Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj përshëndet maturantët nga qyteti i Durrësit.Korrigjimet nisin javën e ardhshme
Rreth 49 mijë maturantë, të shkollave të mesme publikë dhe private, dhanë sot provimin e parë të Maturës Shtetërore, në Gjuhë-Letërsi Shqipe. Provimi nisi në orën 10:00 dhe u mbyll në mesditë. Për organizimin e këtij provimi, gjatë natës së mbrëmshme u shpërndanë të gjitha testet, duke nisur fillimisht me rrethet e largëta e më pas me qytetet e tjera. Çelësi i përgjigjeve të duhura, pritet të publikohet sot pasdite, ndërsa korrigjimi i testeve do të nisë javën e ardhshme. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, teksa e ka vlerësuar tezën e provimit të letërsisë të një niveli mesatar, ka përshëndetur të gjithë maturantët e vendit nga qyteti bregdetar i Durrësit ku është ngritur dhe qendra më e madhe në nivel qarku, pranë universitetit “Aleksandër Moisiu”. Në këtë qendër zhvilluan testimin 460 maturantë, të cilët u përshëndetën nga ministri Myqerem Tafaj i cili u uroi suksese dhe në provimet e tjera të Maturës Shtetërore. Ky vit ka regjistruar numrin më të lartë të maturantëve në shkallë vendi.
2 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)