Negociatat
Idrizi, negociatori për të arritur konsensusin para të hënës
Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, është kthyer tashmë në negociatorin e ri për të konkluduar në një tryezë politike të të gjitha partive politike për të arritur një tryezë për Presidentin e Republikës. Synimi: Tryeza të zhvillohet në fundjavë para seancës së datës 4 qershor. Pra nuk pritet të ketë një takim Rama – Berisha, por një tryezë të të gjitha partive parlamentare. Politika shqiptare nuk ka ndërprerë as në orët e vona të mbrëmjes së djeshme negociatat dhe deklaratat në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të ri në vend. Ndërsa në Tiranë përreth një orë e gjysmë u zhvillua një takim interesant mes kreut të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, nga Vlora Kryeministri Berisha deklaroi se ai e priste ta takonte, Edi Ramën në çdo kohë për të diskutuar për presidentin, duke i hapur kështu rrugë dhe takimit që pritet të ndodhë nesër mes tyre. Teksa ndodhej për një përurim infrastrukturor në qytetin jugor, Berisha zhvilloi një takim dhe me degën e PD-së në këtë qytet, duke dhënë dhe disa mesazhe të forta politike. Së pari, Berisha theksoi se ai nuk kishte asnjë problem ta takonte Ramën, por kreu i opozitës nuk mund ta paragjykonte një kandidaturë si Zaganjori vetëm për faktin se nuk i ishte marrë mendimi atij. Po kështu, Berisha theksoi se takimi me Ramën duhej të bëhej mbi baza të qëndrueshme dhe me emra konkretë kandidatësh. “Unë pardje deklarova se si Kryeministër unë jam i detyruar të pres çdo qytetar dhe aq më tepër kryetarin e opozitës që e pres absolutisht në çdo kohë që të dojë. Por në qoftë se është fjala për të arsyetuar për të pasur një proces të suksesshëm urdhëro zotëri dhe më thuaj cilat janë vërejtjet që ke për kandidatin, urdhëro zotëri paraqit kandidatin tënd, por po ta hedhësh poshtë apriori kjo është të nisesh nga klisheja e armikut”, deklaroi Berisha, duke komentuar dhe takimin e ndodhur paraditen e djeshme mes Xhezair Zaganjorit dhe Edi Ramës. Nga ana tjetër, Berisha deklaroi se LSI do t’i qëndronte marrëveshjes së bërë me PD-në, marrëveshje e cila theksonte faktin se dy forcat politike duhet të bashkëpunonin ngushtë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
“Kjo marrëveshje do të zbatohet dhe në asnjë rrethanë ne nuk imagjinojmë që të grisim një marrëveshje kaq të rëndësishme për vendin”, deklaroi Berisha për marrëveshjen PD-LSI. Ndërsa Edi Rama dje ka zhvilluar dy takime me persona politikë, të cilët janë shprehur në mënyrë shumë të qartë mbi nevojën për të qenë ish-kryeministri Nano, presidenti konsensual. Në drekë Rama është parë të takojë deputetin e PS-së, Andis Harasanin, dhe madje të dy kanë drekuar së bashku. Ndërsa në orët e vona të mbrëmjes Rama ka konsumuar një bisedë një orë e 30 minuta me Shpëtim Idrizin e PDIU-së, i cili po ashtu është shprehur pro kandidimit të Nanos, ndonëse si pjesë e mazhorancës ka pranuar dhe kandidaturën e Xhezair Zaganjorit. Duket se kreu i PDIU-së ka marrë rolin e negociatorit dhe ndërmjetësit ndërmjet dy forcave të mëdha për të gjetur një emër konsensual, i cili do të miratohej në raundin e dytë për president.