PS: S’duhet humbur kohë, tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve
BLEDAR HOTI
Kandidati i mazhorancës për postin e presidentit, Xhezair Zaganjori, ka zhvilluar dje paradite një takim me kreun e opozitës, Edi Rama. Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, i propozuar nga koalicioni qeveritar, ka nisur të lobojë vetë, duke i paraprirë mbase një takimi të përfolur mes dy liderëve të politikës shqiptare. Dje, në orën 10:00, anëtari i Gjykatës Kushtetuese ka ngjitur shkallët e selisë rozë për të zhvilluar një takim me kreun e PS-së, Rama. Ballafaqimi i parë mes tyre, siç e tha dhe vetë Zaganjori, zgjati 60 minuta. Në takim, mësohet se Rama i bëri të ditur qëndrimin e opozitës se pse e konteston procesin e ndërmarrë nga mazhoranca në mënyrë të njëanshme për zgjedhjen e një kandidature konsensuale. Duke i marrë të mirëqena 73 votat e mazhorancës, Zaganjori po synon të sigurojë 11 vota, por pse jo më shumë se 84 të duhurat. “Takimi me Ramën ishte për t’u prezantuar dhe për t’u njohur nga afër. I shpreha arsyet e mia që më shtynë për të marrë vendimin për të kandiduar, që nuk e kam pasur të lehtë. Unë mendova se takimi është në të mirë të debatit dhe të procesit që po zhvillohet. Takimin me Ramën e kërkova unë”, u shpreh Zaganjori pas takimit. I pyetur nga mediat nëse grupi parlamentar socialist do t’i japë mbështetje, kandidati i mazhorancës theksoi se as nuk e pyeti kryesocialistin dhe as ai nuk i dha përgjigje për këtë çështje. “I përshkrova arsyet që më kanë shtyrë të marr vendimin për të kandiduar dhe kaq. Mendova që është në të mirën e debatit që po zhvillohet dhe procesit, prandaj unë e kërkova takimin”, tha Zaganjori. Ndërsa lideri i PS-së, Edi Rama, nuk ka dhënë ndonjë koment në lidhje me këtë takim. Porse qëndrimi zyrtar erdhi nëpërmjet një deklarate për median. “Kryetari i Partisë Socialiste takoi sot në selinë rozë, zotin Xhezair Zaganjori, me kërkesën e këtij të fundit.
Kryesocialisti dëgjoi me vëmendje gjithë çfarë dëshironte t’i shprehte zoti Zaganjori, lidhur me paraqitjen e emrit të tij nga qeveria si kandidat potencial për President i Republikës. Nga ana e tij, Edi Rama i tha zotit Zaganjori se Partia Socialiste vazhdon të kërkojë një proces deri këtu të munguar, ku të gjitha palët parlamentare të përfshihen në një dialog konstruktiv. Për Partinë Socialiste mbetet shumë e qartë se nga një proces dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare duhet të shkohet drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës, jo anasjelltas. Prandaj edhe Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria”, thuhet në njoftimin zyrtar të selisë rozë. Më tej, bëhet e ditur se Rama është shprehur se “kjo vlen konkretisht qoftë për kandidaturën e zotit Xhezair Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria nëse mungojnë dialogu konkret dhe konsultimet e domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të d
akordësuar mes qeverisë e opozitës”. PS bën të ditur se mbetet plotësisht e angazhuar në një proces politik dobiprurës, në funksion të kalimit të provës shumëplanëshe ku e ka vënë Shqipërinë dhe politikën shqiptare si e tërë zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës. “Kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë, në një tryezë dialogu konkret të nivelit më të lartë mes palëve, për t’i dhënë një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë. Vetëm kështu mund të ndërtohet konsensusi i domosdoshëm që do të zgjidhte pozitivisht njërën nga katër pikat kyçe të paketës për të synuar statusin e vendit kandidat në BE, atë të zgjedhjes së Presidentit të ri, si dhe do të krijohej hapësira e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tri pikave të tjera”, thuhet në njoftimin për shtyp. Mësohet se kandidati i mazhorancës zhvilloi dje një takim dhe me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi.
4 qershor – Raundi i dytë i zgjedhjes së presidentit do të jetë më 4 qershor. Të hënën pritet të maten sërish forcat mes palëve
84 vota – Për zgjedhjen e kreut të shtetit për tri raundet e para nevojiten 84 vota. Mazhoranca gëzon vetëm 73 vota të saj në Kuvend
20 firma – Sipas Kushtetutës, të drejtën e propozimit të kandidaturave për president e gëzojnë 20 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë
Raundi I – Më 30 maj u mbajt raundi i zgjedhjes së kreut të shtetit. Në këtë proces nuk u paraqit asnjë emër, duke u quajtur i ezauruar