Mjekimi, i përjashtuar nga lista e barnave
Numri i personave që konsumojnë drogë dhe alkool po rritet gjithnjë e më shumë në vend. Alarmi raportohet nga Instituti i Shëndetit Publik. Aktualisht, në vend regjistrohen rreth 30 mijë përdorues të rregullt të drogës dhe alkoolit. Duke iu referuar statistikave të fundit rezulton se vetëm 2 mijë persona trajtohen në qendra që operojnë në vend me qëllim braktisjen e lëndëve narkotike, pasojat e të cilave janë fatale për jetën. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik sqarojnë se shkak për numrin e vogël të personave që kërkojnë t’i largohen kësaj mënyre jetese nuk është vetëm neglizhenca e përdoruesve, por edhe mungesa e qendrave të posaçme rehabilituese.
“Ka probleme shumë të mëdha me ‘mbulesën’ në ato shërbime të brishta që ekzistojnë, pasi mjekimi që shërben për rehabilitimin e tyre nuk është përfshirë ende në listën e barnave të rimbursueshme. Disa medikamente bazë që përdoren aktualisht për trajtimin e këtyre ‘veseve’ në vendin tonë nuk i janë bashkangjitur ende listës së barnave. Nuk ka struktura të specializuara për fëmijë, adoleshentë apo persona, të cilët ofrojnë shërbimin e tyre si infermierë, toksikologë dhe psikiatër”, tha Alban Ylli, specialist në ISHP. Sipas tij, stafi që operon në qendrat tona numërohet me gishtat e dorës, ndërkohë vetëm 2 apo prej tyre janë të kualifikuar në këtë fushë, ndryshe nga përvojat e vendeve të zhvilluara.
Të dhënat u bënë publike dje gjatë një aktiviteti të organizuar në Fakultetin e Shkencave sociale. Pak kohë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi që të hartohet një strategji e përbashkët për drogën dhe alkoolin, si një mundësi efikase për të monitoruar dhe parandaluar më lehtë konsumimin e tyre. Sh.Me