“Miqësorja”


Ruleta e penalltive nxjerr Shqipërinë fituese nga miqësorja simbolike e luajtur dje në mbrëmje në kompleksin “Dinamo”. Takimi miqësor u zhvillua në kuadër të mbylljes së Muajit të Europës 2012 dhe u organizua nga Bashkimit Europian. Protagonistë në fushën e blertë ishin përfaqësues të ambasadave të shteteve anëtare të BE-së të akredituara në Shqipëri dhe futbollistë të Kombëtares, përfaqësues të medias, politikës, artit dhe shoqërisë civile. Ekipi i Bashkimit Europian u drejtua nga kapiteni Ettore Sequi dhe trajneri Astrit Hafizi, ndërsa ekipi i Shqipërisë u udhëhoq nga kapiteni Edmond Haxhinasto dhe trajneri Altin Rraklli. Dy pjesët e ndeshjes u mbyllën në barazim 2-2, ku për BE-në shënuan Erjon Bogdani e Bes Kallaku, ndërsa autorët e golave të Shqipërisë ishin Altin Lala e Gazmend Paja. Për të vendosur fituesin u desh t’i nënshtroheshin gjuajtjes së 11-metërshave, ku triumfoi ekipi i Shqipërisë me rezultatin 4-3.