Analiza


Ylli argjentinas i Barcelonës: “Eliminimi ndaj Çelsit ishte i padrejtë”


“Jam shumë i zemëruar për mënyrën se si u larguam në gjysmëfinale nga Champions. Zhgënjimi personal është më i madh, sepse humba një penallti”


“Jemi profesionistë dhe gati për të nisur një sezon triumfues me Tito Vilanovën, por e vërteta është se Guardiola do më mungojë shumë”


Ylli argjentinas i futbollit botëror dhe i Barcelonës, Lionel Mesi, nuk e ka harruar ende dështimin e skuadrës së tij në Champions League, në edicionin e fundit në radhë, që pati për fitues, në mënyrë të paparashikueshme dhe të papritur, Çelsin e Di Mateos. Sikurse dihet, edhe pse e dominuan ballafaqimin e dyfishtë me londinezët, si në kryeqytetin anglez, edhe në “Kamp Nou”, katalanasit u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 3-2.


“Nuk e fitova titullin kampion në Spanjë, ashtu edhe Champions League, mirëpo më ka mbetur më shumë peng dështimi në trofeun e fundit. Jam shumë i zemëruar për mënyrën se si u larguam në gjysmëfinale nga Champions, sepse ishte një eliminim i padrejtë karshi Çelsit. Zhgënjimi personal është më i madh, sepse humba një penallti”, shprehet argjentinasi. Më tej, duke analizuar performancën individuale në sezonin që u mbyll, Lionel Mesi ndihet i plotësuar: “Jam shumë i kënaqur me sezonin tim, por kjo del në plan të dytë. Sikurse e thashë më lart, jemi të pakënaqur me mënyrën se si u eliminuam në gjysmëfinale të Champions-it nga Çelsi. Na ka mbetur peng që nuk e fituam trofeun, sepse ishim shumë afër këtij objektivi sezonal”. Sezonin 2011-2012, skuadra e Pep Guardiolës, i tërhequr tashmë nga stoli i blaugranëve, e mbylli me një trofe, fitimin e Kupës së Mbretit, pak për oreksin e Barcelonës dhe ambicieve të saj. Megjithatë, për Mesin, ky fakt përbën një shtysë më tepër, që edicionin e ardhshëm, Barcelona të rifitojë të gjithë trofetë e lakmuar. “Ne do të luftojmë për të fituar më shumë tituj në sezonin e ardhshëm, ndërsa me ekipin kombëtar do të përpiqemi të sigurojmë një vend në Kampionatin Botëror”, ka përfunduar argjentinasi në një konferencë për mediat. Ylli i Barcelonës dhe i Kombëtares së Argjentinës, përshëndet edhe një herë tjetër trajnerin Pep Guardiola. “Jam befasuar nga largimi i Guardiolës. Jemi profesionistë dhe gati për të nisur një sezon triumfues me Tito Vilanovën, por e vërteta është se Guardiola do më mungojë shumë. Ai është një njeri i veçantë, një mik i mirë më shumë sesa një trajner dhe jam i lumtur që ka qenë ai që e ka mbështetur kandidaturën e Vilanovës, të cilin e duam po aq sa edhe Guardiolën”.