Arvizu, Sekui dhe Redford këshillojnë palët të zgjerojnë rrethin e kandidaturave për konsensus


Fatjona Mejdini



Trojka e ambasadorëve kryesorë në Shqipëri u angazhua dje në mënyrë direkte për t’i shtyrë palët politike të gjenin konsensus për Presidentin duke e zgjedhur atë sot në raundin e parë të votimit në Parlament. Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ambasadori i Komisionit Europian, Etore Sekui, dhe zëvendësdrejtuesi i misionit të OSBE-së në Shqipëri, Dan Redford, nuk kanë reshtur nga takimet formale, telefonatat dhe presioni pozitiv për sa i përket nevojës për të zgjedhur sot një president konsensual. Burimet diplomatike bëjnë të ditur se ndërkombëtarët në takimet e tyre me liderë të mazhorancës dhe opozitës kërkuan zgjerimin e rrethit të individëve, të cilët mund të zgjidheshin president, si një mundësi e mirë për të arritur konsensusin e shumëkërkuar.


Takimet


Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, ishte diplomati i parë që ka nisur negociatat paraditen e djeshme. Rreth orës 11 të paradites së djeshme, ai u drejtua për në Kryeministri ku zhvilloi një takim me kreun e qeverisë, Sali Berisha. Takimi  zgjati përreth 40 minuta dhe asnjëra nga palët nuk pranoi të jepte një prononcim në lidhje me bisedën me dyer të mbyllura. Pak minuta pasi ky takim përfundoi Arvizusë iu bashkëngjitën dhe ambasadori i KE-së dhe zëvendësdrejtuesi i OSBE-së dhe të tre u drejtuan pranë selisë rozë. Arvizu, Sekui dhe Redford zhvilluan përreth një orë një takim me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi. Por kjo ka qenë vetëm pjesa formale e negociatave që ka zhvilluar trojka e ambasadorëve, pasi mësohet se gjatë gjithë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme ata nuk kanë ngurruar të komunikojnë në telefon me drejtuesit e partive kryesore në vend, në kuadër të nevojës për të mos djegur pa kandidat raundin e parë të votimit.


Mesazhet


Në takimet formale, por në bisedimet informale të trojkës kryesore të ambasadorëve të akredituar në Tiranë është insistuar për të gjetur një President konsensual që në raundin e parë dhe po kështu janë dhënë këshilla për më shumë fleksibilitet të palëve. Burimet bëjnë të ditur se ambasadorët kanë këshilluar drejtuesit e partive kryesore të zgjerojnë rrethin e kandidaturave që do të diskutohen për President, formë e cila rrit dhe mundësinë për të gjetur kompromis. Sipas tyre, do të ishte e udhës që si kandidatura të mundshme të vinin dhe diplomatët, intelektualët dhe njerëzit e shquar të vendit, duke bërë të mundur që këto figura të mos kontestoheshin dhe po kështu të bashkonin unitetin e palëve. Në përfundim të takimit me Ramën, ambasadori amerikan, Arvizu, theksoi se për ndërkombëtarët ishte i rëndësishëm procesi dhe jo emri i kandidatëve. “Gjëja më e rëndësishme është dialogu që ndërmerret mes palëve, për shkak të zhvillimeve, palët kanë interes të përbashkët për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja e presidentit është e rëndësishme edhe për drejtimin e vendit”, theksoi Arvizu duke shtuar se ai shikonte se mes palëve ekzistonte vullneti për të gjetur një zgjidhje. Nga ana e tij, Etore Sekui theksoi se për të kishte rëndësi shumë të veçantë fakti se palët politike ishin të ndërgjegjësuara në lidhje me pasojat që sillte mungesa e konsensusit në këtë proces.


 


Pasojat


Në rast se kreu i ri i shtetit do të kontestohet nga një palë politike në vend, atëherë vendi pritet të ketë pasojë në kërkesën e tij për të marrë statusin e vendit kandidat në BE


Etapat


1.  Ambasadori Aleksandër Arvizu zhvillon një takim prej 40 minutash në zyrën e Kryeministrit Berisha. Takimi përfundon pa deklarata.

2.  Trojka e ambasadorëve, Sekui, Arvizu dhe Redford zhvillojnë një takim në selinë e PS-së me kryetarin Edi Rama dhe kreun e grupit parlamentar, Gramoz Ruçi.

3.  Burimet bëjnë të ditur se gjatë gjithë pasdites dhe mbrëmjes së djeshme ambasadorët kanë qenë aktivë për sa u përket negociatave informale për President.

4.  Trojka pritet të jetë sot prezente dhe në sallën e Parlamentit në një kohë kur paradite do zhvillohet dhe raundi i parë i votimit.