u trajnuan për të qenë të aftë secili në fushën e tij, për realizimin e transplanit në Shqipëri. Nga fondi i vendosur në dispozicion nga KE-ja u ndërtua me kushte dhe të gjitha elementet e nevojshme salla ku do të realizoheshin transplantet, por nga ajo kohë e deri më sot stafi i trajnuar në Itali ka realizuar vetëm dy transplante brenda qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Të dyja ndërhyrjet u realizuan me sukses.


Detajet teknike


Objektivi i palës italiane është të ndihmojnë të ndërtohen struktura me elementë profesionalë sipas standardeve europiane.


“Kërkojmë të transferojmë elementët e eksperiencës sonë në këtë kontekst dhe të krijojmë struktura me mjekë të formuar, duke vlerësuar këtë marrëveshje dypalëshe për të forcuar dhe transplantin midis donatorëve të vdekur dhe të gjallë”, tha Drejtori i Qendrës Kombëtare të Transplanteve të Italisë, Alessandro Nanni Costa.


Shqipëria ka shprehur interes për krijimin e një bashkëpunimi me autoritetet italiane për implementimin e ligjit, krijimin e Komitetit Konsultativ të Transplantimit, si dhe krijimin e një rrjeti kombëtar të transplantit.


“Ngritja e mekanizmave të tilla si Task-Forcë bilaterale, konsolidimi i ekipeve në QSUT dhe perfeksionimi në Romë, bërja pjesë në rrjetin mesdhetar të transplantit, si dhe puna në pikëpamje etike për të pasur donacione, janë hapësira të reja për ta drejtuar në 360 gradë problemin dhe për të pasur përgjigje të shpejta, konstante dhe proces gjithëvjetor”, sqaroi ministri i Shëndetësisë.


Marrëveshja 2012


Ministria e Shëndetësisë firmosi dje marrëveshjen mbi transplantet me Qendrën Kombëtare të Transplanteve në Itali. Protokolli i bashkëpunimit teknik i hap rrugën ngritjes dhe realizimit të një rrjeti që do të koordinojë punën për realizimin e transplanit nga “donatori kadavër” dhe në vendin tonë.


Një bashkëpunim i këtij niveli pritet të zgjidhë kërkesat jetike të shumë pacientëve.


“Ne kemi ambicien për të ecur shpejt në këtë fushë, pas miratimit të ligjit për transplantet, ku mekanizmat themelorë ekzistojnë në ligj, qoftë për mënyrën e organizimit dhe të administrimit të këtij procesi, qoftë dhe për elementët teknikë për të pasur proces të koordinuar dhe shumë special”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Sipas tij, institucionalizimi i këtij bashkëpunimi hap rrugën për perfeksionimin e mekanizmave vendase, por jep edhe mundësinë e formimit të grupit të ekipit të transplanteve. Parësor në këtë marrëveshje mbetet transplanti i veshkave. Lorina Mixha


 


Të dhëna


Ligji – Vitin e kaluar, Parlamenti miratoi ligjin e ri të “Transplantit të indeve, qelizave dhe organeve”, duke u hapur rrugë të gjitha iniciativave shkencore që hulumtojnë e veprojnë në këtë fushë


Dializa – Nga studimet e bëra, 50 – 60 persona për një milion banorë në vit, humbasin plotësisht funksionin e veshkës, pra rreth 175 raste të reja në vit kanë nevojë të trajtohen nëpërmjet dializës


Të sëmurët – Sipas të dhënave zyrtare te Ministria e Shëndetësisë është rritur numri i të sëmurëve që trajtohen me dializë, nga 120 në vitin 2005, në rreth 500 vitin e shkuar


Operacionet – Në klinika private brenda dhe jashtë shtetit, janë realizuar rreth 30 transplante renale familjare, të financuara nga shteti.